E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali, mjekët sharlatanë, vdes 34-vjeçarja që ndërpreu mjekimin

Shënohet viktima e parë publike që ia besoi shëndetin një “profeteje”

Jonida Tashi

Shënohet viktima e parë publike në vend që ia dorëzoi verbërisht veten për kurimin e sëmundjes së saj një “profeteje” në kryeqytet. Bëhet fjalë për 34-vjeçaren Adriana Ismaili, e cila ka ndërruar jetë pasi vendosi të ndërpresë mjekimin e dhënë nga mjekët specialistë, duke iu drejtuar profetes që i kishte premtuar mrekullinë. Por, në fakt, jo vetëm që nuk ndodhi mrekullia, por gruaja në fjalë u bë për disa kohë “gjahu” i profetes, e cila, në këmbim të kurimit, duhej të shpërblehej me shuma të mëdha parash. Rasti në fjalë është një kambanë alarmi për të gjithë ata njerëz që marrin vendimin për të hequr dorë nga trajtimi i specializuar mjekësor i sëmundjes, duke besuar se shpëtimi për kurimin mund t’u vijë nga forca të mbinatyrshme, siç pretendojnë vetë profetët e rremë. Të gjithë ata pacientë që kanë kaluar në duart e këtyre “mjekëve” sharlatanë me shpirt prej krimineli jo vetëm që nuk kanë gjetur shërim, por janë përkeqësuar edhe më. Është kulmi i poshtërsisë dhe i ligësisë që të besh biznes e të pasurohesh duke u marrë jetën njerëzve.
Viktima
Historia e Adriana Ismailit zë fill para një viti, kur ajo vendosi të tregojë publikisht në emisionin “Top Show” se ishte shëruar nga sëmundja e rëndë pas kurimit nga profetja që i premtoi mrekullinë. Por, fatkeqësia për 34-vjeçaren dhe të afërmit e saj ndodhi vetëm pak muaj pas deklaratës së saj publike, se ishte shëruar nga profetja, pasi tashmë kjo grua është ndarë nga jeta sepse ndërpreu mjekimet, megjithëse kategorizohej nga mjekët e Onkologjikut në Tiranë te pacientët e rëndë. Gjatë emisionit “Top Show” për profetët, ka qenë e pranishme edhe vetë profetja që pretendonte se kishte fuqi të mbinatyrshme për të shëruar sëmundjet e njerëzve, duke filluar nga më të lehtat deri tek ato më të rëndat. Duke marrë shkas nga besimi i verbër i njerëzve që ishin drejtuar për të shëruar sëmundjen te kjo grua, profetja deklaroi se u ka gjetur shpëtimin nga vdekja shumë njerëzve të sëmurë, të cilët nuk kanë gjetur shërim nga mjekësia. Më pas ky emision shkaktoi një varg polemikash, ku u përfshinë edhe mjekë specialistë dhe përfaqësues të fesë, të cilët, që në atë kohë dënuan thirrjet e personave që deklarohen profetë dhe u kërkojnë pacientëve të heqin dorë nga mjekimi.
Rastet
Adriana Ismaili nuk është rasti i parë që ka hequr dorë nga mjekimi, duke zgjedhur rrugën e gabuar për t’u shëruar. Si viktima e parë këtij fenomeni që po kërcënon çdo ditë e më shumë shoqërinë shqiptare ka me qindra raste. Problemi më i madh në këtë rreth të mbyllur pacientë-profetë qëndron në faktin se raste të tilla nuk preferohen të bëhen publike, pasi janë vetë njerëzit që kanë zgjedhur profetët si shpëtim që nuk dëshirojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo situatë alarmante ka vënë në pozita të vështira edhe Prokurorinë, e cila deklaron se nuk mund të vihet në dijeni të rasteve të tilla. Prokuroria pret denoncimet nga familjarë jo vetëm të atyre që kanë humbur jetën, ku akuza që ngrihet është vrasje me dashje, por edhe të atyre që u janë shkaktuar probleme serioze për shëndetin. Ndërkaq, deri tani, në Prokurorinë e Tiranës, asnjë institucion shtetëror apo individ nuk është paraqitur për të bërë kallëzim penal. Kurse për rastin në fjalë, burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës bëjnë të ditur se do të nisin hetimet, por paraprakisht nevojitet marrja e denoncimit nga të afërmit e 34-vjeçares Adriana Ismaili. Gjithashtu, Prokuroria u bën apel të gjithë qytetarëve që u ka ndodhur ose u ndodh një mashtrim i tillë, që të bëjnë kallëzimin penal në organin përkatës.

Reagon Urdhri i Mjekut
“Shteti të ndjekë penalisht të gjithë personat që ushtrojnë kompetencat e mjekut”

Kreu i Urdhrit të Mjekut, Dine Abazi, kërkon që shteti të zbatojë ligjet dhe të ndjekë penalisht të gjithë personat që ushtrojnë kompetencat e mjekut, megjithëse nuk kanë asnjë të drejtë ligjore. “T’i shkaktosh vdekjen tjetrit duke i hequr shpresën e dhënë nga mjekimet, do të thotë se ke kryer vepër penale”, - u shpreh Abazi. Më tej, kreu i Urdhrit të Mjekut tregon se me raste të tilla është ndeshur edhe në të kaluarën dhe strukturat përgjegjëse nuk kanë marrë asnjë masë. “Këta njerëz ligjërisht nuk duhet të veprojnë dhe organet përkatëse mbajnë përgjegjësi për ta. Jetojmë në një shtet ku nuk zbatohen ligjet”, - theksoi Abazi.

Eleonora Bregu, zhdukja e “shenjtores” që mashtroi njerëzit

Eleonora Bregu ishte një “shenjtore” që u bë mjaft publike në vendin tonë vitet e fundit, e cila pretendonte se kishte fuqi të mbinatyrshme për të zgjidhur problemet e njerëzve. Për misionin e saj të shenjtë, të quajtur “Eleonore”, asokohe u hodhën hije dyshimi dhe akuza të rënda. Denoncimi u bë nga një grup personash, të cilët, në një letër që dërguan në një të përditshme, pasqyroheshin fakte për abuzime të “shenjtores” me besimin e njerëzve dhe përfitime shumash financiare. Anëtarët e misionit dhanë me detaje prova shkresore, fakte që sipas tyre tregonin mashtrimet e Eleonorës dhe përfitimin e shumave financiare. Pasi rasti i Eleonorës u denoncua publikisht, ajo vendosi që të largohej nga Shqipëria, duke kërkuar azil politik në Amerikë.

Pse besonin njerëzit te shërimi i Zotit
Në kohët e hershme (në Paganizëm), njerëzit, duke pasur njohuri të pakta për shkencën dhe mjekësinë, çdo gjë që nuk arrinin ta shpjegonin e vishnin me besim, magji, okultizëm apo të tjera si këto. Njeriu e konsideronte gjendjen e mirë shëndetësore si diçka normale, ndaj nëse kjo gjendje cenohej dhe njerëzit sëmureshin, kjo vinte si rezultat i mëkateve të njeriut dhe e sjelljes së tij karshi perëndive. Që të shëroheshin këta njerëz u duhej të shkonin te shamanet apo priftërinjtë paganë, sepse vetëm zotët ishin në gjendje të bënin gjithçka, prandaj vetëm prej tyre vinte shërimi. Janë herboristët që më pas u morën edhe për shtriga, ata të cilat filluan të hedhin hapat e parë në mjekësi. Përmes vëzhgimeve dhe studimeve, ndonjëherë jo shumë të mirëpritura, filloi të zhvillohet mjekësia, e cila, përmes vërejtjes së simptomave të përgjithshme në njerëz, arrinte të gjente ose të sugjeronte një kurë apo ilaç për shërim. Mjeku dhe pacienti nuk ndërvepronin ndërmjet tyre. Pacienti ishte ai që duhej pyetur më pak për shërimin e tij, sepse i takonte mjekut të merrej me sëmundjen. Përveç kësaj ideologjie u përhap më pas edhe mjekësia natyrore (e cila sugjeronte se të sëmurët arrinin përmirësime në praninë e diellit, ujit dhe natyrës në përgjithësi). Për një farë kohe u përhap edhe magnetizmi/mesmerizmi (që merrte fillimisht si bazë aftësinë e magnetit për të tërhequr çdo gjë dhe si element mistik paraqiste vlera të mëdha kuruese. Por më vonë u zbulua se ishte një metodë sugjestionuese për pacientët e sëmurë, të cilët shfaqnin përmirësime kur kishin më tepër besim se do të shëroheshin; prej këtu hidhen hapat e parë në krijimin e një shkence që arrin ta bëjë të ndihet më mirë njeriun.

22 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›