Jala, zbardhen përgjigjet dhe akuzat e inspektimit
Shembja e shtëpive në Jalë, duke përjashtuar ligjshmërinë e tyre, ka sjellë një tërmet në Bankën Botërore. Palët, inspektorët dhe stafi që menaxhoi projektin kanë dalë në konkluzionin se gjithçka është bërë keq. Gazeta boton sot pjesë nga raporti i Bankës, ku flitet për lidhjet e dyshimta të prishjeve të shtëpive në Jalë. Bëhet fjalë për letrën e dërguar nga Jamarbër Malltezi, dhëndri i kryeministrit Berisha, për shembjen e ndërtimeve në Jalë. Në fillim janë paraqitur gjetjet e inspektorëve të Bankës Botërore dhe më pas është përgjigjja e grupit të menaxherëve të Bankës Botërore.
Lidhjet midis prishjes së objekteve në Jalë dhe projektit.
Investigimi i Panelit zbuloi një lidhje të rëndësishme dhe të drejtpërdrejtë midis projektit dhe prishjes së objekteve në Jalë. Në të vërtetë, informacioni i regjistruar i projektit tregon se ka pasur një marrëdhënie aktive midis projektit dhe Policisë së Ndërtimit dhe nxjerr në pah faktin se fotografitë ajrore të financuara në kuadër të projektit kanë shërbyer për të identifikuar ndërtesat që u prishën. Më 26 mars 2007, njësia e Koordinimit të Projektit u ka dërguar një letër, me kokën zyrtare të letrës së Projektit të financuar nga Banka, e nënshkruar nga Koordinatori i Projektit, thuajse të gjitha autoriteteve qeveritare përkatëse të nivelit të lartë, përfshirë edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Ndërtimit, ku i njoftonte këto autoritete për ato që ai i karakterizonte si ndërtesa të paligjshme përgjatë bregut të detit Jon. Bashkëlidhur kësaj letre, dërgoheshin dy kompakt disqe me foto ajrore të bregdetit. Fotot ajrore të bregdetit janë financuar nga projekti. Është e rëndësishme të theksohet se NJKP e ka dërguar këtë shkresë me kokën zyrtare të letërkëmbimit të projektit të financuar nga Banka dhe se letra është nënshkruar nga drejtuesi i NJKP-së, me cilësinë e Koordinatorit të Projektit, dhe se bashkëlidhur shkresës janë dërguar fotografitë ajrore të financuara nga projekti. Në përgjigjen e saj, Policia e Ndërtimit thoshte se kishte kryer të gjitha procedurat e nevojshme dhe vendimet për prishjen e këtyre objekteve u ishin njoftuar palëve përkatëse.
Të dhënat e regjistruara të projektit tregojnë se, projekti ka dhënë mbështetje, si materiale ashtu edhe teknike për Policinë e Ndërtimit për prishjen e objekteve, e cila ishte shkaku i paraqitjes së Kërkesës për Inspektim. Pika më e rëndësishme ishin fotografitë ajrore të përdorura për të identifikuar shtëpitë që duheshin prishur. Kjo përbën një mbështetje të drejtpërdrejtë dhe me rëndësi materiale të projektit për prishjen e objekteve në Jalë. Paneli vëren se ky aktivitet i projektit nuk pranohej dhe as përshkruhej në përgjigjen e grupit të menaxherëve. Madje, në përgjigje thuhet, me terma aspak të paqartë, se “prishja e objekteve nuk ka pasur asnjë lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me projektin”. Dokumentacioni i projektit tregon se, projekti ka ofruar burime dhe mbështetje për Policinë e Ndërtimit në lidhje me aktivitetet për prishjen e objekteve në zonën e projektit. Kjo lloj mbështetjeje konfirmon një lidhje me rëndësi të madhe midis projektit dhe prishjes së objekteve.
Mirëpo, ky përshkrim në përgjigjen e grupit të menaxherëve nuk përfshin elementet e planit të prokurimeve të projektit, që përfshin sigurimin e pajisjeve të zyrës, orendive dhe automjeteve për kapacitetin e zbatimit me forcë të ligjit dhe pajisjet për mbledhjen dhe transportimin e mbetjeve inerte nga prishja e objekteve. Sikurse theksohet më lart, misioni mbikëqyrës i datës 19-24 shkurt 2007 konfirmonte sigurimin e pajisjeve bazë për Policinë e Ndërtimit nga projekti. Për më tepër, më 3 prill 2006, Policia e Ndërtimit paraqiti një kërkesë për financimin nga projekti të automjeteve dhe disa artikujve të pajisjeve elektronike dhe të zyrës. Analiza dhe faktet e konstatuara më lart tregojnë se duhet të ishte aplikuar politika e Bankës “Për shpërnguljen e detyruar” në rastin e prishjes së objekteve që lidhet me projektin. Ky përfundim merr në konsideratë asistencën që projekti i ka dhënë Policisë së Ndërtimit për kryerjen e funksioneve të kësaj të fundit, fotografitë ajrore që identifikojnë shtëpitë e prishura po kështu janë financuar nga projekti, si edhe komunikimi zyrtar i NJKP-së që i bën thirrje Policisë së Ndërtimit të merret me ndërtimet e pretenduara si të paligjshme. Paneli e gjen të pabazë thënien e grupit të menaxherëve se, “prishja e objekteve nuk ka pasur lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me projektin”. Në të vërtetë, paneli konstaton një lidhje të drejtpërdrejtë midis prishjes së objekteve në Jalë dhe projektit dhe objektivave të tij. Për rrjedhojë, paneli konstaton se grupi i menaxherëve nuk i ka zbatuar kërkesat për shpërnguljen e detyruar në lidhje me prishjen e objekteve që kanë ndodhur në Jalë. Në këtë kuptim, projekti nuk i ka përmbushur as objektivat për uljen e varfërisë.
Përgjigjja e menaxherëve të projektit
Grupi i menaxherëve i pranon konstatimet e panelit në lidhje me veprimet e Njësisë Shqiptare të Koordinimit të Projektit dhe efektet që kanë pasur ato për kërkuesit. Grupi i menaxherëve vëren se prishja e objekteve në Jalë nuk ka qenë autorizuar nga Banka Botërore. Megjithatë, grupi i menaxherëve është në dijeni se më datë 26 mars 2007, më pak se një muaj përpara prishjes së objekteve në bregdetin jugor, Njësia Shqiptare e Koordinimit të Projektit u ka dërguar një letër, me kokën zyrtare të letërkëmbimit të projektit, qeveritarëve të nivelit të lartë, si edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Ndërtimit. Në këtë letër, Njësia e Koordinimit të Projektit vëren se po vazhdojnë ndërtimet e paligjshme në bregdetin jugor të Shqipërisë dhe thotë se:
“Duke pasur parasysh rëndësisë e zhvillimit të qëndrueshëm të kësaj zone dhe efektin që ka në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe të turizmit në vend, sa i takon mjedisit, ju lutem kujdesuni të merrni masat e nevojshme, sa më shpejt të jetë e mundur”.
Pas më pak se dy javësh, Policia e Ndërtimit iu është përgjigjur ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Njësisë së Koordinimit të Projektit, ku u bënte me dije se,
“Drejtoria e Policisë së Ndërtimit ka kryer të gjitha procedurat ligjore të nevojshme që kanë të bëjnë me raste të tilla dhe vendimet për prishjen e këtyre objekteve u janë njoftuar palëve përkatëse, duke u dhënë atyre mundësinë e bërjes së ankesës dhe të paraqitjes së dokumenteve që kanë për këto ndërtime”.
Prishja e objekteve në Jalë filloi pas një jave. Grupi i menaxherëve e pranon se prishja e këtyre objekteve i ka prekur negativisht kërkuesit. Grupi i menaxherëve pranon gjithashtu se veprimet që kanë ndodhur ilustrojnë paqartësinë e faktit nëse duhej aplikuar apo jo PO/PB 4.12, duke pasur parasysh veprimtaritë në zbatim e sipër të Qeverisë për prishjen e objekteve në zonën e projektit. Grupi i menaxherëve duhet të kishte ngulur këmbë për vendosjen e një moratoriumi mbi veprimtaritë e prishjes së objekteve në zonën e projektit, deri në çastin kur do të ishin përgatitur PZHBJ dhe planet vendore përkatëse dhe kur do të vihej në zbatim paketa e masave të mbrojtjes sociale. Grupi i menaxherëve është dakord se ngjarjet në terren kanë krijuar një situatë, në të cilën palëve të prekura u duhet dhënë asistencë. Grupi i menaxherëve pajtohet me panelin e inspektimit se ka pasur dështim në mbikëqyrjen e projektit. Pasi mësoi për prishjen e objekteve, grupi i menaxherëve duhet të kishte vepruar menjëherë për t’u takuar me personat e prekur dhe për të diskutuar me Qeverinë për mjetet e zbutjes së efekteve negative. Për më tepër, qysh prej fillimit të vënies në zbatim të projektit, grupi i menaxherëve duhet ta kishte sqaruar rolin e Njësisë së Koordinimit të Projektit kundrejt programit në zbatim e sipër të Qeverisë për prishjen e objekteve, duke ditur rreziqet që u kanoseshin objektivave të projektit për shkak të programit të prishjes së objekteve. Grupi i Menaxherëve vëren se pajisjes për mbledhjen dhe transportimin e mbetjeve nga prishja e objekteve i përket nën/komponentit të administrimit të mbetjeve të ngurta në bregdetin e jugut. Në DVP thuhet: “Projekti do të financojë një projekt pilot për mbetjet inerte për të ulur sasinë e mbetjeve të përhapura në terren përmes mbledhjes dhe largimit të synuar të mbetjeve inerte në vend-groposje”. Kjo pajisje është përcaktuar për shoqëritë e administrimit të vend-groposjeve të mbeturinave, të cilat do të kenë në administrim vend-groposjet e mbeturinave në bashkitë Sarandë dhe Himarë.
Një proces i pjesshëm i mbledhjes së fakteve në përgjigje të ankesave të kërkuesve
Mospërfshirja në raportin për zyrën të misionit fakt-mbledhës, e ngjarjeve kyçe dhe e marrëdhënieve që lidhen me prishjen e objekteve në Jalë, mund të konsiderohet si keqparaqitje me rëndësi materiale e një situate për të cilin misionit i ishte dhënë mandati të siguronte “një njohuri më të plotë të fakteve”. Kjo mospërfshirje nuk mund të japë informacionin provues, i cili do të kishte nxjerrë në pah të metat themelore në skemën e projektit, zbatimin e projektit dhe mbikëqyrjen e tij. Duket se grupit të menaxherëve do t’i ishte shërbyer më mirë, nëse ajo do të kishte dërguar në terren, në këtë mision për mbledhjen e fakteve rreth një situate tejet të debatueshme, persona të cilët nuk ishin përfshirë drejtpërdrejt në projekt. Paneli konstaton se raporti “fakt-mbledhës” i vetë grupit të menaxherëve, duke lënë jashtë fakte thelbësore, të cilat ka detyrimin për t’i raportuar sipas termave të referencës të misionit, nuk i përmbush kërkesat e politikës së Bankës për Mbikëqyrjen.
Përgjigjja
Duke mos reaguar në kohë për prishjen e objekteve të muajit prill 2007, grupi i menaxherëve i dha mundësi opinionit publik ta lidhte prishjen e objekteve me projektin dhe, rrjedhimisht, me Bankën Botërore. Prishja e objekteve në Jalë u bë nga data 17 prill deri më 21 prill 2007. Ekipi i projektit, për herë të parë, mësoi për këtë aksion nga media më 18 prill 2007 dhe kontaktoi Njësinë shqiptare të Koordinimit të Projektit më 19 prill 2007. Po atë ditë, ekipit të projektit i erdhi një kopje e letërkëmbimit të datës 26 mars 2007 midis Njësisë shqiptare të Koordinimit të Projektit dhe Policisë së Ndërtimit. Zonën e vizitoi një “Mision fakt-mbledhës”, i përbërë nga drejtuesi i Ekipit të Projektit dhe eksperti social i Ekipit të Projektit, më 3-5 maj 2007. Siç e thekson edhe Paneli i Inspektimit, misioni nuk arriti t’i kalojë grupit të menaxherëve informacione me rëndësi kritike, sidomos sa i takon ekzistencës së letërkëmbimit midis Njësisë shqiptare të Koordinimit të Projektit dhe Policisë së Ndërtimit. Duket se ekipi i projektit nuk e ka vlerësuar rëndësinë e gjuhës që përmbante letërkëmbimi në fjalë. Pas “Misionit fakt-mbledhës”, për disa muaj nuk u tregua asnjë vëmendje për familjet e prekura nga prishja e objekteve e muajit prill 2007. U protokollua një letërkëmbim me kërkuesit, që i është përcjellë edhe shefit të zyrës në vend dhe shefit të sektorit, por që nuk mori asnjë përgjigje. Stafi drejtues për vendin nuk i korrigjoi raportimet e gabuara të medias.
Grupi i menaxherëve është i shqetësuar me lidhjet që bëhen në Raportin e Investigimit të Panelit të Inspektimit, në lidhje me deklaratat e bëra nga zyrtarët qeveritarë në Kuvendin e Shqipërisë në prill 2007 pas prishjes së objekteve. Grupi i menaxherëve porositi një përkthim të tekstit të zbardhur të komenteve të ministrit. Grupi i menaxherëve vëren se të vetmet deklarata që ka bërë ministri në lidhje me Bankën Botërore janë:
“Nuk ka asnjë projekt qeveritar për fshatra turistike, pasi tashmë ky është një fakt i njohur publikisht edhe nëpërmjet medias, sepse nuk është përfunduar plani i zonës bregdetare, as qeveria, as Banka Botërore nuk financojnë projekte për fshatra turistikë. Ky është një fakt botërisht i njohur, aktualisht do të thosha se, veçanërisht ju, deputetët e zonës, duhet të jeni në dijeni se Qeveria e Shqipërisë me ndihmën e Bankës Botërore po punojmë për finalizimin zonës bregdetare, të cilat janë me karakter, me transparencë të plotë, me pjesëmarrjen e njësive vendore dhe komunitetit të zonës. Për herë të parë, ky projekt i Bankës Botërore parashikon 13 milionë USD në investime, rrugë, ujësjellës, konservim, në ndriçim për të gjithë zonën bregdetare, me një skemë bashkëfinancimi, ku kanë rënë dakord autoritetet lokale për komunitetin, pasi janë komunitetet që bashkëfinancojnë 20% të këtyre projekteve, sepse për t’i hapur rrugë këtyre financimeve ligji duhet të veprojë”.