E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja si përfunduan shokët e Bale

Kur Gareth Bale ishte 14 vjeç, “Playstation” organizoi një kompeticion, ku mori pjesë edhe skuadra e shkollës së uellsianit, Whitchurch. Një foto e rrallë tregon ekipin që ka marrë pjesë, mes të cilëve është edhe ylli i ri i Real Madridit.

Në fakt, shokët e tij kanë kujtuar nivelin futbollistik të Garetit dhe pranojnë se nuk u ka lënë mbresa. Po ja që të gjithë tashmë bëjnë punë nga më të rëndomtat, shumë larg ëndrrës për të qenë futbollistë profesionistë. “Në atë kohë, të gjithë më thoshin që unë isha më i mirë se Bale dhe do bëhesha një futbollist i madh. Mirëpo tani nuk mendoj se do e thonë akoma”, – ka deklaruar Liam Palmer, i cili tashmë është një futbollist gjysmëprofesionist, që paguhet 35 euro për çdo ndeshje me ekipin e tij Lanuern, ndërkohë që punon si shitës i pajisjeve elektrike. Joe Jones, një tjetër pjesëtar i atij ekipi, tashmë punon si mësues gjeografie: “Shifra e transferimit është barbare. Shumë shtete do ushqeheshin për gjithë vitin me aq para”. Chris Bodi përfundoi universitetin dhe tani punon kamerier në një restorant. Richard Tatam tani është trajner në një ekip në New York: “Kujtimi i parë që kam nga Baza (ashtu e thërrisnin miqtë) është një gol i shkëlqyer që ka bërë kur ishte 10 vjeç, duke goditur topin fluturimthi. Unë mendoj se ai ka karakteristikat për qenë një sulmues i shkëlqyer dhe jo një mesfushor krahu”.

Ndërkohë, portieri Chris Holokomb kujton një tjetër moment të shoqërisë së tyre: “Para një ndeshjeje m’u grisën dorezat. Gareth më dha një palë të tijat, të një marke mjaft të mirë. Ishte një djalë me këmbë në tokë dhe bënte gjithçka për shokët e skuadrës. Stërvitej jashtë mase dhe e meriton të jetë aty”. Sam Warton, pjesëtar gjithashtu i atij ekipi, është i vetmi që arriti të shkëlqejë në sport, por si lojtar regbie: “Ishte shumë i përkushtuar dhe jepte maksimumin. Nuk ka qenë një mrekulli apo talent i rrallë, siç pretendoni ju, por gjithsesi ka qenë një futbollist që binte në sy”. Ndërsa shoku më i ngushtë i mesfushorit të Real Madridit, Jimie Clarck, tashmë luan futboll në parkun e qytetit. Ndër të paktit që ka arritur të ketë një profesion më të kënaqshëm është Alex Mancuso, i cili punon si financier në Cardiff.

Ekipi i Whiitchurchit, ku bënte pjesë edhe lojtari më i shtrenjtë i historisë së futbollit, tashmë është thjesht një kujtim i bukur për pjesën më të madhe të tyre, edhe pse kanë probleme të mëdha financiare, diçka për të cilën vetëm Gareth nuk mund të shqetësohet./indeksonline/ 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›