E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: Zgjedhjet në veri mbyllin një kapitull të së kaluarës

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot Zyrën Administrative të Qeverisë së  Kosovës në Mitrovicën e Veriut. Ajo u prit nga shefja e kësaj zyre, Adrijana Hodzic.

Siç njofton zyra e presidentes, Jahjaga dhe shefja e Zyrës Administrative, biseduan për punën dhe angazhimin e Zyrës dhe çështjet që ndërlidhen me këtë zyrë.

“Kjo zyrë me punën e saj ka ngritur besimin dhe respektimin e qytetarëve në institucionet e shtetit tonë, sepse në mënyrë të shpejtë dhe të saktë i ka kryer të gjitha shërbimet në bazë të kërkesave të qytetarëve duke pasur një efikasitet të lakmueshëm në punët administrative”, tha Jahjaga.

Presidentja tha se, mbajtja e zgjedhjeve lokale brenda këtij viti në të gjitha komunat e Kosovës, duke përfshirë edhe komunat e Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut, do të shënonte mbylljen e një kapitulli të së kaluarës dhe hapjen e një perspektive të re evropiane të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit.

“Kjo mundëson ndërtimin e politikave të qarta zhvillimore dhe tërheqjes së investimeve të huaja. Kjo mundëson zgjedhjen e organeve legale dhe legjitime që i përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe që mundëson integrimin e plotë të komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës”, theksoi Jahjaga.

Shefja e Zyrës Administrative të Qeverisë së Kosovës Adrijana Hodzic, , tha se për zyrën dhe punonjësit e saj është me rëndësi të madhe mbështetja institucionale dhe përkrahja konkrete e saj. Ajo e njoftoi Presidenten për gjithë punën dhe angazhimin e gjithë zyrës dhe shërbimet që ajo po u ofron qytetarëve në Mitrovicën e Veriut.

Në vazhdim, Presidentja Jahjaga mori pjesë në ceremoninë e organizuar në njëvjetorin e themelimit të Zyrës Administrative të Qeverisë së  Kosovës në Mitrovicën e Veriut. Në ceremoni morën pjesë zëvendëskryeministrat Slobodan Petroviq e Mimoza Kusari-Lila, ministrja Vlora Çitaku, e zyrtarë të tjerë të Qeverisë dhe institucioneve të tjera, ambasadorja e SHBA në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, ambasadori i Norvegjisë, Jan Braathu, ambasadorja e Turqisë, Songul Ozan, ambasadorë e përfaqësues të tjerë të akredituar në vendin tonë, si dhe mysafirë të tjerë. /Indeksonline/

 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›