Jahjaga: Miqësia e Kosovës me SHBA-të, e palëkundur
“Me rastin e festimit të 235 vjetorit të deklaratës suaj të Pavarësisë në 4 korrik, në emër të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, si dhe në emrin tim, ju dërgoj urimet më të mira për qeverinë dhe popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Ky ka qënë urimi i shprehur në letrën që presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ia ka dërguar presidentit të SHBA-ve, Barack Obama, në 28 qershor.
“Katër korriku është një datë e rëndësishme jo vetëm për vendin tuaj, por për tërë botën. Kjo datë është një sinonim i vlerave të jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë. Këto vlera janë tashmë universale dhe roli global i SHBA-ve është i rëndësishëm në promovimin e tyre. Lidhja dhe miqësia e Kosovës me SHBA-të është e thellë dhe e palëkundur. Ne do të vazhdojmë t`i kontribuojmë paqes, stabilitetit dhe progresit në Ballkan”, thuhet më tej në urimin e presidentes.
Presidentja ka bërë të qartë se angazhimi aktiv i SHBA-ve mbetet vendimtar dhe i pazëvendësueshëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, ndërsa ka thënë se Kosova do të vazhdojë të mbështetet në përkrahjen e SHBA-ve për jetësimin e aspiratave euroatlantike, si dhe për zgjerimin e njohjes së shtetit.