E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli kundër Bodes:Do zgjerojmë listën e dëmshpërblimit të ish të përndjekurve

 

RIDVAN DIBRA

Amendamenti i deputetit Astrit Bushati për të shtuar rrethin e përfituesve të dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë, përplas publikisht maxhorancën e djathtë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka dalë kundër qëndrimit të ministrit të Financave, Ridvan Bode për ndryshimin e këtij ligji, duke premtuar miratimin e tij shumë shpejt në Parlament. Duke folur nga qyteti i Shkodrës, ku mori pjesë në çeljen e ekspozitës me karakter historik “M’shirë o Zot se kam gabue”, kryeparlamentarja paralajmëroi amendimin e ligjit në favor të ish të përndjekurve politikë. “Paralelisht në Komisionin parlamentar të Ligjeve, ne do të kalojmë dhe një amendim të ligjit, duke i dhënë të drejtën e dëmshpërblimit dhe të pushkatuarve pa gjyq si dhe familjarëve të të dënuarve që nuk kanë lënë pasardhës, si klerikët apo të dënuar të tjerë”, deklaroi Topalli. Projekti i depozituar nga deputeti i Shkodrës, Astrit Bushati, parashikon pikërisht që nëse i dënuari politik nuk ka trashëgimtarë, shumën e dëmshpërblimit ta përfitojnë motrat dhe vëllezërit. Por ky ndryshim u kundërshtua në një seancë në Komisionin e Ligjeve nga ana përfaqësueses së Ministrisë së Financave, e cila theksoi se zgjerimi i rrethit të përfituesve shton faturën financiare të këtij procesi. Duke u ndalur pikërisht te dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë, kryetarja e Kuvendit theksoi se procesi do të nisë brenda pak ditësh. “Është një detyrim që ne ia kemi pasur dhe një premtim që ne po e mbajmë. Në ditët e ardhshme fillon menjëherë shpërndarja e dëmshpërblimit për të persekutuarit e regjimit komunist”, vijoi më tej Topalli.
Krimet e komunizmit
Kryeparlamentarja, njëherësh edhe nënkryetare e PD-së, Jozefina Topalli, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së një ekspozite në Shkodër në përkujtim të genocidit komunist ndaj klerikëve dhe objekteve të kultit. “Për çdo qytetar, çdo burrë e grua që ka jetuar në periudhën e diktaturës, në mënyrë të veçantë, për ata që kanë marrë vendime, që kanë shkaktuar tortura, persekutime, në biruca e burgje në të gjitha qytetet e Shqipërisë, ‘mea culpa’ është e domosdoshme. Ne duhet të shohim nga e ardhmja, për të mos harruar kurrë çfarë ka ndodhur”, theksoi Topalli, e cila shoqërohej në këtë aktivitet edhe nga ministri i Arsimit, Fatos Beja. Ekspozita sillte dokumente historike të kohës, me pamje filmike, fotografi, objekte dhe dorëshkrime nga vuajtjet e klerikëve katolikë e myslimanë gjatë persekutimit të regjimit komunist si dhe prishjes masive të objekteve të kultit në të gjithë vendin. Një objekt i veçantë ishte libri i përshtypjeve të muzeut të vetëm ateist në botë, që regjimi komunist ngriti në Shkodër, libër që përmbante shënime dhe përshtypje të vizitorëve në vitet ‘82-‘90, kundër fesë dhe klerit. Sipas Topallit, kjo ekspozitë është një tjetër dëshmi rrëqethëse, siç e quajti ajo, për atë që çfarë ka qenë periudha 50-vjeçare e diktaturës. “Periudhë, jo vetëm e ndaljes së kohës për Shqipërinë e shqiptarët, por një ndër periudhat që ka krijuar dhimbje të jashtëzakonshme, që ka frenuar çdo gjë që ka ekzistuar në jetën e njeriut, lirisë së tij, që ka ndaluar me ligj Zotin dhe çdo gjë tjetër që nuk mund të imagjinohet”, u shpreh kryetarja e Kuvendit. E pyetur për pezullimin e ligjit të Lustracionit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, kryeparlamentarja tha se, “në fakt kjo ekspozitë do të qëndrojë hapur në 24 orë dhe do të ishte mirë të lëvizte në të gjithë institucionet dhe tek ato institucione që kanë penguar bërjen e transparencës për shtetarët e shtetit dhe për ata që nuk janë penduar, duke mos lejuar të bëjmë transparencë. Megjithatë ajo që mendoj është se kjo ekspozitë ka një domethënie të madhe”. Në të njëjtën kohë ai përsëriti qëndrimin e maxhorancës lidhur me konfliktin e interesit që ka Gjykata Kushtetuese në lidhje me shqyrtimin e ligjit të Dosjeve. Megjithatë, sipas Topallit, është detyrë e maxhorancës që të mos lejojë zyrtarë të lartë të regjimit të kaluar që kanë dhënë vendime politike në postet kyçe.

Qeveria shpalli listën me 1442 të përndjekurit e parë

Ministria e Financave miratoi pak ditë më parë një listë me 1370 të dënuar dhe 72 të vrarë në vitet 1944-1990 që do të përfitojnë dëmshpërblim. Lista e miratuar është vetëm grupi i parë i verifikuar, të cilëve u janë bërë përllogaritjet edhe për përfitimet e mëparshme. Procesi i dëmshpërblimit do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim. Tërheqja nga llogaritë bankare do të bëhet vetëm nga përfituesit direkt. Në rastet e vdekjes së përfituesit, bankat mund të lejojnë tërheqjen vetëm kundrejt certifikatës së vdekjes dhe një akti gjyqësor për përfituesin ose përfituesit e tjerë. Në buxhetin e këtij viti janë parashikuar rreth 2 miliardë lekë për dëmshpërblimin e të përndjekurve. Kësaj shume, sipas financave do t’i bashkohet edhe fondi i vitit të kaluar, i cili dështoi të shpërndahej. Nga ana tjetër, për të përndjekurit dhe ish-pronarët janë parashikuar edhe rreth 10 për qind e të ardhurave nga privatizimi. Deri tani është privatizuar “Armo” me rreth 126 milionë euro, aksionet e AMC me rreth 45 milionë euro dhe pritet privatizimi i INSIG-ut. Shuma këto që mund të mbushin fondin për dëmshpërblimin e këtyre shtresave.

Majko: Dakord me ndryshimin e ligjit
Partia Socialiste është shprehur pro ndryshimit të ligjit për të përndjekurit politikë, sipas amendimit të propozuar nga deputeti Astrit Bushati. Gjatë debatit në Komisionin e Ligjeve, deputeti Pandeli Majko theksoi se, “jam dakord me faktin që të shtohen motrat, vëllezërit, bile dhe nipërit dhe mbesat, sepse në regjimin komunist, që të merrej një e drejtë studimi duhej të vije dhe gjyshin ku e ke pasur...”. Sipas tij, propozimi është shumë me vend. “Se ku do t’i gjejë paratë kjo qeveri apo ajo tjetra, kjo është një histori tjetër, nuk i takon as Ministrisë së Financave dhe as Ministrisë së Drejtësisë. Ne po flasim për të drejtën, nuk po flasim për buxhetin”, deklaroi Majko.

Beja: Kurajo për historinë
Ministri i Arsimit, Fatos Beja, duke vlerësuar ekspozitën si një përpjekje të rëndësishme për dëshminë e një prej periudhave më të errëta të historisë së shqiptarëve, theksoi se vendi duhet të vlerësojë atë që ka ndodhur gjatë 50 viteve të regjimit komunist, në mënyrë që të mos përsëritet më në të ardhmen. “Ne si qytetarë duhet të kemi kurajon që ta shohim historinë përballë dhe të kërkojmë dëshmitë e asaj që kemi përjetuar. Kjo lidhet dhe me rëndësinë që ka kujtesa historike për brezat e sotëm dhe ata që do të vinë. Ne duhet të vlerësojmë atë që ka ndodhur që të mos përsëritet më”, theksoi Beja.

Nga privatizimet, 10 për qind
Fondi i ish të përndjekurve do të shtohet dhe nga të ardhurat dhe privatizimet e ndërmarrjeve shtetërore. Privatizimi më i fundit ishte ai i shitjes së paketës shtetërore në AMC, në vlerë prej 43 milionë eurosh. Për ish të përndjekurit dhe ish-pronarët pritet të kalojnë 10 për qind e fondit të krijuar nga procesi i shitjes së aksioneve të AMC-së. Janë 4.3 milionë euro që do të shkojnë për fondet e dëmshpërblimit të ish të përndjekurve dhe të ish-pronarëve. Ndërsa janë përfshirë në procesin e privatizimit edhe sektorë të tjerë, si paketa e aksioneve të Albtelekomit dhe OSSH-së.

Bode: Zgjerimi i listës shton faturën financiare

Ndonëse pritej kundërshtimi nga opozita, për shkak të përmbajtjes politike të tij, amendimi në ligjin për të përndjekurit politikë i propozuar nga deputeti i PD-së, Astrit Bushati, është rrëzuar nga Ministria e Financave.
Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ku do të diskutohej pikërisht përmbajtja juridike dhe fatura financiare e ndryshimit në ligj, përfaqësuesja e Financave është shprehur kundër si për përmbajtjen, ashtu edhe për faturën financiare. Drejtoresha e buxhetit pranë kësaj ministrie, Mimoza Dhëmbi, ka vlerësuar si të papranueshme ndryshimin e skemës së dëmshpërblimit, pasi mund të rrezikojë djegien e fondit për 2009-ën. “Shqetësimi kryesor i Ministrisë së Financave lidhet me zbatimin e ligjit në fuqi, pasi ne intensivisht kemi filluar punën për vlerësimin e dosjeve dhe të dëmshpërblimit. Kjo iniciativë e ndërpret procesin dhe e shtyn atë, të paktën një vit”, deklaroi Dhëmbi. Në të njëjtën kohë, sipas përfaqësueses së kësaj ministrie, nëse për këtë amendim do të jepet OK dhe ai do të hyjë në fuqi, duhet që së paku të priten edhe gjashtë muaj të tjerë që të përndjekurit të dorëzojnë dosjet pranë Ministrisë së Drejtësisë. E thënë ndryshe, sipas Dhëmbit, një gjë e tillë mund t’u kushtojë të gjithë të përndjekurve shtyrjen të paktën edhe me një vit të procesit të dëmshpërblimit. “Në buxhet kemi vendosur një shumë prej 2 miliardë lekësh, i cili ndahet në anë të barabartë mes gjithë të dënuarve. Në amendim është propozuar shtyrja e afatit për pranimin e kërkesave. Kështu që ne duhet të presim sa të mblidhen kërkesat edhe 6 muaj të tjerë, të vlerësohen dosjet dhe pastaj të ndahet shpërblimi, ata që ndoshta mund të kalojë edhe vitin buxhetor, pra të ngelet pa u përdorur”, deklaroi drejtoresha e Buxhetit. Por shkaku kryesor që Ministria e Financave nuk ka pranuar amendimin e propozuar nga deputeti i Shkodrës, duket se ka të bëjë pikërisht me faturën financiare të tij. Zgjerimi i rrethit të personave që përfitojnë nga dëmshpërblimi rrit automatikisht edhe vlerën totale që do t’i duhet qeverisë t’u shpërndajë të përndjekurve. “Shqetësimi i dytë ka të bëjë me koston suplementare që lidhet me zgjerimin e listës së përfituesve. Kur është ndërtuar ligji dhe vendosur masa e dëmshpërblimit, është mbajtur parasysh familja në rrethin e parë të trashëgimtarëve të saj. Kështu që zgjerimi i kësaj liste ndryshon koston financiare, gjë që sjell efekte suplementare për buxhetin e shtetit”, deklaroi më tej Mimoza Dhëmbi. Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë ka pranuar nismën e paraqitur nga deputeti i PD-së, duke sugjeruar realizimin e ndryshimeve. Drejtoresha e kodifikimit e kësaj ministrie, Marsida Xhaferllari, ka bërë të ditur se edhe pas skadimit të afatit ligjor janë depozituar kërkesa të tjera nga ana e ish të përndjekurve. Në të njëjtën kohë, ky dikaster është shprehur i gatshëm të kontribuojë në përmirësimin e draftit të paraqitur nga Bushati.

Bushati: Amendamenti po studiohet nga qeveria

Deputeti i PD-së, Astrit Bushati, nismëtar për shtimin e përfituesve nga fondi i ish të përndjekurve, deklaroi për “Panorama” se qeveria ende nuk kanë dhënë një përgjigje përfundimtare. Amendamentet e propozuara janë dërguar për dhënie mendimi nga ana e qeverisë, nëse kjo ka një faturë financiare ose jo. “Nisma është në qeveri dhe akoma nuk ka një mendim përfundimtar”, deklaroi Bushati. Komisioni i Ligjeve kërkoi që nisma e paraqitur nga deputeti i Shkodrës t’i dërgohej Ministrisë së Financave dhe të shprehej për koston financiare që mund të ketë. Ky dikaster doli kundër nismës pasi drejtuesit bënë të qartë se nëse do të shtyhej afati i paraqitjes së dokumenteve do të bllokohej procesi i shpërndarjes së fondeve për ish të përndjekurit që janë shpallur fitues. “Besoj se në të njëjtën kohë nga ana e qeverisë po punohet dhe po studiohet mënyra për të mos bllokuar procesin e shpërndarjes së fondeve për ish të përndjekurit politikë. Ky proces siç dihet nis pas disa ditëve”, deklaroi Bushati. Deputeti demokrat në nismën e paraqitur në komisionin e Ligjeve kërkon të merren në konsideratë edhe ata ish të përndjekur që nuk kanë pasardhës, por që fondet e dëmshpërblimit duhet t’i përfitojnë vëllezërit apo motrat e tij. Gjithashtu, parashikohen që të përfitojnë edhe nipat e mbesat, që kanë pasur kushërinjtë e tyre në burgje apo janë pushkatuar. Për të realizuar këtë proces, deputeti demokrat propozon dhe shtyrjen e afatit ligjor për depozitimin e dokumenteve ndaj kësaj kategorie personash, duke i lënë si afat 1 korrikun e këtij viti. “Mosparaqitja e kërkesës brenda afatit të përcaktuar në pikën 1 të nenit 19, sjell humbjen e së drejtës së dëmshpërblimit për ish të dënuarin politik apo familjarin e viktimës me dënim kapital. Sipas këtij ligji, ish i dënuari politik i regjimit komunist, kujdestari i tij ligjor apo familjarë të viktimës së pushkatuar nuk mund të rivendosen në afat, për paraqitjen e kërkesës, pas datës 01.07.2009”, thuhet në propozimin e paraqitur. Bushati kërkon të zgjidhë problemet që kanë dalë për shkak të kufizimeve për disa kategori personash të persekutuar nga regjimi komunist dhe të dënuar nga “ligjet speciale të vitit 1945 dhe 1946, në këtë kuptim propozohet të riformulohet pika c) e nenit 5 të ligjit ekzistues”. Në këtë nismë kërkohet që të “përfshihen nenet 2, 3, 4, 6, 7, 8 dhe 9 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 ‘Mbi fajet kundër popullit dhe shtetit’”. Ndërsa ende nuk dihet i qartë numri i personave që përfitojnë nga kjo kategori. Sipas burimeve mund të jenë 1 mijë ish të përndjekur që mund të përfitojnë nga një nismë e tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›