E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga: Jemi të obliguar të largojmë të gjitha pengesat

Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim të BE-së, Pjer Mirel, të enjten i ka dorëzuar zyrtarisht presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, Raportin e Progresit për vitin 2011.

Me këtë rast presidentja Jahjaga ka shprehur zotimin se institucionet e vendit do të vazhdojnë të jenë të përkushtuara në plotësimin e kërkesave të Komisionit Evropian, në mënyrë që Kosova të integrohet sa më shpejt në familjen e madhe evropiane.

Në një konferencë për media të enjten, ku serish gazetarët nuk janë lejuar të bëhen pyetje, presidentja Jahjaga ka theksuar se Kosova është e përkushtuara që të vë rendin dhe ligjin në tërë territorin e vendit sipas planit të Marti Ahtisari, ndërsa ka kundërshtuar kategorikisht zbatimin e planit Ahtisari plus.

Ajo ndërkaq ka përshëndetur vendimin e Brukselit për nismën e dialogut për liberalizimin e vizave.

“Ne institucionet e Kosovës marrim obligim që të heqim të gjitha pengesat që janë faktuar si mos përmbushje e parimeve në zhvillimin e proceseve demokratike të sundimit të ligjit të lirisë së mediave dhe sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Unë si president e Republikës së Kosovës në kuadër të kompetencave të mija kushtetuese dhe ligjore dhe të udhëheq mekanizmat gjithëpërfshirës për luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar dhe për të ndihmuar procesin e Integrimeve evropiane”, ka thënë Jahjaga.

Për më tepër, kreu i vendit ka shprehur edhe një herë qëndrimin kundër ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve në rajon.

Nga ana e tij, drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim të BE-së, Pjer Mirel, ka kërkuar vazhdimin e reformave në fushën e gjyqësorit, ekonomisë, por edhe në fusha tjera, në mënyrë që të realizohet integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian (BE).

“Ne tashme kemi parë zhvillimet, duke përfshirë rastet e rëndësishme të korrupsionit dhe krimit, të cilat janë hapur nga autoritetet gjyqësore dhe EULEX-i. Dëshiroj të kujtoj se rreth 350 hetime janë duke u zhvilluar dhe 200 vendime janë lëshuar në dy vjetët e fundit. Presidentja foli për vizionin e saj për Kosovën dhe pajtohem me ju që të gjitha komunitetet kudo që jetojnë dhe të gjitha vendet kanë një element të rëndësishëm të përbashkët dhe kjo është agjenda e integrimit evropian”, ka thënë Mirel.

Komisioni Evropian dje ka prezantuar Raportin e Progresit për Kosovën ku thuhet se progresi në Kosovë është i kufizuar dhe se sfida kryesore mbeten korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›