Ja pse vendimi i Kolegjit nuk mund të ankimohet. Procesi zgjedhor në Tiranë është mbyllur

Ligji i njeh ekskluzivitetin këtij organi të drejtësisë të japë vendimin në raport me paditë e forcave politike. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë dhe si i tillë ai s’mund të ankimohet. Veprimtaria dhe baza ligjore mbi të cilat vepron Kolegji, është Kodi Zgjedhor dhe Kodi i Procedurës Civile. Kolegji Zgjedhor përbëhet nga 8 gjyqtarë të cilët u përzgjodhën me short nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Partitë politike kanë patur të drejtën që të mos jepnin pëlqimin e tyre mbi gjyqtarët e përzgjedhur përmes shortit. Duhet theksuar se anëtarët aktualë të Kolegjit morën “Ok” nga 2 partitë politike kryesore në vend, Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste. Ligji saktëson se një çështje shqyrtohet nga 5 gjyqtarë, ku relatori i çështjes kryeson këtë trupë gjykuese. Sipas ligjit palët në procesin e shqyrtimit gjyqësor të kërkesë padisë kanë të gjitha të gjitha të drejtat procedurale që parashikohen në Kodin e Procedurës Civile, përveç rastit kur parashikohet ndryshe në Kodin Zgjedhor. Provat e administruara nga KQZ-ja gjatë shqyrtimit administrativ sillen prej saj në gjykim, pavarësisht nga kërkesat e palëve për to. Në ligj theksohet fakti se mungesa e njërës palë gjatë procesit nuk përbën pengesë për vazhdimin e gjykimit nga ana e Kolegjit Zgjedhor, përveç rastit kur Kolegji vendos ndryshe. Kolegji Zgjedhor gjykon dhe vendos për kërkesë paditë brenda 10 ditëve nga momenti i depozitimit të kërkesë padisë. Në nenin 158 të Kodit Zgjedhor thuhet se në varësi nga çështjet në shqyrtim Kolegji Zgjedhor vendos: Pushimin e Gjykimit; Gjykimit e Çështjes në themel; Ose detyrimin e KQZ-së për të marr vendim. Pushimi i gjykimit vendoset kur Kolegji Zgjedhor konstaton se ankimimi është paraqitur jashtë afateve të përcaktuara në këtë kod ose për mungesë kompetence. Me gjykimin e çështjes në themel, Kolegji vendos pranimin e plotë ose të pjesshëm të padisë apo rrëzimin e plotë apo të pjesshëm të saj. Kur Kolegji Zgjedhor vendos detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim, cakton afat të prerë për marrjen e vendimit jo më gjatë se 10 ditë.
Ligji përcakton qartë se vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk bëhet ankim.
Kolegji Zgjedhor është i detyruar të zbardhë vendimin jo më vonë se 3 ditë nga data e dhënies së tij.