E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja procedurat për shtëpitë e lira

• Qeveria ka miratuar dje procedurat që duhet të ndjekin familjet me të ardhura të ulëta, për të blerë banesa me kosto të ulët.Fabiola ÇelaKëto banesa blihen nga qeveria për t'ju shitur më pas familjeve të ardhurat e të cilave variojnë nga 9 mijë e deri në 20 mijë lekë për frymë. Ndërkohë bashkitë do të jenë ato që do të hartojnë edhe listën e familjeve përfituese. Sipas vendimit të miratuar dje nga qeveria personi që ka emrin në listën e hartuar nga bashkia ka tre muaj kohë për të gjetur banesën në treg. Por për arsye të veçanta ky afat mund të shtyhet edhe tre muaj. Pas skadimit të këtij afati strukturat që zbatojnë programin shpallin njoftimin publik për blerjen e apartamenteve në treg. Sipas vendimit të miratuar dje nga qeveria blerja e banesave më treg realizohet në ato qytete ku ka më shumë leverdi ekonomike blerja nga tregu pasi çmimet e tregut janë më të ulëta se sa ndërtimi i një banese të re. Projektvendimi përcakton se blerja e banesave në treg bëhet bazuar në çmimin kufi i cili përcaktohet si mesatare e çmimit të shitblerjes së banesave në treg duke iu referuar vlerave që miratohen çdo vit me udhëzim të Këshillit të Ministrave së bashku me koston mesatare të ndërtimit të banesave. Por në rastin kur programi zbatohet nga bashkitë këto të fundit i referohen vlerës kufi të miratuar nga KM dhe brenda këtij kufiri mund të miratojnë çmimet kufi për zona të ndryshme të qytetit. Për përzgjedhjen e banesës në treg vendimi i miratuar nga qeveria parashikon angazhimin e personit të interesuar, i cili është miratuar nga Këshilli bashkiak për t'i trajtuar me strehim. Në fakt nisur nga eksperiencat e kaluara ka rezultuar se angazhimi i vetë personit të interesuar në gjetjen e banesës në treg është më efecient se sa angazhimi i strukturave të administratës. Ndërkohë që personi i interesuar do të marrë informacionin e duhur nga strukturat përkatëse mbi kushtet që duhet të plotësojë banesa si dhe kufirin limit të blerjes.Bode: Këtë vit nis ndërtimi i banesave sociale Brenda këtij viti do të nisë ndërtimi i banesave sociale në tetë bashki të vendit. Ministri i Financave Ridvan Bode ka nënshkruar dje marrëveshjen për kredi prej 25.3 milionë euro që do t'i jepen 8 bashkive për zbatimin e projektit "Ndërtimi i banesave me qëllim social". Kredia është dhënë nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës dhe nënhuazohet për bashkitë nga qeveria shqiptare. Përfitues të kësaj kredie janë bashkitë e Tiranës, Durrësit, Korçës, Elbasanit, Peshkopisë, Beratit dhe Kavajës. "Në kuadër të thellimit të decentralizimit që ka ndërmarrë Qeveria Qendrore, ky projekt prej rreth 25 milionë euro, do të menaxhohet nga bashkitë, duke filluar që nga ky vit për ndërtimin e banesave sociale", tha ministri Bode, i cili njoftoi se me këtë fond do të ndërtohen 1150 banesa. Kushtet me të cilat jepen fondet janë mjaft lehtësuese për bashkitë, të cilat marrin përsipër të shlyejnë vetëm principalin e kredisë. Interesat dhe komisionet e tjera të përcaktuara në marrëveshjen e kredisë, do të përballohen nga Ministria e Financave. Ndërkohë për disa bashki të cilat janë me aftësi të pamjaftueshme financiare, si Bashkia e Elbasanit, Fierit, Kavajës, Beratit dhe Peshkopisë, Qeveria Qendrore merr pjesë edhe në financimin e kostos lokale të projektit (përjashtuar TVSH).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›