E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata për president, Nano takon Metën: Partia e tij është për integrimin dhe unë nga aty do e filloj

Share

(E PERDITESUAR)- Sa të vështirë e ka Fatos Nano tani që duhet të bëjë komplimente për çdo parti politike, për çdo drejtues që do takojë në kuadër të fushatës që ka nisur për tu zgjedhur president. Vështirë do e ketë po ashtu edhe të mos thotë asgjë, por ta mbajë mirë me të gjithë.

Për rreth dy orë, Fatos Nano u takua në hotel Rogner me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. E meqë takimi u mor vesh nga mediat, për Fatos Nanon kjo është transparencë.

Pas takimit, Nano doli e foli përpara gazetarëve me fjalitë e tij të gjata, të lodhshme e shpesh pa ndonjë thelb. Ai përsëriti sërish se një politikë më konsensuale dhe më e arsyetuar do nxiste integrimin e vendit. I pyetur nga gazetarët se a mori mbështetjen e Metës, Nano tha: Unë në moshën tuaj nuk do isha kaq e paduruar për një proces që politika shqiptare e gatuan me maturi e dinjitet. Megjithatë Nano e ruajti veten dhe nuk rrëshqiti në ironinë e batutat që bën sa herë del. I pyetur për faktin se Berisha nuk pranoi të komentonte për kandidaturën e tij, Nano tha se Berisha bën mirë që nuk sposton axhendën e tij.

Në fund, ai i bëri një kompliment njeriut, i cili që kur ka hyrë në qeveri vetëm sa ka bllokuar procesin e integrimit. Na lidh një histori e gjatë bashkëjetese me Metën. Partia e tij është Lëvizja për Integrim dhe unë nga integrimi do e filloj, tha Nano.

Ai u shpreh se pret që në fillim të javës të takohet me Edi Ramën. Pasi shpalli zyrtarisht ditën e djeshme kandidaturën për presidentin e ardhshëm, Fatos Nano ka nisur takimet për fushatën e tij. Berisha gjatë ditës së sotme deklaroi se mazhoranca do ta zgjedhë nga radhët e veta kandidatin për president, ndërkohë që Rama ka lënë të kuptohet gjithë këtë kohë, se PS nuk do ta kandidojë Fatos Nanon.

I vetmi që mund ta propozojë Nanon për president është pikërisht Ilir Meta, me të cilin deri disa kohë më parë kanë shkëmbyer akuza të ashpra. Madje, në 2007-n, disa deputetë të LSI-së, kanë qenë ata që kanë kundërshtuar më ashpër zgjedhjen e Nanos si president.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›