Ja përgjimet e tenderit, rryshfeti 125 mijë euro
Fatos MahmutajJanë plot 125 mijë euro në lojën e korrupsionit të tenderit të veshjeve të Ministrisë së Brendshme ku janë përfshirë tre zyrtarë dhe katër biznesmenë për të fituar 14 lotet e tenderit të uniformave me vlerë 1.75 miliardë lekë. Për tre muaj me radhë prokurorëve u është dashur të përgjonte celularët e zyrtarëve e biznesmenëve, apo të bëjnë vëzhgimin fotografik të tyre, por edhe të deshifrojnë kodet e bisedave si "miku", "shoku" apo "kuzhina që kushton 125 mijë euro". Dy prej biznesmenëve të arrestuar për skandalin, kanë fituar "arrestin e shtëpisë". Për dy muaj me radhë, një biznesmen i tretë, i shpallur në kërkim, sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, tashmë i ankimuar prej avokatëve dhe të pandehurve në Apel, është përpjekur të mblidhte lekët nga kolegët pjesëmarrës në tender, për t'ia dorëzuar më pas zyrtarëve që do të shpallnin fituesin.Prokuroria e Tiranës më datë 11 shtator 2009, ka regjistruar procedimin penal numër 3204 për veprat penale "korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike", "korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike", të kryer në bashkëpunim, si dhe "ushtrim ndikimi të paligjshëm". Ky procedim është regjistruar mbi bazën e informacionit të dërguar në prokurori nga ana e SHISH më 11 shtator 2009. Nga hetimet e kryera ka rezultuar si më poshtë: Më datë 3 gusht 2009, në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik është publikuar për njoftim procedura e prokurimit të fondeve publike me objekt "Blerje uniforma, veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës të tyre", me fond limit 175.034.194 lekë e cila do zhvillohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Prokurimeve të Përqendruar pranë Ministrisë së Brendshme. Kjo procedurë është ndarë në 14 lote sipas llojeve të uniformave dhe veshmbathjeve që u nevojiteshin institucioneve të ndryshme shtetërore të tilla si Ministria e Mbrojtjes, Garda e Republikës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Ministria e Brendshme, Kapiteneria e Përgjithshme e Porteve etj.Nga informacioni rezultonte se shtetasit I.S., F.B., Artan Berberi dhe Jani Gjergjefi kishin rënë dakord t'i jepnin një sasi prej 26.000.000 lekësh shtetasit Bujar Murati, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme me qëllim që ai të shpallte fituese të kësaj procedure prokurimi shoqëritë e përfaqësuara prej tyre. Në këto kushte është kërkuar nga Gjykata e Tiranës lejimi i përgjimit të komunikimeve telefonike të shtetasit Bujar Murati, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale si dhe i disa personave të tjerë që kanë komunikuar me të. Gjykata me disa vendime ka lejuar përgjimin e komunikimeve telefonike si dhe zgjatjen e afatit të përgjimit të këtyre komunikimeve. Nga procesverbalet e transkriptimit të bisedave telefonike të përgjuara ka rezultuar se këta shtetas kanë komunikuar në vazhdimësi me njëri-tjetrin, me qëllim favorizimin e disa shoqërive për shpalljen e tyre fituese të loteve të kësaj procedure prokurimi kundrejt përfitimeve të kundërligjshme.***Më 14 shtator 2009, ora 13:39, I.S. është telefonuar nga F.B. pronar i njërës prej shoqërive pjesëmarrëse në tender, me numër 06820..., i cili i thotë se po ikën për në Kosovë dhe se në qoftë se duhen para t'i vere I.S, se do ia kthejë ai kur të kthehet. I.S. përgjigjet se do i vendosë ai. Më datë 14 shtator 2009, ora 16:59, I.S. është telefonuar nga Artan Berberi, përfaqësues i shoqërisë "Malbertex" me numër telefoni 06920..., i cili i thotë se është gati për porosinë siç kishin rënë dakord dhe se kur të duhej I.S. t'i thoshte për t'i dhënë paratë. I.S. i është përgjigjur se nuk kishte problem edhe po të mos i kishte lekët, duke nënkuptuar se e zgjidhte ai këtë punë. Më 15 shtator, ora 12:31, I.S. është telefonuar nga një shtetas me numrin e telefonit 06921..., i cili i thotë se kursi i blerjes së dollarit është ulur shumë dhe se mos kishte nevojë për dollarë. I.S. i thotë se ai është duke pritur nga momenti në moment t'i kërkojë paratë "ai" dhe se nuk e di nëse "ai" do ia kërkojë në lekë, në euro apo në dollarë. Personi tjetër i thotë të mundohet t'i japë në dollarë. Më 16 shtator 2009, ora 08:36, I.S. ka telefonuar përsëri shtetasin me numrin e telefonit 06921... dhe e porosit të shkojë në bankë t'i bëjë në kartëmonedha 50.000 lekëshe një sasi prej 35 - 40 milion lekësh duke i thënë se ai "shoku" i kërkoi lekë. Më pas ata kontaktojnë përsëri me njëri-tjetrin në telefon dhe I.S. i thotë se më pas duhen euro apo dollarë, ndërsa kjo është shuma e atyre të vegjëlve. Pas vetëm 15 minutash I.S. e merr përsëri personin me emrin Xh. duke i thënë se më mirë t'ia çojë 40.000 dollarë në kartëmonedha 100-she. Po në këtë datë, në orën 13:20, I.S. ka marrë në telefon Bujar Muratin dhe i thotë se është në Tiranë. Bujari i përgjigjet se do takohen më vonë rreth orës 4-5 pasdite. Në orën 18:17, I.S. ka komunikuar në telefon me Muratin dhe e kanë lënë për t'u takuar me njëri-tjetrin te një bar në afërsi të stadiumit "Dinamo". Nga raport shërbimi mbi vëzhgimin e kryer më 16 shtator, rezulton se në këtë datë, në orën 18:20, I.S., i cili mbante me vete një zarf të palosur është takuar me Muratin në bar. Pasi janë ndarë I.S. ka shkuar rreth orës 18:45 në rrugën "Myhedin Llagami", në të cilën, përpara një shesh pushimi, ishte e parkuar makina me targë TR7... në të cilën po e priste Bujar Murati. Ai është futur brenda dhe, pasi kanë ecur rreth 25 metra, ka dalë nga automjeti ndërsa Murati e ka futur në zarfin që i dha I.S. në kruskotin e makinës së tij. Më 16 shtator, ora 18:57, I.S. i ka telefonuar shtetasit F.B. me numër 06820...dhe i thotë se puna 90% është e mbaruar, pasi i ka dhënë fjalën ai shoku. Më 17 shtator ora 10:19, I.S. i telefonon një shtetasi të quajtur A. me numër 06720..., të cilit i thotë se i ka punët në vijë, se nuk i ka futur të gjitha në emrin e tij në tender, pasi kështu i tha ai shoku dhe se atë javë pritej shpallja e fituesit. Po këtë ditë, në orën 14:29, Murati i ka telefonuar nga numri i telefonit 422...I.S.-së, dhe i ka thënë se nga java tjetër do pinin kafe pasi ishte i zënë. Më 17 shtator ora 18:49, Artan Berberi i ka telefonuar I.S. dhe e pyet nëse gjithçka po shkon mirë. I.S. përgjigjet se gjithçka është mirë me përjashtim të Agurit, (bëhet fjalë për përfaqësuesin e shoqërisë "Sadiku", shtetasin Agur Sadiku), për të cilin I.S. thotë se ai do t'ia japë një tjetri. Artani i thotë se ai e ka përgjysmë si punë me Agurin atë tender, (bëhet fjalë për njërin nga lotet e tenderit) dhe se është ai vetë i interesuar dhe se konkurrenti i tyre ka hyrë në tender me një vlerë shumë të ulët, dhe se ai nuk ka asnjë analizë dhe asnjë dokument tjetër të saktë. I.S. i thotë t'i dërgojë me mesazh një numër tjetër telefoni që të flisnin më lirisht. Më 18 shtator ora 11:03, I.S. ka telefonuar Redi Popeskun, i cili është mik i përbashkët i tij dhe i Bujar Muratit dhe i ka thënë që ta pyesë njëherë Bujarin se çfarë po bëhet ndonjë gjë për tenderin. I.S. i thotë se Bujari i ka thënë se do takohen pas një jave (shih telefonatën e datës 17 shtator ora 14:29) dhe se ndërkohë Bujari nuk po bën asgjë. Më 18 shtator ora 19:27, Redi Popesku ka telefonuar I.S. dhe i ka thënë të hapë internetin se është bërë shpallja e fituesit të tenderit të këpucëve dhe se rezultatet I.S. i ka në rregull "siç ia dha letrën" atij (Bujarit). Më 19 shtator ora 08:12, I.S. ka marrë një telefonatë nga një shtetas 905522..., i cili e pyet se si është bërë për tenderin. I.S. i thotë se çunat akoma nuk kanë mbledhur lekët dhe se "Ai" ka kërkuar në disa vende 10% dhe në disa vende 5%. I.S. i thotë se këta çunat e kanë lënë nga e hëna, (data e bisedës bie ditë e shtunë) dhe se vetëm Jani është gati ndërsa Tani nuk është gati akoma dhe se 6-7 milion lekë janë për t'u mbledhur akoma. Gjithashtu, ai i thotë se F. e kishte lënë për 5% por ra dakord t'i japë 10 % aq sa i kërkuan. Më 20 shtator ora 12:41, I.S. ka telefonuar Popeskun, dhe ky i fundit i thotë se ai e ka mbyllur ashtu si donte I.S. Më 21 shtator ora 10:27, I.S. ka telefonuar Jani Gjergjefin, pronar i shoqërisë "Gjergjefi" me telefon 06920... dhe i thotë se po shkonte ta takonte që t'i merrte pjesën e tij që kishte për të paguar. Po këtë ditë, në orën 11:53, shtetasi I.S. ka komunikuar me Xh. me numrin 06921..., ku Xh. i thotë se 30.000 euro ia ka bërë gati dhe se I.S. duhet t'i japë lekët ndërsa ai eurot i ka gati për punë një ore. Pas 10 minutash nga kjo bisedë I.S. ka komunikuar me Popeskun dhe i ka thënë se do vinte në Tiranë t'i takonte ndërsa Redi i ka thënë se po e prisnin. Gjergjefi më 21 shtator ora 11:19, ka komunikuar me një shtetas 06920... dhe i ka thënë se po e priste "Isa Beu" i cili i kërkonte 8 milion lekë dhe i thotë se 4 milion lekë i ka vetë dhe i kërkon t'i marrin dikujt tjetër 4 milion lekë borxh se do ia shlyejnë brenda javës. Pas 5 minutash personi e merr në telefon Gjergjefin dhe i thotë se i gjeti lekët dhe se kur do vinte ai. Jani i thotë se ai i kishte thënë se do vinte atë ditë. I.S. ka komunikuar më 21 shtator, ora 12:05, me Berberin dhe i ka thënë se nuk është nisur akoma dhe se ishte akoma në Elbasan. Në orën 14:54, I.S. i ka telefonuar Bujar Muratit dhe i ka thënë se po e priste t'i jepte ndonjë kafe. Në orën 14:03, Murati i ka telefonuar I.S. dhe i thotë se ku është t'i japë një kafe se ishte me Redin. Po këtë datë, ora 20:17, I.S. ka komunikuar me Berberin dhe i ka thënë se ka folur me atë shokun (Bujar Muratin) dhe i ka thënë se ata nuk mund t'i jepnin më shumë para sesa i kishin thënë, dhe se në rast se konkurenti i tyre i jepte më shumë le t'ia jepnin atij tenderin. Ai i ishte përgjigjur se do pyeste njëherë tjetrin mos i jepte më shumë dhe se po të mos i jepte më shumë, atëherë, ai do ua jepte atyre tenderin, ndërsa për lotet e tjera çdo gjë ishte në rregull. Gjergjefi më 21 shtator ora 21:27, ka komunikuar përsëri me shtetasin me numër 06920... dhe ky i fundit i ka thënë nëse ka bërë ndonjë bisedë më tepër apo është bazuar vetëm tek fjalët që i ka thënë I.S. Jani i thotë se I.S. i ka thënë se e ka parë emrin e personit për të cilin flasin dhe se nuk ia vlen pasi ai është thjesht specialist. Jani i thotë se I.S. i ka thënë se "do ia bëjë gati kuzhinën (në këtë rast flitet për paratë që i ka kërkuar Bujar Murati I.S.së) por se akoma nuk ia kishte bërë gati, se kuzhina do vonohej nja një muaj, se ajo bënte 125.000 euro dhe se I.S.-së i duheshin edhe 40 e ca mijë euro). Më 22 shtator ora 14:55, Gjergjefi i ka telefonuar I.S. dhe e ka pyetur se çfarë po bëhet. I.S. i është përgjigjur se e ka mbyllur muhabetin dhe se deri të mërkurën a të enjten ajo punë është e bërë. Më 22 shtator, ora 19:47, I.S. ka telefonuar Agur Sadikun, pronar i shoqërisë "Sadiku" sh.p.k. me numër 06720... dhe i ka thënë se ka biseduar me Bujar Muratin dhe se ai i ka thënë se konkurrenti tjetër i jep 10%, ndërsa I.S. i është përgjigjur se në rast se është kështu le t'ia japë atij tjetrit tenderin. Po kështu I.S. i thotë se i ka thënë se mund t'i japin 7% dhe se për këtë gjë ai i ka thënë edhe Artan Berberit më parë (shih bisedën e datës 17 shtator ora 18:49, midis Berberit dhe I.S.-së). Aguri i thotë I.S.-së se konkurrenti i tyre nuk ka analiza dhe I.S. i është përgjigjur se Bujari i ka thënë se edhe shoqëria e Agurit nuk kishte paraqitur fletët e analizave siç kërkoheshin në dokumente. Më pas I.S. i thotë se Bujari nuk ka ku të shkojë dhe se do t'ua japë atyre tenderin. Më 26 shtator ora 14:22 dhe 14:23, I.S. ka komunikuar me Popeskun dhe e kanë lënë fillimisht për t'u takuar bashkë në Elbasan (I.S. në këtë kohë ishte në Pogradec ndërsa Redi po shkonte në Fushë-Krujë). Më pas I.S. i ka thënë që t'ia marrë shënim klasifikimin Muratit por Redi i thotë se do shohë në internet ndërsa I.S. i thotë se ai aty mund të shohë vetëm rezultatet e loteve ku ka marrë vetë pjesë jo të loteve të tjera ku kanë marrë pjesë "çunat". I.S. i thotë se ai mund të shohë vetëm emrin e shoqërisë së tij dhe të Gjergjefit. Redi i përgjigjet se ata të dy (Redi dhe Bujari) e kanë punën vetëm me të dhe se do e takonte ai që t'i sqaronte sesi funksionon dhe se nuk duhet të flisnin më shumë në telefon. Ata janë takuar me njëri-tjetrin në orën 18:49 (shih raportin e shërbimit të kësaj date) ndërsa në orën 19:54 I.S. ka komunikuar me F.B. dhe i ka thënë se do iki jashtë shtetit. F.B. i thotë se edhe ai do nisej për në Itali dhe se po të nevojiteshin lekë le t'ua jepte I.S. dhe ia jepte ai kur të kthehej. Më 28 shtator, rreth orës 11:45 I.S. ka telefonuar Muratin dhe e kanë lënë për të pirë kafe. Po këtë datë I.S. ka komunikuar me Popeskun në orën 14:56, dhe e kanë lënë për të pirë kafe në afërsi të piramidës. Nga raporti i shërbimit mbi vëzhgimin e kryer në datën 28 shtator rezulton se Popesku dhe I.S.janë takuar me njëri-tjetrin tek bar kafe "Tirana". Pasi janë ndarë I.S. ka takuar Muratin tek bar kafe "Coffee Store" në afërsi të stadiumit "Qemal Stafa". Atë ditë, në orën 18:27, Popesku i ka telefonuar I.S. dhe ky i fundit i ka thënë se ai ia ka shtyrë për 10-12 ditë rezultatin dhe se I.S. kishte pranuar pasi nuk kishte çfarë të bënte. Më 12 tetor 2009, ora 14:09, I.S. ka komunikuar në telefon me Popeskun dhe kanë bërë këtë bisedë: "Sill i çik ato dokumentat qe kena na ktu". I kalon një person tjetër i cili thotë: "Nigjo mua, për tenderin e këpucëve ti duhet të sjellësh komplet dokumentet e noteruara, ti dhe ai tjetri qe ka fituar atë lotin tjetër".***Nga përgjimet e fshehta fotografike rezulton se, pas kësaj bisede, telefonike I.S. takohet me Popeskun dhe më pas Popesku takohet me Muratin. Më 5 tetor, ora 12:58, shtetasi P.D. (që e thërrasin V.) i ka dërguar I.S.-së një mesazh në celular me përmbajtje: "I. jam V. Njoftim fituesi doli,me merr kur të hapësh telefonin". Gjatë datës 8 tetor I.S. ka komunikuar disa herë me Popeskun duke i kërkuar që të ndërhyjë për të shpejtuar dërgimin e fituesit për shpallje në APP të paktën për shoqërinë e tij ndërsa Redi pas disa telefonatash i ka thënë se kjo gjë do bëhej të hënën tjetër. Nga informacioni i paraqitur nga policia gjyqësore më datë 7 tetor rezulton se në këtë kohë DPZHPP kishte klasifikuar fituesit sipas loteve dhe se rezultatet përputheshin tërësisht me marrëveshjen paraprake për ndarjen e shoqërive fituese sipas loteve përkatëse. Gjatë gjithë kësaj kohe I.S. është interesuar në vazhdimësi për arsyet e mos shpalljes së fituesve nga ana e Agjencisë së Prokurimit Publik. Ai ka komunikuar me shtetasin P.T. (i cili punon në zyrën e Avokatit të Prokurimeve) si dhe me Popeskun. Në bisedën e zhvilluar më 16 tetor, ora 08:52, I.S., i nervozuar për zvarritjen, i thotë Popeskut se çfarë do bëjë ai miku i tij (Bujari). Pasi ai thotë: "mirë, mirë dhe se u bënë 2 muaj që ai u thotë mirë dhe nuk po bën asgjë", Redi i thotë se do ta bisedojë ai këtë punë. Pas rreth gjysmë ore Redi i dërgon një sms Muratit ku e pyet nëse do i japë një kafe dhe ky i përgjigjet më vonë pasi kishte punë. Në orën 11:09 Redi e merr I.S.-në dhe i thotë se çdo gjë është në rregull pasi ai i ka thënë që kjo punë është e bërë. Më 16 tetor në DPZHPP ka shkuar një shkresë nga APP, me të cilën njoftohet kjo drejtori për fillimin e hetimit administrativ për procedurat e tenderit objekt hetimi. I.S. ka filluar të interesohet për arsyet e hetimit administrativ. Ai është takuar më 17 tetor me Popeskun dhe Muratin; Ka komunikuar në telefon me Gjergjefin për të folur me një jurist të quajtur Tani, si dhe i ka kërkuar Popeskut të ndërhyjë tek drejtuesja e APP, pasi, sipas I.S-së "ai ka marrë informacione për një person që nuk i ka qejf ata", dhe mund t'u nxjerrë pengesa. Po kështu, Berberi ka komunikuar me I.S. dhe i ka shprehur shqetësimin e tij për hetimin administrativ të filluar edhe për shkak të pezullimit të procedurave të mëtejshme të prokurimit të vendosur për këtë qëllim dhe i ka thënë shtetasit E.F. (drejtor i drejtorisë teknike) se ka folur me përfaqësuesin e një shoqërie, dhe e ka sharë për shkak se ai ka bërë ankim në APP. Më 28 tetor APP ka vendosur anulimin e procedurës së prokurimit të fondeve publike objekt hetimi në këtë procedim penal. Ky vendim i është dërguar DPZHPP dhe për dijeni operatorit ekonomik që kishte bërë ankesën. Pas këtij vendimi I.S., i cili ka qenë larguar jashtë shtetit, është kthyer në datën 3 nëntor dhe është interesuar për të marrë vesh arsyet e anulimit të procedurës si dhe ka komunikuar me Muratin, Popeskun dhe P.T. për këtë qëllim. Më 4 nëntor, ora 11:29, I.S. ka komunikuar me Popeskun dhe ky i fundit, i ka thënë që të mos shqetësohej se është kthyer edhe një procedurë tjetër veç asaj që interesohen ata dhe se po merret ai me këtë punë. Gjithashtu, më 4 nëntor ora 11:09, dhe ora 11:57, I.S. ka biseduar me P.T. (i cili punon te AvPP), i cili e ka këshilluar si të plotësojë një ankesë kundër vendimit të anulimit të procedurës dhe më pas ka dalë dhe e ka pritur në ambientet e zyrës. Po kështu, më 5 nëntor, ora 10:55, I.S. ka biseduar në telefon me Muratin dhe e kanë lënë të takohen pasdite, për shkak se Bujari i ka thënë se ishte i zënë në punë. Po kështu, në Buletinin e APP të 5 tetorit është publikuar njoftimi i fituesit të procedurës së prokurimit me objekt "Blerje këpuce". Data e zhvillimit të tenderit ka qenë 9 shtator dhe klasifikimi i fituesve është:Loti 1: Blerje këpuce për Ministrinë e Mbrojtjes Aparati. Fitues "Euro 2001", i cili ka ofertuar me vlerën 20.287.000 lekë pa TVSHLoti 2: Blerje këpuce për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.Fitues "Euro 2001", i cili ka ofertuar me vlerën 5.639.600 lekë pa TVSHLoti 3: Blerje këpuce për Garden e Republikës. Fitues "Euro 2001", i cili ka bere oferte me vlerën 3.316.500 lekë pa TVSH.Loti 4: Blerje këpuce për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Fitues "Elas", i cili ka ofertuar me vlerën 12.932.600 lekë pa TVSH.Loti 5: Blerje këpuce për Spitalin Psikiatrik Elbasan. Fitues "Euro 2001", i cili ka ofertuar me vlerën 1.082.000 lekë pa TVSH.Nga hetimet ka rezultuar se I.S. ka komunikuar në vazhdimësi me Tahir Imamin, i cili kryen funksionin e specialistit të prokurimeve në Gardën e Republikës. Kështu më 23 dhe 26 tetor ata kanë komunikuar shpesh me njëri-tjetrin për çështjen e një autorizimi që duhet t'i shkonte Imamit dhe për të cilin I.S. ishte i interesuar. Imami ka shkuar dhe ka takuar në DPZHPP një shtetas të quajtur E. për t'a pyetur për këtë gjë. Më 27 tetor ata janë takuar me njëri-tjetrin dhe me G.ç. drejtor teknik në DPZHPP. Po kështu, gjatë një bisede që I.S. bën me Popeskun më 27 tetor ora 19:44, I.S. i thotë se do shkonte Imami me një person të quajtur T. i cili do i ndihmonte. Redi e këshillon të mos japë asnjë lek paradhënie por t'i japë lekët vetëm në fund, kur të mbarojë puna. Më 27 tetor ora 10:23, shtetasi Imami i ka dërguar një sms I.S. ku i uron t'i ketë zgjidhur problemet dhe e pyet nëse do takohen atë ditë apo jo. Në orën 11:20, I.S. flet me një shtetase 06927..., të cilës i thotë se po shkon në Tiranë se duhet të çojë lekët te ai burri. Në orën 13:21, I.S. merr në telefon Imamin dhe i thotë se po hynte në Tiranë duke e pyetur se ku do takoheshin.vijon nesërTë akuzuarit e skandalit1. Bujar Murati, Drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit të procedurave të Përqendruara të Prokurimit pranë Ministrisë së Brendshme (arrest me burg)2. Redi Popescu, specialist në Ministrinë e Integrimit, (arrest me burg)3. Tahir Imami, Shef i Programimit të Prokurimeve në Gardën e Republikës, (arrest me burg)4. Artan Berberi, pronar i Kompanisë MALBERTEX shpk. (arrest shtëpie)5. Jani Gjergjefi, pronar i Kompanisë GJERGJEFI shpk.6. Agur Sadiku, "arrest shtëpie", pronar i Kompanisë SADIKU shpk (arrest shtëpie)Nesër do lexoni• Dorëzimi i qeses me para tek shefi i prokurimeve të Gardës së Republikës në afërsi të Qendrës së Tiranës• Pakti i tre biznesmenëve për të paguar shumën e rryshfetit për pjesën e mbetur të loteve të tenderit me vlerë 175 milionë lekë