E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga falënderon Gjermaninë për kontributin ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, takoi në Mynih kryetaren e Kuvendit të Bavarisë, Barbara Stamm.

Presidentja Jahjaga dhe Stamm biseduan për zhvillimet në Kosovë si dhe për identifikimin e fushave të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Landit të Bavarisë.

Presidentja Jahjaga, e cila po merr pjesë në Konferencën e 48-të të Sigurisë në Mynih, e falënderoi Stamm për kontributin e Gjermanisë për lirinë, shtet-ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, për njohjen e pavarësisë, investimet e kapitalit gjerman dhe garantimin e sigurisë në Kosovë me praninë e ushtarëve gjermanë në kuadër të KFOR-it.

"Me ndihmën dhe përpjekjen e miqve të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe Gjermania si dhe të vullnetit e punës së popullit të Kosovës, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe përbën një rrëfim suksesi", ka thënë Jahjaga.

"Kosova ka arritur progres në zbatimin e Planit Ahtisaari dhe si shtet i pavarur dhe sovran, Republika e Kosovës garanton zbatimin dhe përmbushjen e të gjitha obligimeve dhe detyrimeve ndërkombëtare", theksoi ajo.

Presidentja Jahjaga dhe Stamm diskutuan edhe për mënyrat e bashkëpunimit në nivelin qendror dhe lokal, përfshirë shkëmbimin e përvojave parlamentare, binjakëzimin e qyteteve dhe rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, arsimit dhe kulturës mes dy vendeve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›