Jahjaga do të angazhohet për t’u zbardh fati i të pagjeturve

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga u ka premtuar familjarëve të të pagjeturve se do të angazhohet, në mënyrë që të dihet fati i 1800 personave që janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ndërsa familjarët kanë pas disa kërkesa, duke përmendur edhe atë që nuk janë futur si kategoritë e tjera në skemën pensionale.
Presidentja gjatë një takimi të zhvilluar të martën e pasdite, ka dëgjuar me vëmendje kërkesat e Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur dhe të anëtarëve të familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre.
Jahjaga ka thënë se edhe ajo si çdo qytetar tjetër i Kosovës, e ndan dhembjen me familjarët që kanë humbur të afërmit, ndërsa ka shtuar se secila familje e meriton që ta ketë një varr për të afërmin e vet, në mënyrë që ta kujtojë atë, që të kryejë të gjitha ritualet e tyre fetare dhe njerëzore.
Ajo ka shtuar se shteti i Kosovës ka bërë, është duke bërë dhe duhet të bëjë çka do që është e mundur, që të lehtësojë dhimbjen për të gjithë familjet e dëshmorëve dhe të pagjeturve.
“E kemi obligim që të angazhohemi për të gjithë atë që dimë dhe mundemi, që t’i sajojmë të gjitha pasojat e luftës, që ta lehtësojnë dhimbjen për të gjithë familjarët tonë dhe të përmirësojmë jetën e tyre në çdo mënyrë që mundemi”, ka theksuar presidentja Jahjaga.
Ajo e ka parë të nevojshme edhe ngritjen e një përmendore për të gjithë ata që kanë humbur jetën, në mënyrë që të kujtohen nga të gjithë qytetarët e vendit.
Ndërsa Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, ka thënë se qeveria e vendit i ka dhënë prioritet çështjes së zhdukurve. Ndërsa ka shtuar se duhet të bëhet presion më i madh mbi Serbinë që të kthejë edhe kufomat tjera.
“Kërkesë e jona dhe e familjarëve, është që të bëhet presion, gjegjësisht trysni më e madhe në Serbi. Se pa presion nuk do të qel gojën, nuk do të tregojë për varrezat masive, sepse hapja dhe çështja e përgjegjësisë konsiderojmë, se ata i ikin përgjegjësisë, ato që na i kanë sjellë, i kanë sjell për të arsyetuar premtimet e veta, për ata të cilat i dërguan në Hagë, ndërsa për raste të tjera mendojmë se i mbajnë dhe i shfrytëzojnë për nevoja dhe interesa të veçanta. Ligji për të pagjetur, po ashtu është në interesin tonë dhe procedurat për atë ligj do të kryhen këtë vit”, ka thënë Gjetaj.
Po ashtu një preokupim sipas Gjetaj është edhe mos përfshirja e këtyre familjeve në skemën e ngritjes së pensioneve.
“Çështja tjetër, që po i mundon, është çështja e skemës të asistencës sociale, e pensioneve dhe nuk është fut kategoria e të pagjeturve, prandaj na duket se kjo kategori që është shumë e ndjeshme dhe tash për tash kategoria më e goditur për arsye, se ankthi është më i rëndë, sesa dhembja, një fund i dhimbshëm, se dhembja pa fund”, ka shtuar ai.
Ende edhe për 1800 persona të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, nuk ka asnjë informacion.