E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: Gruaja në Kosovë vijon të jetë në pozitë të vështirë

PRISHTINË.- “Në Kosovë puna dhe përgjegjësia jonë si shoqëri ndaj gruas është larg të qenit e përfunduar”. Këto komente Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i bëri sot në aktivitetin “Java e gruas”, organizuar nga NDI.

“Gruaja në Kosovë vazhdon të jetë në pozitë të vështirë dhe të pafavorshme, e goditur në vazhdimësi nga varfëria dhe dhimbjet e një jete me mungesa të mëdha. Për të përmirësuar gjendjen dhe ngushtuar hapësirën për diskriminimin e gruas duhet patjetër t’i japim një shtytje më të madhe emancipimit dhe arsimimit të gruas në Kosovë, si e drejtë e pamohueshme njerëzore”,-theksoi ajo.

Sipas Jahjages, studimet statistikore të zhvilluara në Kosovë gjatë kësaj dekade dëshmojnë se gruaja kosovare vazhdon të jetë viktima kryesore gjatë tranzicionit, numri i femrave analfabete vazhdon të jetë 10 për qind më i lartë se i meshkujve të së njëjtës grupmoshë dhe prejardhjes së përafërt socio-ekonomike.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›