E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga dhe Thaçi ngushëlluan presidentin Obama

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka dërguar telegram ngushëllimi presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, me rastin e vdekjes së ambasadorit të SHBA-së në Libi, Kristofer Stivens, dhe tre zyrtarëve të tjerë.

“Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, institucioneve të vendit dhe në emrin tim personal, ju lutem pranoni ngushëllimet tona me rastin e humbjes së ambasadorit tuaj në Libi, z. Kristofer Stivens, dhe tre zyrtarëve të tjerë në sulmin ndaj ambasadës amerikane në Bengazi”.

“Lutjet tona janë me familjarët e viktimave dhe popullin amerikan në këto momente të vështira”, thuhet në telegramin e presidentes Jahjaga.

Sulmi në Bengazi thuhet se ka qenë reagim i zemëruar ndaj një filmi që “fyen” Profetin Muhamed.

Presidentin Obama për vdekjen e ambasadorit amerikan në Libi e ngushëlloi edhe kryeministri Hashim Thaçi.

”Me pikëllim të thellë mësova lajmin për sulmin kriminal që ka ndodh sot ndaj konsullatës së SHBA-së në Bengazi, që mori jetën e ambasadorit Christopher Stevens si dhe të tre punonjësve tjerë të konsullatës.

Asgjë nuk mund të justifikojë një veprim të tillë. Këto akte të sulmeve kriminale ndaj ambasadave dhe personelit janë të patolerueshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe cenojnë rëndë paqen e bashkëpunimin midis popujve dhe kombeve të botës së civilizuar. Është e dhimbshme sidomos për faktin që një tragjedi e tillë po ndodh në një vend që sapo ka kaluar një periudhë të vështirë nën një regjim totalitar”, thuhet ndër të tjera në ngushëllimin e Thaçit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›