Reagon Olldashi: Ndërtimet e prishura të jashtëligjshme
Ferdinand Dervishi
Ndërtimet e shembura në zonën bregdetare të Jalës kanë qenë të jashtëligjsh-me. Këto objekte ishin pa leje dhe duke qenë se ishin ndërtuar në një zonë turistike, nuk ishin të përfshira as në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale. Ky ka qenë reagimi i Ministrit të Punëve publike Sokol Olldashi, në lidhje me prishjet e objekteve në zonën e Jalës. Reagimi i ministrit erdhi fill pas publikimit të raportit të Bankës Botërore.
Reagimi
Sipas një raporti të publikuar dy ditë më parë nga Banka Botërore theksohej se nuk ishte banka ajo që kishte autorizuar prishjen e ndërtimeve në zonën bregdetare të Jalës. Një ditë pas publikimit të këtij raporti reagoi edhe ministri Olldashi, i cili ka shpjeguar edhe njëherë pozicionin e qeverisë në lidhje me këtë debat. Sipas tij, 12 objektet në Jalë janë prishur në bazë të ligjit shqiptar, ashtu sikurse janë prishur dhjetëra ndërtime pa leje në Ksamil, Borsh, Lukovë, etj. “Në asnjë rrethanë, në asnjë rast, asnjë përfaqësues i qeverisë shqiptare nuk ka thënë se ndërtimet në Jalë janë prishur me kërkesë të Bankës Botërore. Ndërtimet në Jalë janë prishur në zbatim rigoroz të ligjit shqiptar që vepron në territorin e Shqipërisë. Ajo që kemi thënë është se BB dhe projekti për zhvillimin e planit të jugut kanë qenë tërësisht në dijeni të politikës që qeveria ndjek me ndërtimet e paligjshme dhe kanë aprovuar këtë politikë të qeverisë së Shqipërisë për ndërtimet e paligjshme”, ka deklaruar Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi. Madje në termat e referencës së projektit, të miratuara nga Banka Botërore dhe qeveria e Shqipërisë në 2004, kërkohet vazhdimi i prishjeve të ndërtimeve të paligjshme dhe konsolidimi i veprimit të Policisë Ndërtimore. Në deklaratën e tij ministri Olldashi është ndalur deri në detajet e publikuara nga Banka Botëore. “Në Aide-Memoire të tetorit 2004, dërguar ish-zëvendësministrit Artan Lame dhe ish-drejtorit të Policisë Ndërtimore të asaj kohe, Mark Nikolli thuhet shprehimisht: “Prishja e ndërtimeve të paligjshme duhet të vazhdojë…”. Ndërsa në Aide-Memoire të shkurtit 2007 thuhet: “Një fotografim ajror i gjithë zonës bregdetare të jugut është kontraktuar dhe do të përsëritet çdo katër muaj, për të informuar Policinë e Ndërtimit rreth aktiviteteve ilegale”. Në po këtë Aide-Memoire përcaktohet se Njësia e Koordinimit të Projektit është e detyruar që faktet e dala nga fotografimi ajror i zonës t’i vërë në dispozicion të të gjitha institucioneve, përfshirë njësive të qeverisjes vendore dhe Policinë Ndërtimore” ka thënë ministri Olldashi. Sipas raportit të publikuar dy ditë më parë nga Banka Botërore thuhet se BB nuk kishte lidhje me shkatërrimet e objekteve në Jalë. Ata kanë pranuar gabimet e kryera në këtë projekt, madje kanë deklaruar se janë gati të japin asistencë për familjet që u prekën nga shembja.
Vasili: Qeveria gënjeu shqiptarët për prishjet në Jalë
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vesili, tha dje se Banka Botërore nxori gënjeshtare qeverinë në lidhje me prishjet e bëra në Jalë. “Ngjarjet e ndodhura në Jalë janë pa asnjë diskutim tashmë prova më e qartë e një skandali shtetëror të përmasave të mëdha. Banka Botërore në komunikimin e saj zyrtar pa mëdyshje bën të qartë për çdo shqiptar se mashtrimi shtetëror lidhur me shkatërrimin e pronës në Jalë ka qenë shumë i madh.
Eshtë e qartë tashmë për çdo shqiptar se ka qenë koordinatori Malltezi, dhëndër i Sali Berishës, pikërisht ai që në mars të 2007-ës ka kërkuar prishjet e pronave të banorëve të Jalë dhe kjo është dokumentuar shkresërisht, si dhe po ai ka vënë në dispozicion dhe fotografimet ajrore për të kryer shkatërrimin e pronave të banorëve të Jalit”, tha Vasili. Gjatë një konference për shtyp, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së tha se, “Policia Ndërtimore ka vepruar pikërisht pasi ka marrë këtë kërkesë zyrtare nga Malltezi në prill të 2007-ës, duke njoftuar edhe ministrin e Punëve Publike për gjithçka do të ndodhte”. “Banka Botërore është përpara faktit të kryer dhe është njoftuar vetëm pasi shkatërrimet ishin bërë duke shkelur në mënyrë të qëllimshme edhe procedurat e rregullat e saj”, tha Vasili.