E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga: Përmbyllja e pavarësisë, partneritet i barabartë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se me vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën, vendit i është hapur ruga “për një partneritet të barabartë me bashkësinë ndërkombëtare, bazuar në respektin e ndërsjellë”.

Në një deklaratë për media që pasoi vendimin e GDN-së, Jahjaga vlerësoi se puna dhe angazhimet e popullit të Kosovës janë një nga elementët kryesorë që mundësuan dhënien fund të pavarësisë së mbikëqyrur për vendin.

“Besimi në ju, qytetarë të Kosovës dhe në Republikën tonë, është fryt i punës dhe i angazhimit të përbashkët, që vlerat demokratike i bëmë parime themelore të shtetësisë sonë, duke dëshmuar aftësi dhe përgjegjësi për shtetin tonë dhe obligimet tona ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë presidentja kosovare.

Mbikëqyrja e pavarësisë parashihej me planin e të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari.

Zyra Civile Ndërkombëtare, si mision që mbikëqyri punën e institucioneve vendore që nga dita e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të 2008-tës, pritet të mbyllet në fillim të kësaj vjeshte.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›