E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jam kundër kultit të virgjërisë, është një gjuhë shumë e prapambetur

Autori i Lajmit: Denisa Kona
-Tri gjërat më të rëndësishme që keni bërë në jetën tuaj?
Jam shumë tradicionale si të gjtha gratë. E rëndësishme se kam bërë fëmijë, jo vetëm që i jam përgjigjur shoqërisë me detyrimin e riprodhimit, por është edhe natyrale. Mendoj se kam bërë një gjë shumë të bukur, e kam ndjerë që kur i kam lindur dhe vazhdoj ta ndiej. E dyta: që kam shkruar dhe kam shprehur veten time artistikisht, duke qenë e sinqertë me të. E treta, në momente shumë të rëndësishme, unë kam marrë pjesë në lëvizjen demokratike shqiptare, kam qenë pjesë e një transformimi të madh të shoqërisë shqiptare.
-Tri gabimet e tua më të mëdha?
Ashtu si di të lexoj të tjerët, jam shumë e lexueshme nga të tjerët. Shprehem gjithnjë ashtu si jam, nuk jam e rafinuar. Siç duket, në një shoqëri orientaliste, kjo që bëj është një gabim. Orientalizmi shqiptar nuk e shpreh veten. Shqiptarët ende nuk janë mësuar të thonë atë që mendojnë e të shprehin atë që ndiejnë. Kjo nuk i ndodh kurrë një shkrimtari, i cili i thotë të gjitha ato që mendon. Gabimi i dytë është se jam mbipeshë tani, dhe ka lidhje me gabimin e parë, se tregon që nuk e kontrollon veten. Por jeta do edhe njëlloj kontrolli.
Gabimi i tretë është që kam hequr dorë nga politika, kur duhet të kisha vazhduar dhe të isha më inatçore.
-Çarë të bën të zemërohesh?
Fyhem kollaj nga një egoizëm i madh, por fyerjen e mbaj për vete. Duhet të isha më luftarake. Diçka që më tërheq shumë nga jeta e Konicës, të cilin për fat të keq, brezi im nuk e ka mësuar në shkollë. Është një shembull i madh i pakompromisit deri edhe për çështje të vogla. Ka luftuar deri në fund të mbroj të drejtën e tij, nuk bënte kompromis për të drejtën.
-Ju preokupon gatimi?
Hera-herës, me hope, si me frymëzim.
-Kjo tregon që jeni grua prizmatike që tërhiqeni në kohë të ndryshme nga gjëra të ndryshme.
Po, është si puna e hënës, jam tip lunatik. Kam thyer një moshë delikate. Vjet festova 60-vjetorin dhe e festova në Las-Vegas.
-Të korrigjon për ndonjë gjë Mevlani? “Të bie më qafë”?
Jo, por e akuzoj duke i thënë, mos ushtro profesionin tënd të rregjisurës edhe me mua. Nuk jam aktorja jote. Përshembull, më kujton se kam për të bërë këtë ose atë. Por në një shoqëri tjetër, me siguri duhet të kisha sekretare.
-Po ju për çfarë e korrigjoni Mevlanin?
Gratë kanë dëshirë për të korrigjuar, janë shumë imponuese, por nuk kam pasur kohë ta korrigjoj. Nëse do të kisha më shumë kohë, do të merresha pak më shumë me veshjen e tij, e kam neglizhuar pak.
-Mendova se mos do ta korrigjoje për stil jetese, për vonesa, për shoqërime...
Absolutisht. Nuk kemi pasur kohë që t i bëjmë këto, edhe pse janë më të lezetshme. Por Mevlani ka qenë sidomos shumë i ngarkuar. Ndoshta do të kishte qenë më bukur, të kishim pasur pak më shumë xhelozi në shtëpi.
-Deri ku shkon liria jote si grua, si bashkëshorte?
Nuk i kam menduar limitet, por e kam ndjerë veten si grua të lirë plotësisht. Kam pasur hapësirën time për të vepruar brenda familjes si të kem dashur unë. Unë kam qenë fëmijë i vetëm dhe isha mësuar me të pasurin hapësirë timen.
-Nuk keni vuajtur ndonjëherë për liridalje, nga gjëra të tilla që vuajnë gra të tjera si “nuk shkoj dot me shoqërinë për një itinerar turistik etj.?”
Më vjen shumë keq që jam në një kozmos tjetër dhe pse do të më pëlqente ndonjëherë të kisha ndonjë situatë të tillë, sepse më duket sikur me këto gra jemi dy botë krejt të huaja...
-Sa vjet diferencë keni me Mevlanin?
3 vjet
-Është diferencë e bukur?
E bukur jo, por e mirë.
-Cila diferencë do të kishte qenë e bukur?
Po të kishim lindur në të njëjtin vit. Jam përfaqësuese e barazisë absolute. (qesh)
-Po për Mevlanin, cila do të ishte diferenca ideale?
Nuk e kam pyetur
-Po pse nuk e ke pyetur, cfarë prêt akoma?
Do ta pyes dhe do më thotë “pse u kujtove kaq vonë”.
-Cilat janë subjektet e grindjeve të tua me Mevlanin? Janë të papargatitura apo gjithnjë spontane?
Spontane dhe nuk kanë të bëjnë direkt me Mevlanin. Por na rrethana të tjera. Përshembull, dua të ngrihem në mëngjes e të punoj se kam një pjesë kapitulli dhe më pengojnë macja ose qeni që duhet të ushqej e më bëjnë nervoze. Grindem me Mevlanin pikërisht duke u nisur nga momente të tilla, ose kur ndihem keq në krijimtari. Ia nxjerr Mevlanit kur kam krizën në krijimtari.
-I mban mirë Mevlani?
I kupton. Me pak fjalë, për shmë burra do të isha një bashkëshorte që nuk e pranojnë dot, sepse burrat duan modelin e femrës tjetër, nuk e duan modelin tim, absolutisht. Madje, edhe kur isha e re, shumë meshkuj kishin droje nga unë sepse e dinin mendjen time.
-Ç mendim keni për virgjërinë?
Kam parë një film të Bernardo Bertoluçit, titullin nuk e kujtoj, por me subjekt humbjen e virgjësirë se një vajze italo-amerikane. Megjithëse kritika e ka vlerësuar më pak se filma të tjerë të tij, mendoj që është mirë që është trajtuar në art një moment shumë njerëzor, shumë lirik, i pranishëm në jetën e çdo vajze. Nuk jam për studimet erotike, nuk e kuptoj kulturën e japonezëve, që janë edhe më fanatikë se europianët, që herë pas here preferojnë qepjet për të stimuluar një virgjëri tjetër. Por jam kundër kultit të virgjërisë. Është ekstremisht një gjuhë shumë e prapambetur, edhe pse është mëse e pranueshme të trajtosh si çdo moment tjetër të jetës, edhe këtë moment njerëzor, që mund të ketë brenda lirizëm por edhe përdhunim, dramë, probleme shëndetësore etj.
-Sikur të vinte edhe njëherë rinia, çfarë do të bënit ndryshe?
Vetëm një gjë: Nuk do ta lija mamanë time të sakrifikonte kaq shumë për mua. Nënat shqiptare sakrifikohen për fëmijët e tyre. Mamaja ime ka qenë shëndetligë, ka bërë operacione, megjithatë më ka shërbyer e më ka përjkëdhelur aq shumë, sa më duket se duhet të mos e lejoja deri këtu. Unë përshembull, nuk po sakrifikoj fare për fëmijët e mi. Ndoshta teorikisht e bëj, por praktikisht nuk kam bërë asgjë në krahasim me sa ka bërë nëna ime për mua.
-Sikur në parlament të vije edhe një herë, cfarë do të sillje ndryshe?
Po të vija edhe njëherë në parlament, shumë gjëra do të ishin ndryshe, do të ndikoja siç kam ndikuar edhe në letërsinë time, në brezin e viteve 70, duke u bërë pjesë e një koshience. Mendoj se në parlament do të ndikoja kulturën e politikës shqiptare.
-Po të kishit lindur në Indi apo Kinë, cfarë do të kishit marrë nga natyra, që nuk e keni?
Do të kisha marrë më shumë gjëra nga Buda, do ta përdorja më mirë ashtu siç përdor poezinë, teknikat e Budizmit, edhe pse kur je shkrimtare, ke gjetur filozofinë dhe mënyrën e çlirimit.
-Disa nga huqet e Mevlanit dhe të tuat që mund të na zbuloni?
Nuk i kam numëruar huqet e Mevlanit. Por tani po kujtoj që ai hesht ndonjëherë më shumë nga ç duhet, kur dua që ai të kundërpërgjigjet. Ka pirë shumë duhan përpara dhe kafe dhe nuk ka qenë i rregullt me regjimin, është sakrifikuar për televizionin shqiptar.
Nga të metat e mia, unë kam më shumë, gjendem shpesh e nervozuar sepse planifikoj shumë dhe nuk arrij t i realizoj ato që planifikoj. Kam njëlloj difekti në vendosjen time në hapësirë dhe kohë. Nuk e llogaris që nuk mund të planifikosh aq shumë gjëra për të bërë, sepse nuk të lejon koha dhe kjo më streson.
Një e metë tjetër është se nuk e shpreh kollaj ndjenjën, duhet ta kisha shprehur më hapur sidomos dashurinë ndaj fëmijëve të mi. Ndoshta e kam nga krahina dhe nga tradita famijare, mbahemi pak si të ftohtë. Kam pasur një gjyshe shumë të heshtur e shumë të dashur.
-Pse, nuk i ke thënë ti shpesh Mevlanit ”të dua”?
Mevlanit i kam thënë ”të dua” por ka shumë njerëz që i dua, shoqe e shokë dhe nuk janë të sigurt që i dua.
-Jeta intime në çift, me kalimin e moshës, zbehet, merr ngjyra të tjera apo mbaron? A vazhdon të jetë edhe në këtë moshë e rëndësishme?
Së pari, jeta intime e çiftit nuk ka kufij moshe. Nuk e konsideroj aspak si diçka të parëndësishme, të dorës së dytë, pasi e pasuron jetën e çiftit. Nuk mund të them që me vitet bëhet i mërzitshëm apo merr ngjyra të reja. Kjo gjë varet nga gjenda emocionale që kalon, si kur është i ri, edhe kur moshohet. Herë intimiteti është më i thjeshtë, rutinë, e herë-herë ka më shumë ngjyra. Por është padyshim një gjë me vlerë për jetën bashkëshortore.

Drejtoria për Mbrojtjen e të Drejtave të Autorit, një polici e korruptuar
Shkrimtarët janë bërë ultraindividuialistë

-Çfarë keni bërë në vitet tuaja të pensionit? A keni shkruar më poezi, a jeni marrë me politikë apo jeni kthyer në shtëpiake? Çfarë ka ndodhur?
Një njeri që ka filluar letërsinë që 16 vjeçe, nuk mund të kthehet në shtëpiake. Një krijues punon për minutë, nuk ka zyrë, nuk është njeri i adminstratës, kështu që nuk ka lidhje kjo me të pasurit e një zyre. Përkundrazi, pensioni të krijon ca hapësira për të punuar. Kam një kohë të artë tani, sepse jam edhe në një moshë që e çmoj shumë më tepër kohën. Më duhet ta organizoj në mënyrë sa më efikase për krijimtarinë.
Poezia konceptohet sikur është një mjeshtëri e adoleshentit, sikur je grafoman apo bejtexhi...por në fakt, poezia është një eksplorim pa fund i shpirtit njerëzor. Në një takim me përfaqësues të parlamentit rinor të Tiranës u thashë që poezia është një eksplorim njësoj si eksplorimi i kozmosit, është një kozmos më vete. Poezia është më eksploratore nga të tëra. Eshtë një eksplorim i pafund në hapësirat e mendimit dhe të shpirtit njerëzor, nuk mbaron kurrë.
-Zakonisht, poezinë dhe dashurinë i shohin të lidhura ose sepse i zbulojnë në të tilla faza të jetës
Njeriu është përditë i dashuruar. Por në një kuptim, dashuria ndihmon një individ që të zbulojë të fshehtat e qenies, dilemat.
-Çfarë ua prish dhe çfarë ua grish poezinë?
Nuk e di, ajo që mund ta prishë, edhe mund ta rregullojë. Nuk dihet se si vjen, se si ngacmohesh.
-Për çfarë e do veten më tepër Natasha?
Më tepër për atë që di të lëxojë shumë e kush di të lëxojë shumë libra, di të lëxojë shumë pastaj gjithçka.
-A mbani më ende lidhje me Lidhjen e Shkrimtarëve? Çfarë po ndodh nga ai front?
Jam shumë e zhgënjyer nga të gjithë shkrimtarët shqiptarë. Janë bërë ultraindividualistë, gjë që nuk u shkon. Është e çuditshme se si mund të bëhet kaq individualist një shkrimtar.
-A ka më lidhje shkrimtarësh, qoftë edhe formalisht?
Nuk e di ka më apo nuk ka..Por më vjen shumë rëndë, që duhet të pohoj, që nuk ka asnjë shoqatë që të mbrojë interesat e shkrimtarëve. Këtu është ngritur një agjenci për të mbrojtur të drejtat e autorëve, spekulante mbi shpirtin e të tjerëve.
-Çfarë bën kjo agjenci, që quhet prej jush spekulante?
Nuk bën asgjë, asgjë, asgjë. Dhe mbi të tërë është ngritur edhe një drejtori e mbrojtjes së të drejtave të autorit, që është vetëm një polici, më keq e korruptuar sesa policia ndërtimore, sepse nuk bën asgjë. E korrupuar sepse merr rrogën për të mos bërë asgjë. Ata janë ca njerëz, që as e duan letërsinë, as kinematografinë, thjesht janë policë.
-Jeni ndjerë ndonjëherë e vjedhur si autore?
Nuk jam ndjerë e vjedhur, e grabitur jam ndjerë, por fatkeqësisht më kanë quajtur ata grabitqare. Po të them një rast kur ka pasur një konflikt me zyrën e të drejtave të autorit në Ministrinë e Kulturës. Jam befasuar, jam skandalizuar, që një polici e tmerrshme “sekrete” kundër autorëve, arrin deri atje sa të më pyesë: “Pse ia ke ndërruar titullin librit? E ke pasur me këtë titull në fillim, pse e ndërrove?” Kjo gjë e paprinciptë ka ndodhur në Republikën e Shqipërisë të vitit 2009.
-Çfarë aludonin ata me këtë? Përse ta thanë?
Nuk e di...nuk e kuptoj, është diçka që mund të ketë ndodhur vetëm në kohën e Gebelsit.
Në Shqipëri je jo e fyer, por e persekutuar dhe e pambrojtur plotësisht. Madje, mund të them se agjencitë e të drejtave të njeriut më janë kundërvënë...nuk ma kanë mbrojtur asnjëherë punën time.
-Po Mevlani shkruan?
Mevlani shkruan, është në pjesën e atyre njerëzve që janë të refleksioneve dhe meditimit që ka humbur në Shqipëri. Mevlani po punon për një libër për rregjinë e filmit që mungon, për të qenë në duart e studentëve, ka bërë një punë voluminoze, madje do ta quaja edhe shkencore për të bërë disa kërkime në këtë fushë të shprehjes kinematografike...

Pozitiviteti i këndshikimit
“Big Brother” sjell modelin e bashkëjetesës në shoqëri
Ajo e ndjek “Big Brother”-in, por jo si një shikurese e zakonshme. Me syrin e kineastes. Shikon në këtë ngjarje televizive një premisë dramaturgjie. “Nuk e di se çfarë ka prapa dhe nëse është e parapërgatitur, sepse ka njëlloj mendimi që nga momenti që zgjedh se kë do të futësh, ke krijuar njëlloj premise për një dramaturgji të caktuar,- thotë. –Por, i uroj ata që dinë të seleksionojnë mirë. Kane sjellë korrente të ndryshme të shoqërisë shqiptare, një variant të jetës shqiptare. Nga ana tjetër, emisione si ky që është shumë i njohur në tërë botën dhe që këtu është përfolur shumë herë, mendoj që e emancipojnë shoqërinë shqiptare, sepse jemi ende një shoqëri primitive. E emancipon edhe në një kuptim tjetër sepse sjell modele bashkëjetese në komunitet. Disa të rinj, duke jetuar brenda një shtëpie disa kohë pranë njëri-tjetrit, krijojnë një shoqëri në miniaturë. Dhe kjo është shumë e bukur, në një kohë që shoqëria i ka prishur komunitetet dhe i kanë mbetur vetëm interesat e ngushta fisnore e shoqërore.E theksoj që i bën shumë mirë shoqërisë shqiptare.”
Opinione për telenovelat
Shikon “Big Brother”, por asnjëherë telenovela, edhe pse duket se programe të tilla kanë zakonisht të njëjtin format shikuesish. Por, Natasha Lako nuk është taksative në gjykim dhe gjithnjë gjen shtigje të reja të shikimit të gjërave. “Nuk shoh telenvela,- thotë, -por më vjen ndër mend Izabela Ajlende, një shkrimtare interesante që thoshte, që “kur kam dashur të them disa gjëra të rëndësishme, kam preferuar të bëj edhe telenovelë, sepse ka një audicion aq të gjerë, saqë është më mirë që pesë gjëra t i them edhe në një telenovelë”. Dhe kur e thotë një shkrimtare si Ajlende, nuk duhet nënvlerësuar ndikimi që kanë telenovelat në masë”. Për shkrimtaren 60-vjeçare, telenovela është shumë komunikurese, por nëpërmjet saj është e vështirë që të përcillet problemi në mënyrë serioze.

Fëmijët e çiftit Shanaj-Lako
Vajza punon në një organizatë ndërkombëtare shumë larg Shqipërisë, në Azi, kurse djali sapo ka nisur xhirimin e një filmi artistik me metrazh të gjatë, pas 15 vjet studimesh. Është kthyer në fushën e jetës shpirtërore dhe krijuese. Djali ka studiar për rregji dhe antropoligji sociale, kurse vajza për të drejtën ndërkombëtare. Fëmijët janë gjykatësit e poezisë sime dhe shpresoj të jenë avokatët e saj. Shpresoj të jenë mbrojtësit e vërtet të të drejtave të autorit

Festojnë 40-vjetorin e njohjes
Këtë vit festuam 40-vjetorin e njohjes. Donim të bënim një festë dhe unë mendova të mblidhnim ca miq, sidomos pas ca problemeve shëndetësore të Mevlanit. Për koecidencë, më 7 shkurt kur kishte ditëlindjen Mevlani, e kur iu dha edhe titulli ”Mjeshtër i Madh”, ne nuk u thamë njerëzve se Mevlani atë ditë kishte edhe ditëlindjen dhe donim që t i mblidhnim. Përkoi edhe me 40-vjetorin e njohjes.

Mentaliteti shqiptar
-Me syrin tuaj zhbirues a keni vënë re lëvizje në mentalitetin e shoqërisë shqiptare?
Po, por tek rinia. Rinia e sotme shqiptare është një rini evropiane, e emancipuar, në zhvillim dhe ka ndryshim të madh nga pjesa tjetër e shoqërisë. Mendoj se tani po vjen një pjekuri re e një stadi tjetër, një analitikë tjetër, një hop cilësor, që nuk vjen dot çdo vit. Mendoj se si gjithë shoqëria botërore, edhe shoqëria shqiptare do të vihet para një meditacioni të ri pas krizës ekonomike. Ka periudha kur ajo nuk mendon shunë, zgjidh problemet e ditës, por vjen dita dhe do të qëndrojë para problemeve të mëdha të cilave duhet t u japë disa përgjigje të perspektivës.
-Po në marrëdhëniet bashkëshortore a shikoni zhvendosje?
Sinjalet që vinë nga shoqëria, tregojnë lëvizje të dykahshme, progres dhe regres. Eshtë e pafalshme që pas 20 vitesh të jemi ende të izoluar, sepse vetëm emigrantë kemi një pjesë të mirë të popullsisë. Por ka një përpjekje për kthim prapa, që vjen nga armiqësia me librin, sepse duke qenë një popull i traditës gojore, i referohemi kësaj tradite, çfarë ka thënë gjyshi, gjyshja, e nuk arrijmë të distancohemi as për ato gjëra që duhet.
-Çfarë ka sjellë për ju lëvizja e popullsisë?
Ka sjellë një zhvillim të madh, në kuptimin që çdo qytetar i këtij vendi ka të drejtë të lëvizë, të zhvillohet, të iluminohet, të kërkojë një jetë më të mirë. Sigurisht, ka sjellë edhe një gjendje kaotike, por është e natyrshme. Eshtë si plugimi i tokës. Duhet kthyer plisi, që të mbijë fara. Edhe Shqipëria është në këtë fazë, duhej të vinte kjo fazë.

Ky lajm është publikuar: 05/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›