E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu e Thaçi refuzojnë paktin me EULEX

 

Pas bisedimeve të gjata me përfaqësuesit e BE-së dhe ata të SHBA-ve, Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi kanë refuzuar dokumentin gjashtëpikësh si marrëveshje e arritur mes OKB-së, BE-së dhe Beogradit për shtrirjen e EULEX-it. Prishtina zyrtare ka refuzuar projekt-marrëveshjen e arritur ndërmjet OKB-së, BE-së dhe Beogradit për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë. Ndërsa e kanë cilësuar këtë marrëveshje si cënim të sovranitetit dhe integritetit kushtetues, Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi kërkuan vazhdimin e bisedimeve për të arritur deri te një marrëveshje që do të ishte në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe pakon e Ahtisaarit. Sipas radios “Evropa e Lirë”, pas dy ditëve të negociatave intensive që Sejdiu e Thaçi zhvilluan me përfaqësuesit e vendeve të Quint-it, BE-së dhe ambasadoren amerikane, Tina Kaidanoë, dje në orët e mbrëmjes, liderët kosovarë dolën me qëndrimin unik me të cilin e refuzojnë këtë marrëveshje. Presidenti Sejdiu tha se elemente të kësaj marrëveshjeje janë të papranueshme, sepse cënojnë kushtetutshmërinë e Kosovës. “Institucionet e Republikës së Kosovës konsiderojnë se elemente substanciale të dokumentit gjashtëpikësh të prezantuar, nuk janë të pranueshme për Kosovën në formën e tanishme të tyre”. “Shprehim gatishmërinë për të vazhduar dialogun me bashkësinë ndërkombëtare (Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës), për të siguruar vendosjen sa më të shpejtë të EULEX-it në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke garantuar bashkëpunimin e plotë me to dhe institucionet e tjera ndërkombëtare”, tha Presidenti Sejdiu.
Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi tha se besonte që edhe partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë të Kosovës do ta kuptojnë vendimin e lidershipit të Prishtinës. Duke u ndërlidhur me një kërkesë të kryesueses së radhës së BE-së, me të cilën i rekomandohej Prishtinës që ta pranonte dokumentin gjashtëpikësh, Thaçi tha se pala kosovare gjithë procesin e pavarësimit e ka koordinuar me ndërkombëtarët, kurse si rezultat i këtyre koordinimeve ishte miratuar edhe pakoja e Ahtisaarit. Andaj, ai tha se Kosova nuk mund të quhet bllokuese e procesit të shtrirjes së misionit të EULEX-it dhe shprehu gatishmërinë e Prishtinës që bisedimet të vazhdojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›