E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish të përndjekurit, 12 ditë grevë, rrezikohet shëndeti

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Greva e urisë për gjashtë ish të burgosurit politikë e cila po zhvillohet në ambientet e Institutit të të Përndjekurve shënon sot ditën 12-të të saj. Gjendja e tyre shëndetësore është rënduar së tepërmi dhe në tre ditët e fundit ka qenë e nevojshme prania e një mjeku i cili iu ka rekomanduar secilit prej tyre medikamente. Uji dhe ilaçet janë kthyer në ushqimin e tyre të përditshëm. Të afërmit e tyre kanë ardhur ti vizitojnë por edhe prania e tyre është e vështirë pasi gjashtë grevistët vijnë nga rrethet për të protestuar mbi të drejtat e tyre në Tiranë pikërisht përballë Parlamentit shqiptar. Negociatat mes përfaqësuesve të tyre dhe institucioneve shtetërore kanë vazhduar, por ende nuk ka një përgjigje konkrete dhe zyrtare e cila do t’u jepte dhe zgjidhje kërkesave të tyre për dëmshpërblimin sipas viteve të burgut që kanë kryer. Ata kërkojnë zbatimin e ligjit për dëmshpërblimin financiar të të përndjekurve politikë, vlerësimin e letrave me vlerë dhe kompensim të pasurive të konfiskuara të tyre. Pasditen e së hënës, përfaqësuesi i tyre Xhaferr Agaraj u prit në një takim nga Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani, por duket se as bisedimet me vetë ministrin nuk kanë pasur rezultat pozitiv. “Ministri Nishani është takuar me përfaqësuesin tonë por nuk i ka dhënë asnjë përgjigje konkrete për zgjidhijen e kërkesave tona duke thënë se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Ministri duhet të marrë parasysh se këtu ka dhe invalidë pa njërin krah të cilët po sakrifikojnë jetën e tyre. Kanë ardhur të na vizitojnë mjekë pasi kishim luhatje tensoni, por çdo ditë shëndeti ynë po përkeqësohet,” thotë Petrit Shkuza nga Shkodra.

Kërkesat e të burgosurve politikë:

1. Për 18 vjet me radhë të përndjekurit politikë nuk po rehabilitohen dhe nuk po dëmshpërblehen, duke konstatuar në këtë mënyrë shkeleje mbi dinjitetin dhe të drejtat që mbrohen nga Konventat Evropiane e të Drejtave të Njeirut dhe Kushtetuta jonë.

2. Me ligjin nr. 7514, datë 30.09.1991, na jepet pafajësia dhe të drejtat që rrejdhin prej saj (Konventa e të Drejtave të Njeriut , protokolli 7, neni 3).

3. Me ligjin nr.7748, datë 29.07.1993, na jepet e drejta e statusit politik që siguron dëmshpërblimin dhe rehabilitimin e të përndjekurve politikë. Mbas kësaj periudhe konstatohet se u zbeh vullneti politik dhe këto ligje mbetën pa u zbatuar).

4. Me ligjin nr.9831, datë 12.11.2007, për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë gjatë diktaturës komuniste, ruhet parimi Leninist i së drejtës; “ E drejta është dëshirë e klasës në fuqi”. Në zbatim të nenit 44 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Konventave Evropiane, mjafton vërtetimi i pafajësisë për të marrë dëmshpërblimin ligjor në mënyrë të menjëhershme.

5. Sot ne na kërkohen pafundësi dokumentesh që merren në arkivat e shtetit për ti dorëzuar përsëri në shtet. Ky është diskriminim me ligj duke nëpërkmëbur dinjitetin tonë.

6. Në bazë të nenit 57 të Kodit Penal, një ditë hetuesi është e barabartë me 1.5 ditë burgim. Ky fakt nuk gjen zabtim në këtë ligj.

7. Diskriminimi vazhdon. Ditët e fituara me punë mbi detyrim, të njohura si ditë vuajtje dënimi nga diktatura, zbriten në mënyrë të paligjshme.

8. Formula matematikore (shtojca në ligjin 9831) ku dënimi ka bashkim nenesh, i paarsyetuar dhe paprecedent diskriminon të dënuarit politik. Ligji në fjalë nuk lë hapësirë rigjykimi kur dihet se gjykimet në diktaturë janë bërë politike dhe pa mbrojtje (avokat), në kundërshtim me të gjitha Konevntat Ndërkombëtare për të Dreajtat e Njeriut.

9. Dëmshpërblimi i shpërndarë në 8 vjet nuk njeh interesin bankar në kundërshtim me nenet 50 dhe 54 të Kodit Civil.

10. Letrat me vlerë na zbriten në vlerë 100 %, me vlerën nominale kur dihet në treg vlera e tyre minimale dhe dikriminuese. Në ligj flitet vetëm për zbritjen e vlerave monetare dhe jo të letrave me vlerë. Në llogaritjen përfundimtare zbriten dhe vlera monetare e shtëpive të dhëna falas.

11. Në zbatim të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 nuk është zbatuar neni 32 që detyron Këshillin e Ministrave që brenda 15 mujave të saktësojë faturën financiare të dëmshpërblimit dhe skemën përfundimtare 8-vjeçare të shpërndarjes së fondeve.

12. Ne konstatojmë se pasuria komëbtare është privatizuar nga ish-nomenklatura e lartë komunsite në mënyrë korruptive.

13. Në postet shtetërore punojnë njerëz që bien ndesh me ligjin mbi pastërtinë e figurvae (rekomandim nga Raporti i Komitetit Evropian, faqe 8, viti 2009). Të largohen të gjithë presekutorët tanë që punojnë në gjykata, prokurorë, noterë etj. Të kërkojmë dekomunizmin e jetës shoqërore dhe historisë duke u kthyer në vlera reale kombëtare.

14. T’ju kthehehn ose kompensohen të gjithë pasuritë e konfiksuara të të përndjekurve politikë në bazë të ligjit 7514, datë 30.09.1991 (vazhdon diskriminimi).

15. Të zbatohet Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut në mënyrë rigoroze dhe pa diskrimnimim

16. Ne, me këtë veprim sensibilizojmë të gjithë popullin shqiptar, mediat, ambasadat, etj për shklejet e të drejtave tona të njohura me ligj dhe nga Konevntat Evropiane. Kërkojmë fitimin e këtyre të drejtave dhe solidarizimin në mbështetje me veprimin tonë sakrifikues.

Ky lajm është publikuar: 07/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›