Kujtim Shala, legjenda pranë stolit të Teutës

Legjenda e futbollit kosovar Kujtim Shala është një nga alternativat e mundshme për të marrë stolin e Teutës. Presidenti Edmond Hasanbelliu ka kontaktuar me menaxherin Rudi Vata. "Po është e vërtetë, që kemi pasur bisedime me zotin Hasanbelliu", tha shefi i agjencisë më të madhe shqiptare të transferimeve "Vata Vision Football Management" në linjë telefonike nga Shkodra.
EMËR I MADH - Drejtuesit e Teutës, 3-herë fituese e kupës së Shqipërisë, duan ta harrojnë sezonin e kaluar, ku dhe pse ndërruan tre trajnerë, arritën të mbijetonin falë fitores në play-out me Burrelin (2-1). Presidenti i skuadrës durrsake synon rikthimin në elitë dhe një emër i madh në bankinë do të motivonte lojtarët, që kanë nevojë edhe për idhull. "Kujtim Shala, përvecse është një nga emrat më të mëdhenj të futbollit kosovar e ka luajtur për disa nga ekipet më të mëdha në Ballkan, Partizanin e Beogradit e Dinamon e Zagrebit, ka një përvojë të cmuar si trajner, pasi është asistent në Gjermani të Manheim i Bundesligës 2", thotë Rudi Vata, një njohës i mirë i futbollit dhe mentalitetit gjerman, ku trajneri luan një dorë të parë.
ALTERNATIVË E BESUESHME – Media ka folur për disa emra, ndër ta edhe Sulejman Starova, trajneri që e coi para dy sezonesh deri në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe i siguroi një vend në Kupën UEFA. "Unë besoj se dhe Kujtim Shala është një alternativë e mirë për Teutën dhe parimisht ndamë të njëjtin mendim edhe me presidentin e Teutës", - theskson Vata për Albania-sport.com. "Në ditët në vazhdim do të jemi në kontakt për të parë edhe disa detaje të tjera për një kontratë të mundshme. Dua të them se Kujtimit i pëlqen shumë të drejtojë një ekip në Shqipëri. Kërkon disiplinë, është një motivues i mirë i futbollistëve, por mund të shërbejë shumë edhe për talentet e Teutës me njohjet ndërkombëtare që ka".
SHALA NË "PASQYRË" - 44-vjecari i lindur në Prizren, e nisi karrierën me Liria e Prizrenit, ndërsa në vitin 1983 u transferua te Partizani i Beogradit, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit jugosllav. Më pas rikthimi te Prishtina e më pas kalimi te Dinamo e Zagrebit. Në vitin 1991 mesfushori energjik transferohet në Francë te Stade Rennes. Aventura në Gjermani nis me skuadrën e Bundesligës 2 me Stuttgarter Kickers e më pas te Chemnitzer. Viti 1995 e gjen në Bundesligë te Fortuna Düsseldorf. Stacioent e fundit të karrierës i kaloi te VfB Leipzig, FC Sachsen Leipzig dhe VfR Mannheim. Shala ka dhe një karrierë të bukur si trajner me Prishtinën në Kosovë dhe aktualisht është te ekipi i dytë te VfR Mannheim.