E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgatitjet e fundit

Po bëhen përgatitjet e fundit për fillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për çështje praktike. Pas BE’së dhe Beogradit, edhe Qeveria e Kosovës ka caktuar Shefin e delegacionit për bisedime. Kjo detyrë i është besuar Zëvendëskryeministres Edita Tahiri. Ajo takohet sot me Emisarin e BE’së, Robert Cooper Nga Valmir Klaiqi më 25 shkurt 2011 në ora 08:13

Një ditë pasi u emërua në postin e zëvendëskryeministres, Edita Tahirit iu besua një detyrë mjaft e vështirë. Ajo të enjten është emëruar nga Kryeministri Hashim Thaçi si udhëheqëse e delegacionit të Kosovës për dialogun për çështje praktike me Serbinë.

Në njoftimin e Kryeministrisë për emërimin e Tahirit thuhet se dialogu si shtete të pavarura dhe sovrane me të gjitha shtetet fqinje, përfshirë Serbinë, dhe zgjidhja e problemeve praktike në të mirë të të gjithë qytetarëve të rajonit është vlerë dhe standard europian.

Bashkimi Europian sikur ishte në pritje të formimit të qeverisë për të shpejtuar fillimin e dialogut. Të enjten, pak orë pas emërimit të Zëvendëskryeministres Edita Tahirit në krye të delegacionit kosovar, në Kosovë ka mbërritur këshilltari i Baroneshës Ashton, Robert Cooper, i cili është emëruar “lehtësues” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas një vizite në Beograd, të mërkurën, që si duket ka qenë e paraparë të mos publikohet në media, vizita e Cooper “u zbulua” gjatë qëndrimit të tij në veri të Kosovës. Ai u ndal atje pas kthimit nga Serbia për t’u njohur nga afër me problemet dhe kërkesat e banorëve serbë atje, probleme të cilat pritet të ngrihen si tema në dialogun mes palëve.

Cooper të premten do ta takojë Zëvendëskryeministren Tahiri, me të cilën pritet të bisedojë rreth temave për dialogun, përbërjen e delegacioneve dhe çështjet tjera që duhen koordinuar me shpejtësi për të nisur këtë proces, të cilin BE e ka shtyrë fuqishëm përpara.

“BE dhe SHBA’ja do të jenë në rolin e palës së tretë për të mbështetur këtë dialog dhe për ta ndërmjetësuar. Dhe sigurisht që emërimi i zotit Cooper si emisar për këto qëllime ka të bëjë me vizitën e tij në Kosovës. Sigurisht, ai është i interesuar të marrë njoftime dhe informata për gjendjen në Kosovë, veçmas për fushat që do të bisedohet. Pra, këto fusha konkrete, praktike që përmirësojnë jetën e qytetarëve”, ka thënë Tahiri, gjatë një interviste për Express.

Ajo shprehet e bindur se në dialogun me Serbinë nuk mund të hapen çështje politike.
“Historia e bisedimeve me Serbinë, që kanë pas karakter politik, ka përfunduar. Kosova ka shpallur pavarësinë, është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht nga fuqitë e mëdha dhe si i tillë tash punon si shtet i pavarur për zhvillimin e brendshëm, por edhe veprimtarinë ndërkombëtare”.

Zëvendëskryeministrja Tahiri thotë se dialogu është ende në fazën përgatitore. Sipas saj, për këtë qëllim ka ardhur Cooper në Prishtinë.

Procesi në fakt është në përgatitje e sipër. Edhe ardhja e zotit Cooper ndërlidhet me një proces parapërgatitor. Zakonisht në bazë të teorisë së dialogimit, për t’u definuar agjenda duhen takime paraprake që quhen marrëveshje për agjendën. Në këtë kuadër jemi tash në procesin e bisedimeve se çfarë do të jetë në agjendën e dialogimit për çështjet praktike dhe si të kryhet kjo fazë para përgatitore do të jemi në gjendje të komunikojmë se cilat janë pikat e agjendës së diskutimit”.

Ajo thotë se delegacioni i Kosovës do të bisedojë me Serbinë gjithnjë duke pasur parasysh Kushtetutën e Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës e ka aprovuar Kushtetutën e shtetit. Dhe kjo Kushtetutë na obligon të gjithëve në çfarëdo veprimtarie, çoftë edhe në veprimtari ndërkombëtare, të politikës së jashtme, por edhe të dialogimeve. Mendoj se për çështje praktike, Kuvendi tashmë ka vu dokumentin si Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Ajo ka përmendur disa nga temat që do të diskutohen me palën serbe.
“Janë një varg çështjesh teknike për t’u biseduar. Për shembull, kemi çështjen e personave të pagjetur, lëvizja e lirë, doganat e të tjera si telekomunikacioni”, ka thënë Shefja e delegacionit të Kosovës.

Gëzohet Feith

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë (EUSR), Pieter Feith, ka mirëpritur emërimin e Zëvendëskryeministres Edita Tahiri si udhëheqëse e delegacionit të Kosovës për dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“E mirëpres vendimin e Kryeministrit Thaçi për emërimin e zëvendëskryeministres Tahiri në këtë post të rëndësishëm. Konsideroj se Edita Tahiri është një zgjedhje e shkëlqyer, duke marrë parasysh pozitën intelektuale dhe integritetin personal të saj. Ajo do të jetë një përfaqësuese e përkushtuar dhe efektive e Kosovës, që do ta shfrytëzojë këtë mundësi të rëndësishme për të zgjidhur çështje me interes reciprok dhe për të përmirësuar jetën e përditshme të të gjithë njerëzve në Kosovë”, ka thënë Feith.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›