Jagland: Ndërhyrja europiane për krizën do të jetë e fortë
Strasburg
Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Europës tregon aksionin politik të ndërkombëtarëve
Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, deklaroi dje se komuniteti ndërkombëtar do të ndërhyjë fuqishëm në Shqipëri, përderisa atje nuk funksionojnë institucionet demokratike. Në një intervistë të dhënë për “Vizion Plus”, Jagland deklaroi se monitorimi i Shqipërisë do të vazhdojë pa afat deri sa vendi të normalizohet. “Situata në Shqipëri më shqetëson shumë. Duket tashmë si një traditë shqiptare bojkotimi i punimeve të Parlamentit nga ana e opozitës. Mua nuk më pëlqen kjo gjë, nuk mendoj se i shërben vendit dhe popullit. Drejtuesi më i lartë i Këshillit të Europës foli për një krizë në Shqipëri, që me gjithë përpjekjet e përfaqësuesve të Partisë Demokratike në delegacionin shqiptar për ta hequr atë nga rezoluta, qëndron si një rrezik real për të dëmtuar funksionimin e demokracisë në Shqipëri. “Nëse Parlamenti nuk kryen funksionin e tij, atëherë këtë rol do ta marrin të tjerët, nuk di të them se çfarë lloj forcash, por një gjë e tillë do të ndodhë”, theksoi më tej Jagland. Sekretari i përgjithshëm i KiE-s premtoi asistencën e organizmit të rëndësishëm europian në tejkalimin e kësaj krize, por njëkohësisht këshilloi forcat kryesore politike të marrin vetë përsipër përgjegjësitë, në vend që të kërkojnë ndihmë nga jashtë. Sipas tij, monitorimi i Këshillit të Europës ndaj Shqipërisë do të vazhdojë për sa kohë ai të jetë i nevojshëm.
Ndërkaq, në lidhje me pasojat e Shqipërisë, nëse do të thellohej kriza, Jagland nuk pra preferuar të shprehet, duke theksuar se “mendoj se kjo nuk është pyetja më e rëndësishme për t’u bërë në këtë momente. Kur strukturat politike nuk funksionojnë, atëherë nuk punojnë edhe struktura të tjera. është shumë e rëndësishme të siguroni institucionet demokratike”. Për cungimin e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentar të Këshillit të Europës, sekretari i Përgjithshëm i këtij organizmi deklaroi se “më vjen shume keq që gjysma e delegacionit nuk mori pjesë në punimet plenare, por e njëjta gjë vlen edhe këtu në asamble. Kjo na shqetëson. çdo gjë që po bëhet nga ne, ka si synim për të mbështetur institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut.
Në seancën e 28 janarit, Asambleja Parlamentare miratoi rezolutën e cila dërgon në Shqipëri në ditët e para të shkurtit një delegacion të lartë për të zgjidhur krizën.
#