Jahjaga: Zgjedhja ime, punë e mençur

Presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se nuk ishte befasuar kur emri i saj doli për Presidente të Kosovës si konsensus i tri partive politike, pasi që këtë e kishte ditur disa ditë më herët.
Ajo ka treguar se disa ditë para nominimit e kishin kontaktuar për të marrë pëlqimin e saj për këtë post.
Këtë deklaratë, Presidentja Jahjaga e ka dhënë për KTV’në, tri javë pas emërimit në krye të Shtetit.
Por, në ditën kur u zgjodh presidente në Kuvendin e Kosovës, Jahjaga kishte thënë se ofertën e kishte marrë një ditë më herët.
“Deri dje nuk kam menduar kurrë për të marrë një pozitë të lartë udhëheqëse politike”, ka thënë Presidentja Jahjaga, në fjalimin inaugurues, në Parlament.
Presidentja ka thënë se ka ndier obligim moral të pranojë detyrën, ndërsa zgjedhjen e saj e quan punë të mençur.
“Normal që kam menduar, jam konsultuar me miqtë e mi dhe menjëherë pas komunikimit zyrtar, unë kam shpreh mendimin tim, sepse unë do të mund të jem pjesë e këtij konsensusi. Është një lloj obligimi moral që unë të pranoj dhe t’i dal në ndihmë popullit tim”, ka thënë ajo.
Shefja e Shtetit ka folur edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se është i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit, derisa për veriun ka thënë se është çështje e brendshme e Kosovës.
Presidentja e ardhur në krye të Shtetit pas marrëveshjes politike PDK-LDK-AKR, ka thënë se do të respektojë ligjin dhe Kushtetutën sa i përket mandatit të saj.
“Unë do t’i respektoj të gjitha kornizat ligjore dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës”, ka thënë Jahjaga.
Mandati i Presidentes është kufizuar me marrëveshjen politike Thaci – Mustafa – Pacolli në vetëm një vit, kohë kjo për ndryshimet kushtetuese dhe përgatitjen e vendit për zgjedhjen e presidentit nga ana e popullit.
Jahjaga ka thënë se i pëlqen romanet e Kadaresë, romanet policore, muzikën e vjetër dhe klasike, por nuk ka durim ta shikojë deri në fund një film.