E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga vazhdon vizitën në Abu Dabi

Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë kanë synim anëtarësimin në BE dhe bashkëpunimi rajonal si dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë çelës për këtë proces, ka thënë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë takimit me kryetarin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Nassir Abdulaziz Al Nasser.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, po qëndron në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku po merr pjesë Samitin botëror për të ardhmen e energjetikës.

Në takim me Al Nasserin, presidentja Jahjaga tha se qasja më e madhe e Kosovës në OKB, posaçërisht gjatë mbledhjeve të Asamblesë së Përgjithshme, do të mundësonte paraqitjen e gjendjes reale për të gjitha vendet anëtare dhe në veçanti për ato që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Ajo tha se anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, është rruga e vetme për t’u siguruar se ajo është pjesë e infrastrukturës globale dhe mund të jap kontributin e saj për paqen dhe stabilitetin.

Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës, është angazhuar në dialog me Republikën e Serbisë dhe vlerësoi se kjo është rruga e vetme për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë dhe e vetmja mënyrë që Serbia të përmbushë obligimet e saj ndaj Kosovës.

Jahjaga tha se çështja në komunat në veri të Kosovës, është çështje e sundimit të ligjit dhe strukturat kriminale serbe, të mbështetura nga Serbia, po i mbajnë peng qytetarët serbë që duan të kenë një jetë normale në Kosovë. Ajo tha se autoritetet në Serbi duhet të ndalojnë mbështetjen për këto struktura dhe komuniteti serb duhet të bashkëpunojë me autoritetet e Kosovës për të zbatuar planin Ahtisaari që garanton të gjitha të drejtat për komunitetin serb në Kosovë.

Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Nassir Abdulaziz al Nasser tha se do të vazhdojë të mbështes Kosovën në të gjitha nismat dhe proceset nëpër të cilat ajo po kalon.

Jahjaga zhvilloi një takim të veçantë edhe me sheikun Mohamed bin Zayed al Nahyan, nën patronazhin e të cilit po mbahet samiti.

Siç njofton Zyra e presidentes, Jahjaga dhe sheiku Mohamed bin Zayed al Nahyan biseduan për një varg çështjesh më interes.

Presidentja Jahjaga e falënderoi sheikun Mohamed bin Zayed al Nahyan për njohjen që në vitin 2008 të vendit tonë nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe për ndihmën e vazhdueshme që ky shtet i ka dhënë dhe po vazhdon t’i japë vendit tonë, me theks të veçantë për praninë e ushtarëve të EBA në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

Presidentja Jahjaga ka takuar edhe një numër udhëheqësish e përfaqësuesish të vendeve të ndryshme.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›