E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacolli në Tunizi për njohje

Zyre e zëvendëskryeministrit të Kosovës Behgjet Pacolli ka njoftuar nëpërmjet një komunikate për shtyp se Pacolli ka udhëtuar në Tunizi për të diskutuar fillimin e marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet.

“Në kuadër të angazhimit diplomatik për sjelljen e njohjeve të reja për Republikën e Kosovës, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, z.Behgjet Pacolli, ka udhëtuar në Tunizi, me ftesë të partisë kryesore në këtë shtet, ‘Hizb al Nahdah’”, thuhet në këtë komunikatë.

Sipas komunikatës, zëvendëskryeministri Pacolli, do të pritet në një drekë pune, nga lideri i kësaj partie Rashid al-Ghannushi, me të cilin do të diskutojë për njohjen e shpejtë të Republikës së Kosovës dhe fillimin e bashkëpunimit diplomatik ndërmjet dy vendeve.

“Kjo është vizita e tretë, që zëvendëskryeministri Pacolli zhvillon në Tunizi, ndërsa marrëdhëniet e shkëlqyera me partinë "Hizb al Nahdah", dhe liderin e saj Ghannushi, kanë filluar që në gusht 2011, para zhvillimit të zgjedhjeve të lira në Tunizi”, thuhet tutje në këtë komunikatë.

Partia e z.Ghannushi është partia fituese e zgjedhjeve në Tunizi, pas rënies së regjimit diktatorial të z.Ben Ali.

“Në mbrëmjen e po të njëjtës ditë, zëvendëskryeministri Pacolli do të udhëtojë në një shtet tjetër afrikan, nga autoritetet e të cilit shtet mbahet peng një qytetar i Republikës së Kosovës”, thuhet në fund komunikatës, duke mos saktësuar se për cilin shtet bëhet fjalë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›