E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: Vizioni europian, integrimi i Ballkanit në BE

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në një ceremoni kushtuar Ditës së Evropës, tha se të gjithë vendet e rajonit, janë të orientuar të ndihmojmë njëra-tjetrën dhe gjenden në një moment të rëndësishëm për të përmbushur ëndrrën e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Republika e Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë shënuar një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe, me lansimin e Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Ascociimit si dhe fillimin e procesit të dialogut për Liberalizim të Vizave, që ofron mundësi të reja për qytetarët e vendit dhe për ekonominë tonë”, tha presidentja Jahjaga.

Ndërkaq ajo u shpreh se Kosova është e përkushtuar që të përmbushë të gjitha kriteret dhe obligimet në rrugën e integrimit.

“Qytetarët tanë na kërkojnë, me plotë të drejtë, që me vullnet dhe përkushtim të plotë të vazhdojmë përmbushjen e kritereve politike, ekonomike dhe ligjore për t`u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Por, suksesi i integrimit tonë në Evropë varet nga të gjithë ne: institucionet, partitë politike, shoqëria civile dhe nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, theksoi ajo.

Evropa me vullnet të njëzëshëm politik po del nga secila betejë edhe më e fuqishme, deklaroi Jahjaga, për të shtuar se “përkushtimi i evropianëve për të gjetur modalitetet e forcimit të bllokut demokratik dëshmon me seriozitet dhe me plotë përgjegjësi se sfidat e momentit nuk kërcënojnë vizionin dhe misionin e BE-së për një Evropë të bashkuar dhe jemi te vetëdijshëm se Bashkimi Evropian do ta përmbushë plotësisht vizionin e saj vetëm atëherë kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor t`i bashkohen Familjes Evropiane”.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›