Vendimi, qeveria shkurton 1866 buxhetorë
• Qeveria ka marrë vendim për të shkarkuar 1866 punonjës të administratës shtetërore.Në mbledhjen e djeshme të ekzekutivit u miratua një propozim i Ministrisë së Financave për një ndryshim në numrin e punonjësve të administratës. Kështu në buxhetin e vitit 2008 ishte parashikuar që numri maksimal i punonjësve në administratë të ishte 107 mijë. "Numri maksimal i punonjësve buxhetorë më 1 janar 2008, sipas të cilit, është përgatitur buxheti i shtetit i vitit 2008, është 107 000 veta. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të përcaktojë numrin e punonjësve buxhetorë për çdo ministri dhe institucion qendror, me përjashtim të numrit të punonjësve të institucioneve të pavarura, që përcaktohen në tabelën 1/1, që i bashkëlidhet këtij ligji", thuhet në ligjin e Buxhetit të miratuar në fund të vitit të kaluar në Parlament. Por në mbledhjen e djeshme të qeverisë, është miratuar vendimi i cili shkurton me 1866 punonjës në administratën shtetërore. "Numri i punonjësve buxhetorë, në vitin 2008 për ministritë dhe institucionet qendrore, është 105 134 veta, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi më 1 janar 2008", thuhet në vendimin e miratuar dje. Burime pranë mbledhjes së qeverisë bëjnë të ditur se, shumica e ministrave ka kërkuar shtim të punonjësve në dikasteret e tyre, por janë përballur me qëndrimin e kryeministrit për të mos rritur në asnjë mënyrë numrin e punonjësve. "Nuk dua administratë të fryrë", mësohet t'u jetë drejtuar kreu i qeverisë ministrave. a.sh