E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jaho: “Rinumërimi i votave nuk e ndryshon rezultatin e zgjedhjeve”



Konstitucionalisti Niazi Jaho ka komentuar në një intervistë për Radio BBC-në kërkesat e opozitës për hetimin e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive të votimit. Jaho ka shpjeguar se hapja e kutive të votimit nuk e ndryshon rezultatin e zgjedhjeve. Sipas tij, ndryshimi i rezultatit të zgjedhjeve do të vihej në diskutim vetëm në rast se do të ankimoheshin vendimet e Kolegjit Zgjedhor.

Sa të bazuara në ligj janë qëndrimet e palëve?
Kodi Zgjedhor, me konsensusin e gjerë të partive më të mëdha, është miratuar në dhjetor të vitit 2008 dhe për herë të parë në këtë kod u është lënë e drejta dy anëtarëve të KQZ-së, pavarësisht se këta janë propozuar nga maxhoranca apo opozita që të kërkojnë marrjen e provave si dhe rinumërimin apo rivlerësimin e votave. Me sa më kujtohet, këto janë 2 nene, Neni 136 dhe Neni 138 të Kodit. Në këto nene thuhet afërsisht kështu: me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së, KQZ-ja është e detyruar të marrë provat e kërkuara nga dy anëtarët. Po ashtu thuhet se në rast se kërkesa për rinumërim ose rivlerësim të votave bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, KQZ-ja është e detyruar të bëjë rinumërimin ose rivlerësimin e votave.
Siç dihet, KQZ-ja i ka refuzuar këto kërkesa që janë bërë nga dy anëtarët me arsyetimin se nuk janë të bazuara, nuk ka të dhëna, nuk ka prova për të miratuar një kërkesë të tillë. Kam mendimin se KQZ-ja në këto raste ka gabuar, sepse përmbajtja e neneve që përmenda më lart e detyron KQZ-në të pranojë kërkesën e dy anëtarëve, domethënë ligjbërësi që ka miratuar Kodin, nuk e ka lënë këtë çështje në çmimin e KQZ-së ta pranojë ose jo këtë kërkesë. Le të marrim një shembull. Ju e dini që Parlamenti ka të drejtë të ngrejë dhe komisione hetimore për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Në Kushtetutë, sa më kujtohet, thuhet se kur këtë kërkesë e bën 1/5 e deputetëve, ai komision ngrihet detyrimisht pasi Kuvendi nuk ka të drejtë të refuzojë ngritjen e komisionit. E njëjta situatë është dhe me KQZ-në në këtë rast, pasi ligji nuk e lë në çmimin e KQZ-së kërkesën, por ligji thotë se detyrohet ta miratojë.

Shtatë anëtarët e KQZ-së e firmosën rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Shqipëri...
Kjo nuk ka rëndësi, pasi nuk ka asnjë lidhje me këtë. Derisa çështja kishte kaluar në KQZ dhe nga KQZ-ja në Kolegj, ai konfirmon një fakt që ka marrë formë të prerë.

A e parashikon Kushtetuta e Shqipërisë hapjen e kutive të votimit?
Jo, Kushtetuta nuk merret me hapjen e kutive.

Pra nuk ka një kërkesë antikushtetuese nga opozita?
Jo, në Kushtetutë nuk përmendet fare diçka e tillë. Në Kushtetutë thuhet se komisioni hetimor ngrihet për të shqyrtuar një çështje të veçantë dhe çështjet e veçanta mund të jenë të ndryshme. Rëndësi ka objekti, se përsa i përket komisionit hetimor, nëse ngrihet për çdo lloj çështje, nuk është në dorën e Kuvendit ta ngrejë apo jo, është në dorën e kërkesës së 1/5 të deputetëve.

Në rastin konkret, kërkesa e opozitës për të hapur kutitë e votimit në katër qarqe të caktuara ka një vendim gjykate.
Ajo është një çështje tjetër, që nuk ka lidhje me Kushtetutën, por me problemet e Kodit Zgjedhor. Vendimi i Gjykatës është i formës së prerë dhe rezultati pa u atakuar vendimi Gjykatës nuk ndryshon. KQZ-ja vendosi, çështja u ankua në Kolegjin Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor gaboi, apo jo? Ka dhënë një vendim të formës së prerë dhe rezultati që është dhënë është i pandryshuar.

Pra, edhe nëse do të kemi një hapje të kutive të votimit me një vendim politik, a do të kemi ndryshim rezultati?
Ky është një problem, le të themi, politik, transparence, nuk ka të bëjë me ndryshim të rezultatit.

23 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›