E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jaka dhe vartësit në Apel kërkojnë pafajësi

Ish-zëvendësministri Nikolin
Jaka u lirua nga burgu 10 ditë
pas vendimit të dhënë nga Gjykata
e Tiranës, duke bërë vetëm 9 muaj
burg. Dje dosja është ankimuar në
Gjykatën e Apelit. Seanca gjyqësore
ndaj ish-zëvendësministrit
të Transporteve dhe disa vartësve
të tij duket se nuk ka shkuar
ashtu siç dëshironin ankimuesit.
Prokuroria kërkoi për Jakën dënimin
me dy vjet burg nga Apeli,
ndërsa Shkalla e Parë e ka dënuar
atë me 1 vit e 20 ditë burg. Nga
ana tjetër, akuza kërkon dënim
edhe për Ilirjan Berzanin me 3
vjet burg, ndërsa në Shkallën e
Parë u dënua me 2 vjet burg. Të
pandehurit kanë marrë edhe nga
një gjobë prej Shkallës së Parë
për akuzat e ngritura. Janë shtatë
persona të dënuar nga Gjykata e
Faktit për abuzim me tenderët, i
cili shkon deri në 17 milionë euro.
Gjoba që gjykata ka vendosur për
të gjithë të pandehurit arrin deri
në 4 milionë lekë të reja. Ish-zv/
ministri i Transporteve, Nikolin
Jaka, u dënua 1 vit e 20 ditë burg.
Akuza është ajo për "korrupsion
pasiv". Një gjobë prej 500 mijë
lekësh dhe 3 vjet pezullim nga
detyra. Por ky vendim nuk është
mirëpritur nga i pandehuri, i cili e
ka apeluar dje atë. Në datë 1 korrik
gjykata do të shpallë edhe vendimin
përfundimtar të formës së
prerë. Ish-drejtori i përgjithshëm
i Rrugëve, Ilir Berzani, u dënua
me 2 vjet heqje lirie dhe me gjobë
2.6 milionë lekë. Por Berzani nuk
mund ta ushtrojë profesionin e
tij edhe për 6 vjet. Arjan Sheti,
ish-drejtori i Drejtorisë Juridike në
Drejtorinë e Rrugëve, u dënua 1 vit
e katër muaj burg dhe 400 mijë lekë
gjobë, si edhe heqje e ushtrimit të
funksioneve shtetërore për 6 vjet.
Një vit burg u dha për ish-drejtorin
e Drejtorisë së Koordinimit në
Drejtorinë e Rrugëve, Xhevahir
Muçogllava dhe heqjen e të drejtës
për të ushtruar funksione publike
për 6 vjet, si edhe nga 1 vit e 20
ditë burg për dy biznesmenët Isuf
Ukperaj e Skënder Bokçiu, masë
dënimi e shoqëruar dhe me gjobë
nga 600 mijë lekë për secilin. Kurse
ish-drejtori i Prokurimeve në Drejtorinë
e Përgjithshme të Rrugëve,
Bashkim Kamberi, u dënua me një
vit e 20 ditë burg dhe heqjen e të
drejtës për të ushtruar funksione
publike për 6 vjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›