Jahjaga:Kosova, një hap para në proçesin e integrimeve Euroatlantike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga e ka vlerësuar pozitivisht arritjen e marrëveshjeve në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për përfaqësimin në organizatat rajonale të Republikës së Kosovës dhe për menaxhimin e integruar të kufijve.
Presidentja e Republikës vlerëson se “dialogu që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet dy shteteve sovrane dhe të pavarura, dy vende fqinje e të barabarta, ndihmon në normalizimin dhe shtendosjen e marrëdhënieve, në lehtësimin e jetës e të punës së qytetarëve dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave”.
Në një njoftim për shtyp, të publikuar në faqen zyrtare të presidencës, Jahjaga ndër të tjera citohet të ketë thënë se “konkretizimi i rrugës evropiane për Republikën e Kosovës, me vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në dhe me fillimin e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, do të përshpejtojë integrimin e Kosovës në BE dhe do të mundësojë thellimin dhe zbatimin e reformave në vend”.
Më tej Jahjaga u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve, partive dhe subjekteve politike dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që “t`i japin mbështetje konkrete kësaj marrëveshjeje, të gjithë procesit të dialogut dhe rrugës së Republikës së Kosovës shtet sovran dhe i pavarur në proceset e integrimeve euroatlantike”.