Ja shifrat që tregojnë se Shqipëria e Berishës është e varur nga Serbia
Energjia elektrike konsiderohet si mall strategjik për ekonominë dhe vetë vendin, sigurinë kombëtare gjithashtu!
Numrat e importit të energjisë elektrike për muajt e krizës së fundvitit që shkoi dhe këtij fillim viti, tregojnë varësinë tonë energjetike në kohë krize, prej kompanive serbe.
FAKTE
1. Në shtator 2011, KESH importoi-bleu 6.5 milion Euro energji; 6.1 milion Euro i importoi-bleu nga GEN I, RUDNAP, EFT (Serbi të treja), pra 93% të importit u krye nga kompani serbe.
2. Në tetor 2011, KESH importoi-bleu 6.6 milion Euro energji; 5.2 milion Euro i importoi-bleu nga GEN I, RUDNAP, EFT (Serbi të treja), pra 78% të importit u krye nga kompani serbe.
3. Në nëntor 2011, KESH importoi-bleu 22.8 milion Euro energji; 19 milion Euro i importoi-bleu nga GEN I, RUDNAP, EFT (Serbi të treja), pra 83% të importit u krye nga kompani serbe.
4. Në dhjetor 2011, KESH importoi-bleu 37 milion Euro energji; 27.2 milion Euro i importoi-bleu nga GEN I, EFT (Serbi të treja), pra 73% të importit u krye nga kompani serbe.
5. Ne janar 2012, KESH importoi-bleu 14.3 milion Euro energji; 13.3 milion Euro i importoi-bleu nga GEN I, RUDNAP, EFT (Serbi të treja), pra 93% të importit u krye nga kompani serbe.
Në total, në 5 muajt e krizës, KESH-i i administrat nga qeveria e Sali Berishës, importoi- bleu 96.4 milion euro energji. Nga këto, 71 milion euro ose 82 përqind iu pagua vetëm 3 kompanive serbe.
U ndala vetëm tek KESH për shkak se është ende kompani publike dhe administron asete dhe para publike.
Numrat dëshmojnë varësinë tonë nga kompanitë serbe të energjisë. Veçmas në kohë krize!
Natyrisht, krizat e energjisë në këtë vend po përsëriten. Jo vetëm për shkak të motit të thatë. Por mbi të gjitha:
- për shkak të mungesës së parashikueshmerisë, analizës e planeve strategjike për të përballuar me sa më pak kosto furnizimin me energji elektrike;
- për shkak të dështimit spektakolar në ndërtimin e veprave të reja energjetike që do të shtonin fuqinë tonë energjetike dhe do të rrisnin prodhimin e energjisë në vend;
-për shkak të vonesave në ndërtimin e linjave të reja të interkonjeksionit, të cilat do të rrisnin kapacitetet tona të transmetimit.
Këto dështime, shpesh të qëllimshme, kanë favorizuar importin. Janë miliona euro që ne ju kemi paguar kompanive serbe në 7 vitet e fundit. Praktikisht,ne shqiptarët i kemi rritur kompanitë serbe me paratë tona, me paratë e shqiptarëve. Paaftësia dhe korrupsioni, mungesa e konkurrencës në tregun e importit të energjisë, po cenojnë sigurinë kombëtare në Shqipëri!
