E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siguria kombëtare, Berisha kërkon reforma

Autori i Lajmit: red.
Është koha për një koncept të ri për rritjen e sigurisë në vend. Kështu pohoi kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionin ndërministror të Sigurisë. Sipas tij, tragjedia e Gërdecit ishte një dështim i këtyre strukturave prandaj është shumë e rëndësishme rishikimi i legjislacionit të tyre. Kryeministri kritikoi mungesën e koordinimit ndërmjet Shërbimit Informativ Shtetëror dhe institucioneve të ndryshme, përfshi këtu disa ministri dhe disa inspektorate, për të arritur shkallën më të lartë të sigurisë në vend. Ai propozoi gjithashtu ngritjen e një departamenti për agjencitë e ndryshme, që do kordinojë punën e agjentëve.
Mbledhja
“Ne kemi hyrë në një stad të ri, në të cilin duhet të rishqyrtojmë të gjitha institucionet e sigurisë së vendit dhe duhet të arrimë që këto institucione të zhvillojnë një koncept të ri sigurie, dhe jo ta mendojnë atë vetëm si atribut të shërbimeve inteligjente dhe policisë”, - tha dje Berisha. Sipas tij, ajo që ndodhi në Gërdec është një ngjarje tepër e hidhur prandaj duhet të shqyrtohet siguria në të gjitha dimensionet e saj. Kjo sipas Kryeministrit duhet të nisë nga digat e rezervuarit, standardet e ushqimeve, vendvendosja e depove, transporti i mallrave me rrezik, etj. Sipas tij, një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm është bashkërendimi i punës së këtyre institucioneve. “Taksapaguesit shqiptarë nuk paguajnë pak për nëpunësit që merren me sigurinë e tyre, ndoshta paguajnë më shumë se për çdo sektor tjetër. Paratë e tyre shkojnë në këto drejtime, por eficensa e tyre është ende larg”, - tha numri një i qeverisë. Ai theksoi më tej se po kaq e rëndësishme është bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe për këtë ndoshta do të jetë i domosdoshëm rishqyrtimi i ligjit të këtyre shërbimeve çka duhet të bëhet në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme. Sipas Berishës, shpesh ka mospërputhje ndërmjet informacioneve të shumta që sjell shërbimi inteligjent dhe verifikimeve të policisë prandaj është i rëndësishëm kordinimi dhe përcaktimi i kompetencave të reja për shërbimin e inteligjencës. “Mendoj se në interes të sigurisë së vendit shërbimi ynë inteligjent ka nevojë për disa ridimensionime të ligjit të tij, duke pasur parasysh vetëm ligjet e vendeve më demokratike”, - theksoi Berisha. Ai sqaroi më tej se duhet bashkëveprim me shërbimin ushtarak, por dhe me shërbimin e policisë. Berisha rezervoi kritika dhe për Ministrinë e Financave, e cila, sipas tij, i ka pothuajse inekzistente shërbimet inteligjente të doganave dhe tatimeve. Ndërkohë që kërkoi një statut të veçantë për informatorët. Kryeministri informoi se pranë Këshillit të Ministrave do të krijohet një departament që do të koordinojnë punën e të gjithë agjencive që merren me problemin e sigurisë, ku përfshihen SHISH, Garda e Republikës, Policia, tatimet, doganat, Shërbimi i Ushtrisë, Policia Ushtarake dhe inspektorate të tjera.
Ky lajm është publikuar: 05/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›