E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton ligjin për përdorimin e letrave me vlerë në procesin e legalizimit



Gjatë seancës së djeshme parlamentare Kuvendi miratoi ndryshimet e paraqitura nga Ministria e Financave për ligjin e legalizimeve. Ndryshimet në ligj parashikojnë që për të legalizuar objektet pa leje qytetarët mund të përdorin bonot e privatizimit, ose siç quhen ndryshe, letrat me vlerë, që janë shpërndarë në bazë të ligjit të vitit 1995. Ministri i Financave, Ridvan Bode, bëri të ditur se futja në treg e letrave me vlerë lehtëson qytetarët nga ana financiare, por edhe rikthen në treg dhe u jep fuqi vepruese këtyre letrave me vlerë. “Ne mundohemi që të lehtësojmë koston e personave që janë në proces legalizimi. Përmes këtij ligji qeveria ka pasur për objekt futjen në treg të angazhimeve të marra përmes letrave me vlerë të ish-përndjekurve politikë duke ofruar një treg të konsiderueshëm për të dhënë një gjallërim të mëtejshëm tregtimit të letrave me vlerë, aktivizimit të këtij tregu. Mendoj se përbën një kontribut të çmuar të qeverisë dhe krijon kushte për të përshpejtuar akumulimin e fondit të nevojshëm për kompensimin e ish-pronarëve, kompensimin e tyre me pagesën e kundërvlerës së tokës së zënë”, - është shprehur Bode. Në projektligj është parashikuar që bonot e privatizimit të shpërndara për ish-të përndjekurit politik dhe subjekteve të tjera gjatë privatizimeve të objekteve shtetërore të kenë të njëjtin trajtim me bonot e privatizimit që do të përdoren për legalizimet e ndërtimeve pa leje. Sipas ligjit, të gjitha taksat dhe detyrimet financiare që rrjedhin nga kalimi i pronësisë së parcelës ndërtimore do të paguhen me para, ndërsa tarifa e legalizimit paguhet me letra me vlerë. Në projektligj janë parashikuar ndryshime të rëndësishme, sidomos në nenet 19, 20 dhe 21 ku parashikohet që për sipërfaqe që deri tani aplikohej tarifa në përputhje me vlerën e plotë të tregut nuk mund të aplikohet pjesërisht pagesa më bonot e privatizimit. Në funksion të idesë së përdorimit të pagesës me bono privatizimi janë bërë ndryshime edhe në dispozitën që lidhet me dokumentacionin ligjor për legalizimin dhe ndërtimin e ndërtesave informale, ku është parashikuar që subjekti mund të paraqesë kërkesë për mënyrën e pagesës për legalizimin e nderimit pa leje. Projektligji ka parashikuar edhe efektet prapavepruese për personat që kanë kryer këto pagesa për legalizimin e ndërtimeve para hyrjes në fuqi të tij, në mënyrë që të përfitojnë nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit, apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë në këmbim të dorëzimit të bonove. Personat duhet të bëjnë një kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t dhe afati për të përfituar është 3 muaj.

Deputetët e PD-së mbrojnë Marrëveshjen për kufijtë detarë me Greqinë

Deputetët e maxhorancës kanë mbështetur Marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke për përcaktimin e kufijve detarë. Deputeti i PD-së, Osman Metalla, duke iu përgjigjur shqetësimit të opozitës për këtë marrëveshje, tha se ajo është në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe konventën detare. Sipas tij, atakimi që i bëhet Marrëveshjes nga opozita godet së pari interesat strategjike dhe ekonomike të vendit. "Atakimi që i bëhet kësaj marrëveshjeje është një sulm që i bëhet interesave të Shqipërisë. Vendosja e kufijve detarë është një element i rëndësishëm strategjik për sigurinë kombëtare", - tha deputeti Metalla. Ndërsa deputetja e PD-së, Mesila Doda, në diskutimin e saj për këtë çështje tha se asgjë reale nuk ka cenuar tërësinë e kufijve tanë. "Mund të pohojmë para qytetarëve se asnjë pëllëmbë tokë, det apo ajër i territorit shqiptar nuk i është falur dhe as nuk do t’u falet ndonjëherë fqinjëve apo aleatëve", - është shprehur Doda. Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, që vijojnë të bojkotojnë punimet e Kuvendit, deputetja Doda i ftoi ata që para atakimit të Marrëveshjes të vijnë në Parlament dhe të kontribuojnë për reformat. Marrëveshja dypalëshe mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke për delimitimin e hapësirave detare dhe shelfit kontinental me Greqinë u ankimua dy ditë më parë në Gjykatën Kushtetuese nga gjashtë parti të opozitës. Përfaqësues të PS-së, partia më e madhe opozitare në vend, u shprehën se kërkesa vinte nga shqetësimi se Marrëveshja ishte hartuar në mungesë të transparencës dhe në përllogaritje të gabuara hartografike.

23 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›