E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: “Shumë shpejt Mediu pa imunitet”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Do të hiqet imuniteti i Mediut, pavarësisht se si do të jetë raporti, ka ardhur dosja tjetër për deputetin Paturri, ndoshta është në rrugë një tjetër dosje. Kjo do të thotë që menjëherë, edhe opozita uroj të fillojë punën në nënkomisionin e ligjeve, për të sjellë në komisionet e tjera dhe më pas në seancë plenare, ligjin për kufizimin e imunitetit”

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli premton se shumë shpejt Kuvendi do të heqë imunitetin e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Ajo pohoi gjithashtu se do të punohet edhe rreth projektligjit për imunitetet, i cili do të përfshijë heqjen e imunitetit, në rast se kjo kërkohet nga prokuroria, për të gjithë personat që e gëzojnë atë, prokurorë, gjyqtarë, deputetë etj. Komentet e Topallit vijnë një ditë pas deklaratës së ambasadorit amerikan në Tiranë, Xhon Uithers, i cili kërkoi hetime të plota për tragjedinë e Gërdecit. Në takimin me kryeprokuroren Ina Rama, ambasadori Uithers kërkoi gjithashtu që Kuvendi të trajtojë sa më shpejt çështjen e imunitetit. E pyetur dhe rreth deklaratave të opozitës për mocion shkarkimi ndaj saj, kryeparlamentarja tha vetëm se kjo punë nuk funksionon me ultimatume. Ajo theksoi se Parlamenti funksionon mbi bazën e një rregulloreje dhe Kushtetutës ashtu siç funksionon çdo institucion dhe kjo duhet respektuar.
Deklarata
Topalli pohoi dje se hetimi për Gërdecin duhet të jetë i paanshëm dhe i gjithashëm, i bazuar në fakte dhe në prova. “Parlamenti është i vendosur për të hequr imunitetin. Kjo është përsëritur disa herë dhe do të ndodhë shumë shpejt. Këshilli i Rregullores ka filluar punën për raportin”, - pohoi dje Topalli. Ajo tha se ndërkohë që hartohet raporti do të vijnë edhe dokumentet shtesë që deputetët, anëtarë të Këshillit, kanë kërkuar. Por kryeparlmentarja theksoi se është shumë e rëndësishme që të shkohet në thelbin e çështjes prandaj për Parlamentin çështja më e rëndësishme është të kalojë ligjin për kufizimin e imunitetit, për të gjithë deputetët. “Do hiqet imuniteti i Mediut, pavarësisht se si do të jetë raporti, ka ardhur dosja tjetër për deputetin Paturri, ndoshta është në rrugë një tjetër dosje. Pra unë mendoj se duhet t i shkojmë problemit në rrënjë. Kjo do të thotë që menjëherë, edhe opozita uroj të fillojë punën në nënkomisionin e ligjeve, për të sjellë në komisionet e tjera dhe më pas në seancë plenare, ligjin për kufizimin e imunitetit, por jo vetëm të imunitetit të deputetëve, por të gjyqtarëve dhe të gjithë atyre që kanë imunitetet”, - u shpreh ajo. Lidhur me dokumentet shtesë të këruara prej saj për çështjen e imunitetit të Mediut, Topalli pohoi se Parlamenti funksionon përmes një rregulloreje, e cila është për t u zbatuar dhe për t u respektuar nga të gjithë. Ajo theksoi se insititucionet duhet të respektojnë Parlamentin ashtu si Parlamenti respekton institucionet e tjera në të gjithë pavarësinë e tyre. Topalli duke mos marrë parasysh afatet e caktuara nga PS, tha se kjo nuk ka lidhje me ultimatumet. “Unë besoj se do të kalojë shumë shpejt. Do të hiqet imuniteti, pavarësisht nga ajo që do të ketë raporti, gjë të cilën unë nuk e di, sepse anëtarët e këtij Këshilli sapo kanë filluar punën për të përgatitur këtë raport”, - përfundoi kryeparlamentarja. Ndërkaq dy ditë më parë, ambasadori amerikan në Shqipëri, Xhon Uithers, pas një takimi me kryeprokuroren Ina Rama kërkoi hetim të paanshëm dhe të pandikuar për çështjen e Gërdecit, ndërsa nga Parlamenti kërkoi trajtimin e menjëhershëm të çështjes së imunitetit. “Është detyra kushtetuese e Prokurores së Përgjithshme, dhe jo ajo e ndonjë organi tjetër të qeverisjes, që të kryejë punën e saj pa pasur ndërhyrje. Që të ndodhë kjo, është e domosdoshme që Parlamenti të trajtojë në mënyrë të menjëhershme çështjen e imunitetit parlamentar”, - ka theksuar Uithers.
Ky lajm është publikuar: 05/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›