Jahjaga miraton rregulloren për dhënien e dekoratave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka aprovuar Rregulloren mbi llojet e dekoratave që jep presidenti i Kosovës dhe procedurat për dhënien e tyre.
Aprovimi i Rregullores u bë në bazë të Nenit 84, pika 28, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe në bazë të Nenit 5 të Ligjit nr. 04/L-070 për Dhënien e Dekoratave, thuhet në njoftimin për media të kabinetit të presidentes.
Sipas kësaj rregulloreje, dekoratat që jep Presidenti/ja e Republikës së Kosovës janë:
Urdhri Hero i Kosovës; Urdhri i Lirisë; Urdhri i Pavarësisë; Urdhri Luftëtar i Lirisë “Adem Jashari”; Urdhri për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”; Medalja Humanitare “Nëna Terezë”; Medalja e Paqes dhe Pajtimit “Anton Çetta”; Medalja Presidenciale e Meritave (Arsim, Shkencë, Kulturë, Rini, Sport, Siguri, dhe Shërbim Civil); Medalja Ushtarake për Shërbim në Kosovë; Çmimi për Inovacione, Kërkime dhe Zhvillim, dhe Titulli Ambasador Nderi i Kosovës.