“Laze, kyçen 49 për qind të aksioneve te Elbasani”
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon ngrirjen e 49 për qind të aksioneve që biznesmeni Arben Laze zotëron në klubin e futbollit të Elbasanit. Lajmi është konfirmuar prej burimeve zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat pohuan për gazetën “Panorama” se kërkesa i është drejtuar gjykatës me qëllim “ngrirjen” e aksioneve të Lazes, në mënyrë që ato të mbahen të bllokuara deri në fund të hetimit. Një procedurë e tillë mësohet se është ndjekur nga prokuroria në zbatim të ligjit, me qëllim që pasuritë e 41-vjeçarit të mos tjetërsohen, derisa pozita e tij në trafikun e heroinës nga Maqedonia në Shqipëri dhe më tej, të sqarohet përfundimisht. Prokuroria kërkoi nga Tatimet, Hipoteka dhe bankat të dhëna për pasuritë e biznesmenit, ndërsa po verifikohet edhe gjendja në të cilën janë aksionet e tij tek ekipi i Elbasanit, ku zotëron, sipas konfirmimeve, 49 për qind. Në vijim të hetimit pasuror ndaj biznesmenit të arrestuar së bashku me vëllain e tij, Fation Laze, Prokuroria ka identifikuar një kredi me vlerë rreth 300 mijë euro. Sipas burimeve nga organi qendror i akuzës mësohet se, presidenti i klubit të futbollit të Elbasanit, Arben Laze, ka paraqitur si garanci në bankë për tërheqjen e kredisë, një shtëpi me sipërfaqe sa tri apartamente në Elbasan dhe një tjetër apartament në Tiranë. Kredia, sipas hetimeve, është marrë në bankë vetëm pak kohë para se në qytetin e Lushnjës, policia të arrestonte Shkëlqim Hyzmon me një kilogram heroinë në makinë. Nga përgjimet telefonike dhe vëzhgimet ambientale, prokuroria kishte mësuar se sasia e heroinës që u kap në makinën e Hyzmos, në fakt, ishte porositur prej shtetasit nga Fieri, Arben Prifti. Ky person akuzohet se e ka porositur sasinë e drogës pikërisht tek Arben Laze, kreu i klubit verdheblu të Elbasanit. Biznesmeni Laze akuzohet nga prokuroria se ka përdorur vëllanë e tij, Fajtonin, për të dorëzuar drogën, e cila u kap menjëherë pasi u mor në dorëzim nga Shkëlqim Hyzmo, duke qenë se hetuesit mbajtën në kontroll të gjitha veprimet e të dyshuarve. Biznesmeni i shumëpërfolur, Arben Laze, u arrestua më 24 dhjetor 2008, teksa po kthehej nga Maqedonia. Sipas hetimeve të prokurorisë, vendi fqinj në të cilin kishte udhëtuar Laze, ka qenë edhe porta hyrëse për në Shqipëri e heroinës që biznesmeni akuzohet se ka trafikuar në vendin tonë. Presidenti i skuadrës elbasanase, në daljen e tij para Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit për masën e sigurisë, i mohoi akuzat e ngritura ndaj tij duke pohuar se drejtësia do të zbardhë shumë shpejt të vërtetën. Duke dyshuar se Laze mund të ketë vendosur prona nga fitimet e arritura prej trafikut, prokuroria ka kërkuar fillimisht verifikimin dhe më pas bllokimin e pasurive, në mënyrë që ato të mos tjetërsohen. Pasurive në fjalë nuk u kanoset asnjë rrezik, pasi, edhe nëse provohet se duhet të konfiskohen, ato administrohen nga shteti sipas ligjeve në fuqi.