E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga pret të dërguarën e Sekretares Klinton për komunitetin mysliman

PRISHTINE-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim të dërguarën e posaçme të sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, për komunitetin mysliman, znj. Farah Pandith.

Gjatë takimit me Presidenten Jahjaga, Pandith shprehu interesim për gjendjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, rolin e gruas, si dhe atë të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova është bërë një faktor paqeje dhe stabiliteti, që ka ndikim gjithnjë e më të madh në skenën ndërkombëtare, ndërsa theksoi faktin se "Kosova është shtet qytetar, në të cilin të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fetare apo gjinore, i kanë të drejtat dhe liritë e barabarta”.

Jahjaga e njohu znj.Pandith me përparimet që Kosova po bën në realizimin e barazisë gjinore, duke përmendur kuotën si garanci minimale të përfaqësimit të gruas në të gjitha sferat e jetës, kryesisht në institucionet përfaqësuese dhe vendimmarrëse në Kosovë.

Presidentja Jahjaga vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të sekretares së shtetit, znj.Hillary Clinton, si një mike e dëshmuar e Kosovës dhe e popullit të saj, për paqe dhe stabilitet në rajon.

Në fund të takimit, Pandith vlerësoi se "Kosova ka bërë avancime të theksuara dhe po bëhet një shembull i mirë për rolin faktik të femrës në shoqëri, duke garantuar edhe mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›