Jahmir Hyka: Une si Shnajderi, jo si Luka Modriç

EKSKLUZIVE- Jahmir Hyka është një "top", ashtu si dikur Pele, lojtari më i mirë i botës kishte thënë për Robinjon: "Po mos kishte lindur njeri, do të lindte top". Pëlqen vetëm gjëra që kanë dicka të jashtëzakonshme brenda tyre. Brenda gjenisë së talentit shqiptar më të madh të dhjetë viteve të fundit shfaqen edhe driblingu i Maradonës (mediat gjermane e përcaktuan kështu kur ai u transferua te Mainc), edhe lëvizshmëria e Mesit (Hyka e ka si idhull), por edhe zgjuarsia pa kufi e Shnajderit (lëvizjet e të cilit Jahmiri e realizon në kohë reale në mendjen e tij kur ndjek ne televizor Holandën). "Jam tifoz me me Holandën dhe i lojës së bukur"- kështu e përmbledh me një fjali për Albania-sport.com, Jahmir Hyka, i cili shton se shanset e Holandës për të fituar për herë të dytë Kampionatin Europian janë të mëdha. "75 për qind. Më shumë se cdo ekip tjetër. Dy fitore fantastike janë sinjali më i qartë"
EURO 2008 – "Jam tifoz i lojës së bukur dhe Holanda luan mjaft bukur futboll. Ka shumë lojtar të talentuar. Kë shoh në finale? Spanja përplaset me Holandën, nëse jo në cerekfinale, në gjysmëfinale, kështu që parashikoj një finale Holandë-Portugali. Cuditem sesi holandezët nuk bënë shumë me ne, madje na mundën me vështirësi në të dy takimet (2-1 në Amsterdam, 1-0 në Tiranë". Portugalia është një nga kundërshtarët e Shqipërisë në kualifikueset e Kupës së Botës 2010. Hyka thotë: "Do të jetë një ndeshje e madhe në Tiranë. Kundër ekipeve të mëdha luajmë shumë mirë". Në Europian po dallohen shumë talente, por "kamera" e Hykës është e fokusuar te "portokallinjtë": "Kush më pëlqen? Shnajder dhe Roben, por për Uesli Shnajderin kam më shumë preferenca. Hyka një Shnajder shqiptar? Më pëlqen, por meqë po më krahasojnë me shumë veta, më mirë të jem Hyka si Hykë". "Mesi është idhulli im, por tani e ndjen veten shumë ë afërt me Shnajder. Madje më pëlqen ta them këtë". Edhe pse Dinamo e Zagrebit e kërkoi për të zëvendësuar Luka Modricin e blerë 21 milionë euro nga Totenhemi, Hyka, i cili e ka parë me kujdes lojën e talentit kroat thotë. "Kam pak ngjashmëri me lojën e tij, madje luajmë në pozicione të ndryshme në mesfushë".
KOMBËTARJA – Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, kroati 75-vjecar Oto Baric e donte shumë mesfushorin 18-vjecar, madje besonte më shumë se kushdo tjetër te talenti i tij. Po si mendon Hyka për këtë "dashuri" in-extremis për sa i përket moshave. "Mendoj se Baric i kishte qejf cunat e rinj dhe tek unë mbase ka pare nje futbollist me te ardhme. Mbase kjo e shtyrë që të më grumbullojë në Kombëtare shpejt", thotë Hyka, i cili grumbullimin e parë me Kombëtaren e ka në ndeshjen miqësore kundër Maqedonisë, më 7 shkurt 2007. Në të njëjtat gjurmë të kroatit kaloi edhe trajneri i ri i Shqipërisë, holandezi Ari Han. "Më duhet të them patjetër edhe një gjë. Të paktën tani që edhe Hani më grumbulloi në kombëtare i është mbyllur goja disa personave, të cilët mendonin se Hyka është thirrur në Kombëtare nga x apo y person dhe për këtë më bëhet qejfi", - thekson Hyka, i cili ka luajtiur deri tani 5 ndeshje me përfaqësuesen, ku ajo e fundit ishte në miqësoren me Poloninë, më 27 maj në Reutlingen të Gjermanisë.
ROZENBORGU- Historia e lojtarit më të ri të Mainc 05 dhe futbollistit shqiptar që mban edhe rekordin e transferimit ndërkombëtar: 3.5 milionë euro nisi te moshat e Dinamos, vazhdoi me një operacion në gju në Austri, e më pas një transferim te Rozenborgu në Norvegji. "Po mund të them, që Rozenborgu më ka ndihmuar shumë në rritjen time si lojtar si nga ana fizike ashtu edhe profesionale", - thotë mesfushori, i cili transferua në moshën 17-vjecare te norvegjezët, për të cilët luajti 3 takime. Një gol "ala Mesi" me sllallom të gjatë, i shënuar me ekipin e të rinjve të kësaj skuadre ende vlerësohet si një nga më të bukurit, jo vetëm për lojtarin, që e përsëriti kundër Elbasanit në kampionatin e fundit. Video e atij goli është ndër më të klikuarat në internet. Aventura në Norvegji zgjati vetëm një vit. "Ishte një klub serioz dhe me emër, por problemi ishte Federata Norvegjeze e Futbollit dhe rregullat për lojtarët ekstrakomumitarë". Në atë kohë në Norvegji me Bran Bergen luantr një tjetër shqiptar, sulmuesi i njohur Migen Memelli. "Më ka ndihmuar shumë. Madje në shtëpinë e tij kam qëndruar edhe javën e fundit të qëndrimi të tim në Norvegji, kur prisja ndonjë dritë jeshile për të qenë pjesë e ekipit të Rozenborgut".
OLIMPIAKOS – Rikthimi në Shqipëri i mesfushorit vetëm 168 cm nuk kishte të bënte me një transferim te tre ekipet e mëdha të kryeqytetit: Tirana, Partizani e Dinamo, por te një ekip periferik i Kategorisë së Dytë, Olimpikut të Tiranës, një filial i Olimpiakosit të madh të Greqisë, por që zotëronte edhe kartonin e futbollistit. "U lidha me këtë klub për të bërë të mundur edhe kalimin tim në Greqi. Me Olimpik Tirana kam zhvilluar për disa kohë stërvitje po nuk kam luajtur", - thotë mesfushori, i cili armë të fortë ka shpejtësinë dhe driblimin. Tranferimi i tij në Greqi bëri bujë. Mediat greke shkruan gjerësisht për "Maradonën e Ballkanit". "Në fillim gjithcka shkoi mirë, por më pas mungesa në aktivizim më mërziti shumë. Problem ishte fakti që unë firmosa një ditë pas përfundimit të merkatos. Sa më vlejti Greqia? Mund të them që Olimpiakosi është një klub i madh dhe për një lojtar të ri si puna ime ishte i vështirë aktivizimi, megjithatë si eksperiencë ja vlejti në aspektin teknik dhe nga ana e profesionalizmit. Të stërvitesh me lojtarë të tillë si Rivaldo apo Xhorxheic nuk është pak. Rivaldo ishte një njeri i mirë, nuk mund te them së kam pasur miqësi, por në shumë raste më ka folur shumë miqësisht,madje në stërvitje më trajtonte si vëlla të vogël. Ca sekrete të lojës sime, janë dhe të atij".
TIRANA- Kur Hyka u rekrutua si pjesë e 23-herë kampionëve për sezonin 2007-2008, pati shumë njerëz që dyshuan te aftësitë e mesfushorit shtatshkurtër. Një 19-vjecar te rekordmenët shqiptarë nuk mund të konsiderohej kurë një protagonist i madh. "Tirana mund tëe them që më ka ndihmuar shumë ne rritjen time si lojtar, më shumë në aspektin e rritjes, pasi mu dha mundësia të aktivizohesha rregullisht", - thotë Hyka, autor i dy golave në kampionat e katër në Kupën e Shqipërisë, ku spikat mbi të gjitha ai gol i madh në fitoren kundër Elbasanit (2-1), pikërisht kur Tirana luajti me 9 lojtarë pas disavantazhit 0-1.
MAINC 05 – Pse Mainc dhe jo Dinamo Zagreb? "Shiko, dua të tregohem i sinqertë, unë e kisha ndarë mendjen 100 për qind për të shkuar te Dinamo në Kroaci, por pas ndeshjes me Poloninë gjithcka ndryshoi. Më erdhën disa oferta dhe unë duhet të zgjidhja më të mirën dhe Mainci me ofroi kushte mjaft të mira si nga ana ekonomike, ashtu edhe sportive. Qëllimi im është i thjeshtë: Mainci mund të përdoret si trampolinë për më lart. Kontrata ishte 3.5 milionë euro duke përfshirë dhe taksat, ndërsa ajo neto për 3 vitet e kontratës shkon në total 1.7 milionë. Drejtuesit më ndoqën në ndeshjen kundër Polonisë dhe aq u mjaftoi për të më marrë, pasi ana financiare nuk përbente problem për ta". Mediat gjermane e përdorën gjerësisht përcaktimin "Maradona i Ballkanit" kur Hyka u ble nga Mainc. Por sa e ndjen të afërt Hyka këtë epitet. "Më ka ngelur që i vogël. Ma ka venë trajneri im i parë Bedrizan Dacollari, të cilit i jam shumë mirënjohës për punën që ka bërë me mua. Por, në të vërtetë nuk mund ta besoj një krahasim me lojtarin më të madh të të gjitha kohërave".
MILAN – Italia është një ëndërr reale për futbollistët shqiptarë. Igli Tare e Erion Bogdani janë një realitet. Ashtu si më parë Riza Lushta e Naim Kryeziu, por edhe Valon Behrami e Ervin Skela. "Milani është ëndrra ime. Ndoshta ia arrij një ditë të luaj për të". Hyka e konsideron një trampolinë Maincin. Të qenit pjesë e një ekipi të Bundesligës 2 dhe pranë një media të fuqishme gjermane, në fakt do të ndikonte më shumë te një transferim i tij te Bajerni. Futbolli shqiptar është i respektuar në Gjermani. Altin Lala, Fatmir Vata, Ervin Skela, Edmond Kapllani, apo më parë edhe Igli Tare, Altin Rraklli, kanë krijuar modelin e futbollistit shqiptar. "Bajerni është ekip i madh. Në jetë nuk i dihet, por fillimisht dua të jem me këmbë në tokë. Dua të zë sa më shpejt një vend titullari te Mainc".
Dash Frasheri