Jahmir Hyka, “çmenduria” e Maincit nuk luan fare
Jetmir Halilaj
Mainci pagoi 3.5 milionë euro për Jahmir Hykën verën që shkoi, me qëllim që të siguronte shërbimet e talentit shqiptar për katër vitet e ardhshme, por deri tani Hyka ka luajtur gjithsej vetëm 103 minuta me skuadrën gjermane, përfshirë këtu edhe ndeshjet e Kupës së Gjermanisë. Një ecuri aspak pozitive e lojtarit, aq më tepër nëse merret parasysh fakti që Mainci nuk ka shkëlqyer këtë sezon, përkundrazi, javën që kaloi pësoi një tjetër humbje në shtëpi 3-0 kundër Ingolstadit. Kalimi i Jahmir Hykës te Mainci gjatë kësaj vere u cilësua si një nga blerjet më të shtrenjta të merkatos në Bundesligën 2, dhe padyshim që ishte blerja më e shtrenjtë e klubit gjerman. Ky transferim u prit me shumë bujë në klubin e Maincit dhe ishte vetë trajneri Jërn Anderson, i cili tha se ishte i kënaqur që drejtuesit i kishin vënë në dispozicion një talent shumë premtues. Në fakt, është po i njëjti trajner, i cili deri në këtë fazë të sezonit ka vendosur ta lërë në stol thuajse gjatë gjithë kohës mesfushorin e avancuar shqiptar. Jërn nuk i ka dhënë asnjë shpjegim Hykës për zgjedhjet që bën, gjë që e pohon vetë futbollisti. Mainci ndodhet në krye të klasifikimit në Bundesligën 2 dhe ndonëse skuadra nuk është në nivelet e saj më të mira, ajo ndodhet e para në renditje. Ky është një problem më shumë përsa u përket mundësive që ka Hyka për të pasur më tepër hapësira, pasi dihet që kur një skuadër kryeson tabelën, trajneri e ka të vështirë të bëjë ndryshime në formacion. Mesfushori bën modestin kur thotë: “E rëndësishme është që skuadra po ecën mirë, të tjerat kanë pak rëndësi. Jam mirë fizikisht. Dëmtimi që pësova me Kombëtaren në Hungari kaloi dhe tani jam vërtetë mirë. Më vjen keq që nuk po luaj te Mainci, por zgjedhjet i bën trajneri dhe unë nuk mund t’i kërkoj llogari atij. Do të doja të kisha më shumë hapësira, por këtu nuk mund të bësh polemika. Shpresoj të vijë shansi im, ndonëse më duhet të pohoj se të qëndrosh kaq gjatë në stol, jo vetëm që nuk të bën mirë, por është e vështirë edhe për t’u kaluar me qetësi si situatë”, ka thënë Hyka për “Panorama”.