Jaho: Presidenti sipas kushtetutës, por me konsensus
Konstitucionalisti Niazi Jaho i bën thirrje klasës politike që të punojë për arritjen e konsensusit për të zgjedhur në krye të institucionit të Presidencës një emër që të përfaqësojë unitetin e popullit. Sipas tij, vërtet Kushtetuta lejon zgjedhjen e kreut të ri të shtetit vetëm nga njëra forcë, por fryma e saj imponon zgjedhjen e një presidenti konsensual. Juristi Niazi Jaho thekson se nëse presidenti do të zgjidhej në mënyrë të njëanshme, thjesht dhe vetëm për faktin se është një militant partie, roli dhe funksioni kushtetues i tij do të komprometohej. Për juristin Jaho është e kritikueshme sjellja e partive politike, të cilat gjatë debateve politike shmangin tre raundet e para që flasin për zgjedhjen e presidentit me 84 vota, duke u fokusuar vetëm te dy raundet e fundit ku kryetari i shtetit mund të zgjidhet me shumicën e deputetëve.
Z.Jaho, në vitin 2008, Kuvendi ndryshoi nenin e Kushtetutës që parashikonte procedurën e zgjedhjes së Presidentit. Me këtë ndryshim, a bëhet e panevojshme zgjedhja e tij me konsensus midis mazhorancës dhe opozitës?
Në Prill të vitit 2008, u ndryshuan disa nene të Kushtetutës, midis tyre edhe neni 87 që parashikonte mënyrën e paraqitjes së kandidatit për President si dhe procedurën e zgjedhjes së tij. Sipas dispozitës së mëparshme, nëse edhe pas votimit të pestë, nuk do të sigurohej vota pro e tri të pestave të deputetëve, Kuvendi shpërndahej dhe kalohej në zgjedhje të reja. Neni 87 i Kushtetutës në fuqi, në votimin e katërt dhe të pestë, parashikon zgjedhjen për President të kandidatit që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë deputetëve. Sipas kësaj dispozite, Kuvendi shpërndahet vetëm në rastin kur pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re. Në përgjigje të pyetjes tuaj, mund të thuhet pa asnjë ngurrim se konsensusi midis mazhorancës qeverisëse dhe opozitës për zgjedhjen e Presidentit është i domosdoshëm, pavarësisht nga fakti se në votimin e katërt dhe të pestë kandidat për President zgjidhet edhe ai që siguron më shumë se gjysmën e votave të deputetëve.
A mund të sqaroni në mënyrë konkrete përse del nevoja e këtij konsensusi dhe në cilin nen bëhet fjalë për këtë?
Po i referohem dispozitave përkatëse të Kushtetutës. Konkretisht, në nenin 86 pika 1 e Kushtetutës thuhet Presidenti i Republikës është kryetar i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit. Kryetari i shtetit, siç dihet, nuk përfaqëson pushtetin e mazhorancës qeverisëse, por Republikën e Shqipërisë, ndërsa sovraniteti në këtë Republikë i përket popullit. Presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e popullit.
Nëse nuk do të synohej dhe nuk do të arrihej në zgjedhjen me konsensus të Presidentit, a do të përmbushej kërkesa kushtetuese që ai të përfaqësojë unitetin e popullit?
Mendoj se jo. Veç sa më sipër, votimi i parë, i dytë dhe i tretë (Neni 87, pika 3 e Kushtetutës) e bën të domosdoshme konsensusin sepse duhet të votohet pro kandidatit nga jo më pak se tri të pestat e të gjithë deputetëve. Vullneti i kushtetutbërësit për konsultime midis palëve që do të mund të arrinin në konsensusin për zgjedhjen e Presidentit del edhe nga afatet e përcaktuara para mbarimit të mandatit presidencial (neni 88, paragrafi 2/1 i Kushtetutës si dhe nga përmbajtja e nenit 87, pika 2, paragrafi 2 i Kushtetutës ku thuhet se votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit se secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës.
Sipas nenit 87 të Kushtetutës, nëse tri votimet e para do të dështonin dhe Presidenti do të zgjidhej vetëm me votat e mazhorancës qeverisëse, a do të konsiderohej shkelje e Kushtetutës?
Në aspektin formalo procedural, meqë edhe këtë rast e parashikon Kushtetuta, nuk do të quhej cenimi i saj. Por kjo do të evidentonte ose do të vërtetonte mungesë të konsensusit. Si rrjedhim, do të binte ndesh me frymën e Kushtetutës, me nenin 86 pika 1 e saj ku thuhet se Presidenti përfaqëson unitetin e popullit. Konsensusi edhe pse shprehimisht nuk përmendet në Kushtetutë, ai nënkuptohet madje në mjaft raste arritja e tij është e domosdoshme. Kështu p.sh aktualisht kërkohet që opozita të japë pëlqimin (do të thotë të votojë pro) për ligjet apo kodet që Kushtetuta parashikon votim të cilësuar, ose pa konsensus të gjerë midis mazhorancës dhe opozitës nuk mund të vendoset kufizimi i imunitetit etj. Veprimtaria parlamentare bën të nevojshme jo vetëm arritjen e konsensusit por në raste të veçanta, edhe të kompromiseve, natyrisht në përputhje me Kushtetutën dhe frymën e saj. Jashtë kësaj sfere apo praktike nuk mund të lihet as Presidenti i Republikës.
A mundet që Presidenti i Republikës të zgjidhet qysh në raundin e parë?
Sigurisht që mundet nëse për këtë do të arrihej konsensusi paraprak midis mazhorancës dhe opozitës dhe për kandidatin e propozuar do të votonin por jo më pak se tri të pestat e të gjithë deputetëve.
A lejon Kushtetuta që Kuvendit me konsensus ti paraqitet vetëm një kandidaturë?
Kushtetuta këtë nuk e ndalon. Në këtë rast do të mjaftonte vetëm propozimi që mund të bëhej nga njëzet deputetë.
Po 20 deputetë a mund të propozojnë më shumë se një kandidat?
Jo, sepse sipas pikës 1 të nenit 87 të Kushtetutës Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup jo më pak se 20 deputetësh ndërsa Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.
Me sa kuptohet, zgjedhja e Presidentit në muajin korrik të këtij viti do të jetë e vështirë. Çmendoni për këtë?
E vështirë do të ishte nëse do të mungonte vullneti politik dhe dispozitat e mësipërme kushtetuese do të interpretoheshin sipas interesave të ngushta partiake. Zgjedhja e Presidentit të Republikës, si dihet, është një moment i rëndësishëm. Si rrjedhim, edhe përgjegjësia e palëve është e madhe. Duke pasur parasysh rolin dhe funksionin e Presidentit çdo zgjedhje e njëanshme dhe e nxituar mund të shoqërohej me pasoja të dëmshme. Askush nuk do ta dëshironte këtë. Le të shpresojmë se mazhoranca dhe opozita do ta zgjidhnin me mirëkuptim dhe me transparencë këtë problem, gjë që do të ndikonte pozitivisht dhe në shumë drejtime të tjera.
A mund të bëni më të qartë shprehjen që përdoret në Kushtetutë se Presidenti është përfaqësuesi i unitetit? Mos vallë kjo kërkesë duhet pasur parasysh nëse Presidenti do të zgjidhej direkt nga populli?
Kjo është një temë e veçantë. Në këtë drejtim receta nuk mund të jepen. Kushtetuta parashikon zgjedhjen e Presidentit nga Kuvendi dhe jo direkt nga populli. Por pavarësisht se Presidentin e zgjedh parlamenti, ai nuk përfaqëson as interesat e mazhorancës dhe as ato të opozitës. Respektimi dhe zbatimi rigoroz i kompetencave që atij i ngarkon Kushtetuta i shërben konsolidimit të shtetit të së drejtës, ekuilibrit të ndarjes së pushteteve. Roli dhe funksioni kushtetues i Presidentit kompromentohet nëse në postin e tij do të zgjidhej për shembull një militant i kësaj apo asaj partie. Kandidati për President, jo vetëm në rrethe të ngushta, por edhe në opinionin e gjerë shoqëror duhet të njihet si person me integritet, i ndershëm, me figurë të pastër morale, i aftë dhe i kulturuar, i vendosur për të përballuar presionet e mundshme në dëm të Kushtetutës, ligjit
