Akuzë e re për shkatërrim prone, tre të arrestuarve të “Gërdecit”
TIRANE – Tre personat e arrestuar për tragjedinë e Gërdecit vihen nën një akuzë të re për shkatërrim prone. Prokuroria e Përgjithshme mësohet se pak ditë më parë ka vendosur formulimin e akuzës së re ndaj biznesmenit Mihal Delijorgji, ish-drejtorit të Ndërmarrjes MEICO dhe ish-kreut të fabrikës së çmontimit të Gërdecit, Dritan Minxolli. Ata mbahen në gjendje arresti që më 18 mars 2008, pasi u arrestuan fillimisht me akuzat e “shkeljes së rregullave teknike mbi lëndët plasëse dhe radioaktive”. Grupi i hetimit vendosi më pas, në korrik 2008, të formulonte një akuzë të re akoma më të rëndë ndaj tre të arrestuarve për tragjedinë. Ata u morën të pandehur për akuzën e “vrasjes ndaj më shumë se dy personave dhe rrezikimit të jetës së shumë të tjerëve, kryer në bashkëpunim”. “Provat e grumbulluara tregojnë se ngjarja për të cilën akuzohen të pandehurit e arrestuar shkaktoi dëmtimin e mijëra objekteve të ndodhura në zonën e prekur”, thanë burimet e Prokurorisë, sipas të cilave për këtë shkak është vendosur ngritja e akuzës së re ndaj tre të arrestuarve që mbahen në qelitë e burgut 313 në kryeqytet.
Prokuroria e Përgjithshme ka bërë dje edhe një sqarim lidhur me padinë e bërë nga familjarët e viktimave të Gërdecit, të cilët kanë denoncuar organin e akuzës duke pretenduar se nuk pranon t’u japë provat e dosjes, për të hapur procese gjyqësore dëmshpërblimi ndaj shkaktarëve të tragjedisë. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, nuk ka asnjë pengesë në këtë rast veçse aktet që ndodhen në dosjen penale konsiderohen sekrete nga të gjitha ligjet e vendit, derisa hetimet të kenë përfunduar. Sipas Prokurorisë, një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë por edhe ligje të tjera të vendit, u njohin të dëmtuarve nga një vepër penale, të drejtën e dëmshpërblimit. Sipas burimeve nga Prokuroria, mësohet se vendimi në fjalë është dhënë nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë më 14 shtator 2007. Ky vendim i cili është kthyer në dokument unifikues dhe të zbatueshëm nga të gjitha gjykatat e vendit, parashikon të drejtën e dëmshpërblimit financiar për personat e dëmtuar nga një vepër penale. Sipas vendimit, në rast se një person shpallet fajtor pas përfundimit të hetimeve dhe gjykimit, vendimi i fajësisë së tij është argumenti më i fortë me të cilin, pala e dëmtuar mund të hapë një proces gjyqësor civil me kërkesë dëmshpërblimi. Vendimi unifikues në fjalë parashikon se personat e shpallur fajtorë në proces penal janë të kushtëzuar të përmbushin dëmshpërblimin në procesin civil. Vendimi i Gjykatës së Lartë gjithsesi lë vend për debat gjyqësor mes palëve edhe në procesin civil. tr.so