Jaffa-kanceri
Prodhimet serbe po ua rrezikojnë jetën kosovarëve me sëmundjen e kancerit.
Jaffa-keksi prodhim serb, i cili konsumohet shumë nga qytetarët e vendit, është konstatuar se përmban materie kancerogjene. Përkundër kësaj, tregtarët kosovarë vazhdojnë të shesin këtë prodhim, pasi që askush nga autoritetet vendore nuk u ka sjellë informatën se ky produkt duhet të largohet nga shitja për shkak të materies kancerogjene.
Inspektorati i Tregut nuk ka marrë asnjë hap për informimin e tregtarëve. Ata madje besojnë se ky produkt nuk gjendet në shitje.
Përderisa në Slloveni është tërhequr nga shitja “Jaffa keks”, i cili prodhohet nga “Crvenka” e Gornji Milanovacit në Serbi, sepse është konstatuar se ambalazhi me të cilin është i mbështjellë ai përmban materie të rrezikshme për shëndetin e njeriut. Vendimin e ka marrë Instituti për Siguri të Shëndetit i Sllovenisë, pasi ka konstatuar se ambalazhi i tij përmban vlera të larta të fotoiniciatorit benzofenon dhe atij 4-metilbenzofenon, të cilët nëpërmjet folies plastike lehtë kalojnë në keks.
Lidhja e konsumatorëve të Sllovenisë i ka këshilluar blerësit që të mos konsumojnë keksë “Crvenka” nëse tashmë i kanë blerë, ka njoftuar portali i gazetës lubjanase “Dnevnik”. Përkundër kësaj, tregtarët në Kosovë vazhdojnë të shesin këtë produkt, për shkak se ata nuk janë në dijeni për këtë gjë. Ramiz Kelmendi, pronar i rrjetit të marketeve “ETC”, tha për Express se ky produkt vazhdon të shitet në dyqanet e tij, deri në momentin kur mekanizmat shtetërorë t’i lajmërojnë se kjo duhet të largohet nga tregu. Ai tregon se deri më tani askush nga Inspektorati i Tregut nuk i ka informuar lidhur me këtë çështje.
“Inspektorati i tregut duhet të njoftojë kompaninë që e bën importin e këtij produkti, me këtë duhet të lajmërohet edhe Dogana në mënyrë që të hiqet në çfarëdo forme ky produkt nga tregu kosovar”, thotë Kelmendi. Nëse ju vjen kjo informatë nga institucionet vendore, atëherë ai thotë se kjo menjëherë do të hiqet nga shitja në praninë e inspektorëve vendorë.
“Përderisa nuk e kemi këtë informatë se ky produkt është kancerogjen, nuk mund të intervenojmë, sepse këtë duhet ta bëjnë inspektorët e tregut”, tha Kelmendi.
Udhëheqësit e Inspektoratit të Tregut nuk janë në dijeni për substancën kancerogjene që përmban ky prodhim. Ruzhdi Shehu, kryeinspektor në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se përmes komunikimit që kanë me kryeinspektorin e Inspektoratit të Tregut në Slloveni, janë informuar se produkti me emrin e markës tregtare Jaffa cakes është ndaluar. “Instituti ka njoftuar se ambalazhi i një serie të këtij produkti me afat të kadencës deri më 26 shkurt të këtij viti paraqet rrezik për shëndetin e konsumatorëve”, tha Shehu. Sipas tij, meqenëse ka vetëm dy ditë nga dita e skadimit të afatit të përdorimit të këtij produkti , nuk besojnë që është në tregun kosovarë kjo seri. Por, ai thotë se do të veprojnë në tregun e brendshëm me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve.
Pa marrë parasysh këtë, prodhimet e kompanisë “Jaffa” kanë qenë në qendër të vëmendjes që nga vitit 2007. Atëherë, në Slloveni, Kroaci, Bosnjë, madje edhe në Serbi nga shitja ishte tërhequr "muchmalou" për shkak të dyshimit se është i infektuar me salmonelë.
Të dhënat nga Dogana e Kosovës tregojnë se gjatë janarit eksporti kosovar ka arritur të jetë rreth 8 milionë euro, ndërsa importi rreth 116 milionë euro. Sipas të dhënave nga ky institucion, thuhet se mineralet kanë rritur vlerën e eksportit gjatë muajit janar, pastaj prijnë kthimi dhe mbetjet ferrike, mbetjet dhe kthimet e bakrit, plumb i paqëndruar, si dhe mielli në një përqindje të vogël. Në importe prijnë vajrat e naftës dhe vajra të fituara prej mineraleve bituminoze, autovetura, shufra dhe shkopinj të tjerë prej gize, medikamentet, mishi, cigaret, buka, gruri, gazet dhe gazet e naftës.