Rama: “Hetimi i zgjedhjeve, për transparencë, jo për të rrëzuar vendimin e Kolegjit Zgjedhor”
Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u është kundërpërgjigjur menjëherë deklaratave të kryeministrit Berisha, sipas të cilit, kërkesa e opozitës për hapjen e kutive të votimit synon të dalë mbi vendimet e sistemit gjyqësor. Kryesocialisti Edi Rama reagoi dje në një konferencë për shtyp, ku sqaroi se kërkesa e opozitës për hetimin e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive të votimit i shërben vetëm transparencës dhe jo rrëzimit të vendimeve të Kolegjit Zgjedhor. Rama i quajti spekulime flagrante deklaratat e kryeministrit Berisha. “Dëshiroj të përsëris se Sali Berisha bën një spekulim flagrant kur tenton ta justifikojë mbajtjen peng të kutive të 28 qershorit me argumentin se kërkesa e opozitës i bie ndesh sistemit të Drejtësisë. Kërkesa e opozitës nuk ka asnjë lidhje me procesin e ankimimit dhe gjykimit të të gjitha atyre çështjeve që kanë pasur të bëjnë me KQZ-në dhe me Kolegjin Zgjedhor, por është një kërkesë që është tërësisht në konformitet të plotë me të drejtën kushtetuese, demokratike dhe të patjetërsueshme të Parlamentit për të bërë transparencë mbi çdo çështje të veçantë që shihet e udhës nga një grup deputetësh për të hetuar”, - deklaroi Rama.
Transparenca
Kryesocialisti Edi Rama theksoi se Partia Socialiste dhe opozita në tërësi kërkojnë vetëm transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas Ramës, transparenca duhet të jetë e plotë, duke filluar nga hetimi i zgjedhjeve, nga listat e zgjedhësve, procesverbalet e rezultateve dhe deri te rinumërimi i votave. “Ne kërkojmë hetimin e procesit zgjedhor të 28 qershorit, dhe jo ankimim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Ajo që ne na intereson dhe ajo që i intereson vendit është transparenca. Ne kërkojmë transparencën e këtij procesi zgjedhor, që do të jetë i fundit në zinxhirin e proceseve zgjedhore të deformuara dhe të kontestuara. Ne kërkojmë transparencën për t’u ndarë njëherë e mirë nga një traditë e mbrapshtë që më 28 qershor arriti kulmin e deformimit dhe sofistikimit. Ne kërkojmë transparencë të plotë për të kthyer besimin te vota dhe te zgjedhjet për shqiptarët e shqiptaret, që në shumicë dërrmuese e kanë humbur këtë besim pikërisht për shkak të 28 qershorit. Por, kërkesa e kërkesave tona është hapja e kutive të votimit dhe të gjitha kërkesat e tjera bëhen të pakuptimta nëse shkëputen nga njëra-tjetra dhe aq më tepër shkëputen nga kjo kërkesë e kërkesave. Transparencë për listën e zgjedhësve. Transparencë për të gjitha procesverbalet dhe për të gjitha votat që gjenden në kuti, në mënyrë që i gjithë procesi të dalë nga kutia, e t’i ekspozohet shqiptarëve dhe të shërbejë për të mos pasur më procese të tilla, por për të hapur një rrugë të re të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri”, - vijoi ai.
Krahasimi
Kreu i PS-së tha se refuzimi i Berishës për të hapur kutitë e votimit bën që Shqipëria të mos krahasohet as me Afganistanin dhe se krahasimi i duhur do të ishte me atë çka po ndodh sot në Iran. “Sali Berisha nuk mund ta pengojë këtë transparencë as me fuqinë e pushtetit të grabitur dhe as me pafuqinë e arsyes së mosarsyeve që shton dita-ditës në përpjekjen e kotë për të krijuar idenë se zotëria na qenka dashamirës ndaj kërkesave të opozitës, kur ato janë brenda ligjit. Çfarë ka të paligjshme në kërkesën për të hapur kutitë dhe për të hetuar gjithçka brenda kutive, në funksion të transparencës dhe jo të ndryshimit të pushtetit në tavolinë? Asgjë të paligjshme nuk ka. Dhe, me sa duket, krahasimi me Afganistanin ka qenë shumë bujar. Në fakt sot jemi në kushtet kur krahasohemi me Iranin dhe ngjashmëria e njeriut që sot mban pushtetin në Shqipëri me vota të grabitura, nuk ka, me sa duket, lidhje me njeriun që drejton Afganistanin, sepse ai jo vetëm ka lejuar hapjen e kutive, por edhe përsëritjen e zgjedhjeve. Por ka lidhje më shumë me ato modele që i kemi shpjeguar dhe rishpjeguar, me Republikat Sovjetike, ku pushteti numëron, pavarësisht se si voton populli. E pra, Shqipëria nuk mund të jetë një model i tillë dhe ne do ta rrëzojmë këtë përpjekje për të ndërtuar këtë model, sepse ne nuk pranojmë të jetojmë në mes të Europës si të ishim jashtë saj” - tha Rama.
23 Tetor 2009