“Do paguajmë çdo qindarkë”
Adi ShkembiKryeministri Sali Berisha premtoi dje kompensim deri në qindarkën e fundit, për të gjithë banorët e përmbytur në Shkodër dhe Lezhë nga reshjet e ditëve të fundit. Gjatë një konference për shtyp në mesditë dhe pasdite në mbledhjen e qeverisë, kreu i ekzekutivit u shpreh se të prekurit nga përmbytjet në veri nuk do të kenë të njëjtin fat me qytetarët e Tiranës, që u përmbytën pas hapjes së një porte të liqenit artificial. “Dua t’u deklaroj edhe njëherë, ndonëse ata më besojnë mua, qytetarëve të Dajçit, Obotit, Bushatit se do të kompensohen qindarkë për qindarkë për çdo humbje dhe nuk do të kenë kurrë fatin e qytetarëve të Tiranës, që i lau dhe shpëlau diga dhe nuk u dha kush një qindarkë. Kjo nuk mund të ndodhë”, u shpreh Berisha. Sipas tij, “qeveria ime ka mbështetur dhe do të mbështesë, - e ka faktuar dhe do ta faktojë - çdo qytetar që pëson nga faktorë madhorë, në raste të tjera dhe jo madhorë. Por në rastin konkret ligji i digave, që në Tiranë u bë letër pa vlerë, atje do të jetë ‘omni potent’, do të zbatohet me përpikmëri. Ligji i digave njeh përgjegjës poseduesin e digës për të gjitha pasojat që rrjedhin nga diga. Jam këtu për të garantuar qytetarët e këtyre zonave dhe të çdo zone kudo që ndodhen se ky ligj do të zbatohet me rigorozitetin më të plotë. E shkuara nuk mund të përsëritet”.SiguriaKryeministri i kërkoi Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile të hapë një numër llogarie që qytetarët dhe bizneset të ndihmojnë familjet e prekura nga përmbytjet. Me këtë rast Berisha tha se një rrogë mujore e tij do të shkojë për këto familje. “Dua të falënderoj me mirënjohje qindra qytetarë të thjeshtë, biznesmenë, drejtues dhe qeveritarë vendorë, të cilët kanë shprehur vullnetin e tyre për të kontribuar në mënyra nga më të ndryshmet, në mbështetje të banorëve të zonave të përmbytura. Ky solidaritet dhe kjo mbështetje është jashtëzakonisht e çmuar, ndaj unë ftoj komitetin të hapë një numër llogarie, në të cilën të vendosë dhe një pagë të Kryeministrit si kontribut modest për këto zona”, theksoi më tej Berisha. Në të njëjtën kohë kryeministri akuzoi, ndonëse jo drejtpërdrejtë, përfaqësuesit e opozitës për përhapjen e panikut në radhët e qytetarëve. “Në qytetin e Shkodrës, në Baçallëk ka një përmbytje të rreth 300 banesave. Në tërësi qytetarët kanë pranuar evakuimin, por, krahas kësaj, ka pasur edhe të pafytyrë e të pamoralë, që janë përpjekur të shqetësojnë qytetin dhe që, sipas të gjitha të dhënave, për qëllime të ulëta politike. Unë dua të garantoj qytetarët e Shkodrës se sistemi i digave të këtij vendi është në sigurinë më të plotë. Por edhe dua t’u rikujtoj atyre dhe mbarë shqiptarëve se shkarkimet e deritanishme, edhe ato më kulmoret, nuk janë as gjysma e më kulmoreve të vitit 2004", vlerësoi kreu i ekzekutivit. Berisha u kërkoi sërish banorëve të zonave të prekura nga përmbytjet që të pranojnë të avakuohen për të mos rrezikuar jetën për shkak të rritjes së prurjeve nga lumenjtë dhe liqenet. “Dua t’u adresoj thirrjen time më miqësore atyre që akoma qëndrojnë në zonën e Obotit, Anë e Malit, në Dajç, në zonën e Bushatit, mjaft e mundshme dhe e rrezikuar nga përmbytja, që të evakuohen nga shtëpitë e tyre, duke ndihmuar kështu aktivisht që një situatë realisht e kërcënuese ta bëjnë plotësisht të padëmshme për sa i përket jetëve njerëzore, janë pakrahasimisht më të kushtueshme”, bëri të ditur kryeministri. Në fund ai kërkoi një studim të lumit të Bunës. Masat e komitetit te emergjencesKufizimi i rrugëve me shirita tregues për zonat e përmbyturaVazhdimi i punimeve me mjete te rënda për forcimin e argjinaturave të Dajçit dhe çasit(Velipojë)Kontrolli dhe monitorimi me praninë e ushtrisë, Policisë dhe të FNSH-së së zonave të përmbyturaU vendos që të krijohen hallkat e ndërlidhjes me përfaqësues nga të gjitha njësitë vendore të rrezikuara, të prefektit, të policisë dhe të ushtrisë, të cilët në bashkëveprim me njëri-tjetrin do të organizojnë operacionet e evakuimit në të gjitha zonat problematike.U la detyrë që në zonat e rrezikuara të mos lejohet futja e personave që nuk kanë leje të posaçme nga strukturat ushtarake, të cilat kontrollojnë këto zona.