Kampanja kundër drogës nis edhe në veri të Mitrovicës
Zëvendës shefi i EULEX-it, Andy Sparkes, ka kërkuar nga të gjithë njerëzit në Kosovë që të mos mbyllin sytë para problemeve të shkaktuara nga droga.
EULEX-i dhe Policia e Kosovës të enjten në veri të Mitrovicës kanë nisur kampanjën e përbashkët në luftën kundër drogës me sloganin “Mos i mbyll sytë”.
Me këtë rast, Sparkes ka theksuar se për shkak të “rrethanave të veçanta politike”, aktiviteti i EULEX-it në veri të Kosovës është politik, por detyra e misionit është që të ndihmojë në mposhtjen e kriminalitetit dhe vendosjen e sundimit të ligjit.
“Droga është tabu temë në shoqëri, por pasi që Kosova është rrugë transitore e heroinës, por edhe kokainës, është e domosdoshme që në thyerjen e kësaj të keqe të përfshihen të gjitha komunitetet dhe qytetarët e të gjitha moshave”, ka thënë Sparkes në stacionin policor në veri të Mitrovicës.
Zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq, ka thënë se kampanja kundër drogës në Kosovë, e cila dje ka nisur në Prishtinë, do të zgjasë dy muaj dhe aty do të marrin pjesë policë të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.
Zëvendës drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Ergin Mediq, u ka bërë thirrje qytetarëve që të përfshihen në kampanjë dhe të ndihmojnë zbatimin e saj të suksesshëm.