E Diel, 1 Nëntor 2026

Elise, gjeniu 2-vjeçar inteligjente sa Anjshtajni

Elise ishte vetëm pesëmuajshe kur për herë të parë tha fjalën babi, shtatëmuajshe kur u ngrit në këmbë dhe dhjetëmuajshe kur vraponte. 11-muajshe dinte të thoshte emrin e saj, ndërsa një vjeç e njëmuajshe dinte të numëronte deri në dhjetë. Një vjeç e gjysmë numëronte deri në 20, për më tepër thoshte përmendësh të gjithë alfabetin, dinte shumë poezi përmendësh dhe kryeqytetet e mjaft shteteve të botës. Sot që është 2 vjeçe e katërmuajshe di kryeqytetet e 35 shteteve, di të dallojë trekëndëshat barabrinjës (thotë se kanë tri brinjë të njëjta), ata dy brinjënjëshëm, di të numërojë në spanjisht deri në dhjetë dhe arrin të dallojë pa asnjë problem të gjitha ngjyrat dhe emrat e kafshëve. Kur shoqet e saj nuk i gjejnë dot emrat e kafshëve, Elise i ndihmon pa asnjë problem. Elise Tan Roberts, 28-muajshe e lindur në një familje të thjeshtë punëtorësh në një qytet në pjesën veriore të Londrës, është fëmija më inteligjente e Britanisë së Madhe, sipas asaj që shkruajnë gazetat e gjithë botës. Ka një koeficient inteligjence, siç thuhet në gjuhën shkencore, të barabartë me 156, shumë herë më të lartë se mesatarja, jo ajo e fëmijëve, por ajo e të rriturve që është 100 dhe pak më të ulët se koeficienti i inteligjencës së Albert Anjshtajnit, 160. Me pak fjalë, është një gjeni, një fëmijë jo i zakonshëm. Elise është aq e veçantë sa "Mensa", organizata e themeluar në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1946 për të mbledhur personat më inteligjentë të kombit (për të qenë pjesë e saj duhet të kesh një koeficient inteligjence që vetëm 2 për qind të popullsisë e kanë) e ka pranuar mes anëtarëve të saj, duke bërë një përjashtim nga rregullat: duhet të jesh të paktën 10 vjeç që të pranohesh. Familja e saj përbëhet nga e ëma Luoise, 28 vjeçe dhe i ati Eduard, 34 vjeç. Të dy me ngjyrë, thonë se janë një familje krejtësisht normale. Ajo punon part-time në një kompani transporti mallrash, ndërsa të dielave në një supermarket, ndërsa i ati Eduard merret me makina të përdorura në gjendje të keqe, që i riparon dhe më pas i shet sërish. Asnjë nga të dy prindërit nuk e ka mbaruar universitetin. Mes të afërmve të saj ka mjekë dhe inxhinierë, por asnjë nuk ka koeficient inteligjence kaq të lartë. "Asnjëherë nuk kemi bërë asgjë që ta bëjmë Elisen një fëmijë të tillë. Ajo e ka të dhuruar nga natyra këtë talent", thotë e ëma. "Nuk jemi nga ata lloj prindërish që kur fëmija është ende në djep përpiqemi t‘u mësojmë alfabetin, aritmetikën, ose një gjuhë të huaj. Nuk e kemi bërë të fiksojë konceptet. Më e shumta u përgjigjemi pyetjeve që ajo bën. Dhe në të vërtetë, Elises nuk i mungojë pyetjet. Bën shumë të tilla. Ka një kuriozitet të paparë dhe një kujtesë të jashtëzakonshme". Bashkëshortët Roberts e kishin kuptuar që Elise, që kur ishte shumë e vogël, kishte një aftësi të jashtëzakonshme për t‘u përqendruar për një fëmijë të sapolindur dhe një dëshirë për të mësuar pa kufij. Duke marrë shembullin e Xhorxhia Braunit, që është gjithashtu një anëtare e "Mensa"-s, prindërit kishin menduar prej kohësh t‘i testonin atësitë e saja. Disa javë më parë, duke parë një emision televiziv mbi fëmijët gjeni, të ëmës i kishte ardhur një mendim. Vendosi që ta çonte vajzën e vogël në një psikolog për fëmijët, te profesoresha Joan Freeman, e njëjta që testoi Xhorxhian. Pasi e takoi Elisen, e vuri përballë disa testeve për të llogaritur inteligjencën e saj. Pas një testi që zgjati 45 minuta, të gjithë panë se Elise kishte aftësinë që të mos tregonte asnjë lloj problemi për përgatitjen e tij. Pas kësaj ajo u bë menjëherë anëtarja më e re e "Mensa"-s.

"Ka mendjen e një fëmije sa dyfishi i moshës së saj. Mund të kalojë shumë shpejt nga një klasë në tjetrën në shkollë dhe të tregojë aftësitë e saja të jashtëzakonshme", tregon eksperti. Por prindërit tregojnë se nëse inteligjenca e Elises, kur të jetë më e rritur do të bjerë dhe ajo do të jetë një fëmijë si gjithë të tjerët, krejtësisht normal, prapë do të jenë të kënaqur. "E rëndësishme për ne është që të jetë e lumtur", tregon e ëma.

Elise ka lindur në Londër në dhjetor të vitit 2006. Dashuria e saj për muzikën dhe kërcimin i ka bërë prindërit që ta regjistrojnë për t‘u specializuar në këto fusha. Kështu, ata e kanë shkruar emrin e saj në listën për t‘u bërë pjesë e "Young Actors‘ Theatre", shkollë nga e cila kanë dalë një numë i madh aktorësh të famshëm vendas dhe në "Chickenshed", ku mund të specializohesh në muzikë, balet, imitim dhe kërcim. Një nga keqardhjet e tyre më të mëdha është se asnjë nga shkollat që ata kanë kontaktuar nuk kanë dashur të bëjnë asnjë veprim me Elisen, të paktën sa të mbushë katër vjeçe e gjysmë. Pra, çfarë e ardhme e pret? Një prej anëtarëve të "Mensa"-s tregon: "Nëse ka fatin që të pranohet herët në shkollë ku të stërvitet dhe t‘i jepet kurajë, ajo do të vazhdojë të mësojë dhe të perfeksionohet akoma më tepër, duke u bërë dikush në të ardhmen".

Anëtaret e reja të "Mensa"-s

Xhorxhia është një tjetër anëtare e "Mensa"-s, që me koeficientin 152 u pranua në këtë organizatë që në moshën 2 vjeçe. Ecte këmbadoras që pesëmuajshe, nëntëmuajshe ecte shumë mirë, 14-muajshe filloi të vishej vetë, ndërsa 18-muajshe fliste me fraza të plota dhe bënte biseda të vështira e debate që nuk i bëjnë as të rriturit e jo më fëmijët. Por jo vetëm kaq: arrin të dallojë ngjyrat dhe të bëjë lehtësisht dallimin mes rozës dhe lejlasë, po ashtu arrin të vizatojë një rreth në mënyrë të shkëlqyer. Ajo është në gjendje të thotë në mënyrë perfekte në frëngjisht: "Përshëndetje, unë jam Xhorxhia. Jam vetëm në shtëpi. Por dhe shumë fjalë të tjera". Po sipas asaj që tregojnë prindërit, Xhorxhia që një vjeç i ka veshur këpucët pa i ngatërruar asnjëherë, madje arrinte që t‘i çonte në vendin e duhur, ndërsa rrobat t‘i fuste në lavatriçe dhe pastaj ta ndizte atë. Nga "analizat" që iu bënë, u arrit në përfundimin se Xhorxhia bënte pyetje të vështira dhe të çuditshme, për të cilat ishte e domosdoshme të mbaje shënime. "Kur i kërkova të vizatonte një rreth, ajo e bëri atë në mënyrë aq perfekte sa shumë të rritur, madje edhe unë vetë, nuk arrij ta bëj dot. U çudita se si ishte në gjendje ta dallonte aq mirë konceptin e një rrethi", thotë psikologia që është marrë si me Xhorxhian ashtu edhe me Elisen. Po ashtu, kur i thashë se sa bluzë të bukur rozë që paske veshur sot, m‘u përgjigj: "Nuk është rozë, por lejla", ndryshime që fëmijët arrijnë t‘i bëjnë vetëm në vitin e parë të shkollës.

Fëmija gjeni

Elise Roberts di të lexojë disa fjalë, të thotë alfabetin, të numërojë deri në 20, di të mbledhë dhe të njohë figurat gjeometrike. Njeh 35 kryeqytete të botës, ngjyrat dhe kafshët

Çfarë është koeficienti i inteligjencës?

Në vitin 1905, psikologu francez, Alfred Binet, vuri në përdorim testin e parë modern për të matur inteligjencën e fëmijëve.

Termi IQ (shkurtimi nga anglishtja i Intelligence Quotient), u vendos në vitin 1912 nga psikologu gjerman Willian Stern. Në këtë kohë lindi edhe formula: moshë mendore përmbi moshën biologjike shumëzuar me 100. (Mosha mendore matet me një test standard që përdoret për të përcaktuar zhvillim intelektual të individit).

Në vitin 1916, testi u perfeksionua nga Lewis M.Terman i "Standford University". Në vitin 1939 u përdor testi i parë i inteligjencës për të rritur (Wais) dhe u përshtat ai për fëmijët (Wisc).

100 pikë

Testi i inteligjencës bëhet nga një numër i madh njerëzish. Zakonisht mesatarja e tij është 100 pikë

70 pikë

3.5 për qind e popullsisë ka një koeficient inteligjence më të ulët se 70

70-90

21.5 për qind e popullsisë ka një koeficient inteligjence mes 70-90 pikë

90-110

Rreth 50 për qind e popullsisë ka koeficient inteligjence me pikë nga 90-110

110-130

21.5 për qind e popullsisë ka një koeficient të tillë

Mbi 140

E kanë rreth 3.5 për qind e popullsisë

Mbi 150

Vetëm 0.2 për qind e popullsisë



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›