Jakup Krasniqi: Imuniteti, jo në Kushtetuese, ligji është i qartë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga përgjigjja që ia ka dhënë EULEX-it, lidhur me çështjen e imunitetit të deputetëve. Ai tha se çështja e imunitetit të deputetëve është mirë e qartësuar me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën, prandaj sipas tij, Kuvendi i Kosovës nuk do të nxjerrë Rezolutë për të kërkuar qartësim nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të martën, kryetari i Kuvendit të Kosovës sërish ka thënë se “institucioni ligjvënës do t’i ndjekë vetëm rregullat që parashihen me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi”.
I pyetur për mundësinë e tejkalimit të situatës dhe që të sqarohet çështja e imunitetit të një deputeti, Krasniqi ka thënë prerazi se ai nuk ka problem me interpretimin. “Është e qartë. Deputeti është me imunitet 24 orë. Kush ka probleme me interpretimin le ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese”- ka thënë Krasniqi. Ai ka vlerësuar ditë më parë se nuk është përgjegjësi e Kuvendit që të merret me çështjen e imunitetit. Andaj, ai i ka sugjeruar EULEX-it që, bazuar në Kushtetutën e Kosovës, Qeveria vetë mund të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese interpretim për imunitetin e deputetit.
Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit u vendos të mbahen dy seanca, njëra këtë javë dhe tjetra javën e ardhshme.
Feith mbetet mbikëqyrës deri në fund të 2012-së
Grupi i shteteve që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe që e mbështet atë ka rënë në ujdi që Pieter Feith të mbetet mbikëqyrësi i vetëm i pavarësisë që e ka pasur dhe do ta ketë Kosova. ISG-ja ka rënë dakord, sipas disa burimeve, që ICO-ja të mbyllet nga fundi i vitit 2012, me çka do të përmbyllej edhe mbikëqyrja e pavarësisë. Deri në fund të vitit të ardhshëm, sipas burimeve, shtetet janë marrë vesh që t`i jepet mbështetje e gjithanshme Pieter Feithit dhe zyrës së tij, ICO, që të zbatohen edhe pjesët e mbetura të Pakos së Ahtisaarit, të cilat kanë të bëjnë me komunën në veri të Mitrovicës, krijimin e zonave të mbrojtura rreth objekteve të trashëgimisë fetare dhe kulturore, si dhe disa aspekte të të drejtave të komuniteteve.