Leskaj: “Ekzekutivi po kontrollon në mënyrë të patolerueshme Kuvendin”
Partia Socialiste ka komentuar sërish Progres-Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë. Deputetja socialiste, Valentina Leskaj, është ndalur në atë pjesë të raportit, i cili kritikon kontrollin e Ekzekutivit ndaj Kuvendit. Leskaj tha se Partia Socialiste është tejet e shqetësuar për këtë kontroll, i cili po thellohet gjithnjë e më tepër. “PS-ja shpreh shqetësimin e saj për një tjetër shfaqje të deformimit të demokracisë në vend, e që lidhet me konstatimet e Raportit të BE-së lidhur me funksionimin e Parlamentit. Shprehja më e qartë e këtij deformimi janë problemet që raporti ngre lidhur me çështje të mbikëqyrjes parlamentare ndaj qeverisë. Konstatimi i Raportit lidhur me kontrollin e Parlamentit mbi Ekzekutivin është një ndër problemet më të mëdha të funksionimit të demokracisë në vend. Një demokraci nuk mund të jetë funksionale për sa kohë që raportet Parlament – Ekzekutiv janë raporte të përmbysura, duke krijuar një situatë absurde. Janë të përmbysura jo vetëm për shkak të refuzimit të kreut të qeverisë për raportimin në Parlament edhe për çështje shumë të rënda, siç ishte ajo e Gërdecit, që u pagua me jetë njerëzish, po që shkojnë deri te komandimi i axhendës dhe rregullave të funksionimit të Parlamentit. Konkluzioni tjetër i Raportit të BE-së se zbatimi i buxhetit të Parlamentit dhe rregullat e brendshme financiare kanë vazhduar të vuajnë nga mungesa e transparencës dhe përgjegjshmërisë, është gjithashtu i rëndë. Kjo provon edhe njëherë shqetësimin që opozita ka ngritur për mënyrën e menaxhimit të këtij institucioni. PS-ja vëren gjithashtu me të njëjtin shqetësim që shpreh dhe raporti i BE-së, se administrata e Parlamentit, e rekrutuar jo mbi kërkesat e ligjit dhe e vënë nën presionin për t’u kthyer në një aneks të partisë në pushtet, ka krijuar kosto në cilësinë e punës. Në këto kushte, PS-ja kërkon respektimin e ndarjes së pushteteve dhe të rregullave të funksionimit të Parlamentit, kërkon reflektim të thellë mbi rekomandimet e Progres-Raportit të BE-së. Kërkojmë që Parlamenti të fuqizojë kapacitetet administrative që të kryejnë funksionin kontrollues mbi procesin legjislativ. Kërkojmë zbatimin e ligjit lidhur me transparencën e buxhetit, me rregullat e brendshme financiare dhe procedurat e rekrutimit të administratës për të rritur kapacitetet e saj, si dhe rritjen e rolit të Parlamentit në monitorimin e zbatimit të MSA-së dhe nevojën e dialogut politik si një prioritet i partnershipit europian”, - tha Leskaj.
23 Tetor 2009