E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjeku vetëmbrohet: “Vdekja nga bajamet njihen nga mjekësia”

Autori i Lajmit: Redaksia
Mjeku Xhevahir Hoxhallari është ulur në bankën e të akuzuarit për vdekjen e 17-vjeçares Matilda Petriti, pacientja që ndërroi jetë pas një operacioni për heqjen e bajameve. Në seancën e parë gjyqësore në ngarkim të tij, mjeku Hoxhallari i tha gjykatësit Artan Broci se nuk ishte treguar i pakujdesshëm në mjekim sikurse pretendon prokuroria, por vdekja e vajzës sipas tij hyn tek rastet e rralla që ndodhin në mjekësi. Por Prokuroria e Tiranës ka si provë kundër mjekut një raport të detajuar të mjekësisë ligjore, i cili flet për të gjitha shkeljet e mjekut, të cilat sollën sipas prokurorisë edhe vdekjen e vajzës. Ndërkohë organi i akzuës ka vënë në dispozicion të gjykimit edhe kartelën mjekësore që sipas hetuesve në të nuk janë shënuar të dhënat e pacientes, fakti që ajo ka patur hemoragji pas operacionit dhe ditët në vijim deri sa gjeti vdekjen në spitalin civil në Tiranë.

Dëshmitarët

Në procesin kundër mjekut nuk do të dëshmojnë vetëm familjarët e 17-vjeçares që humbi jetën disa ditë pas ndërhyrjes për heqjen e bajameve por edhe mjekët. Prokuroria kërkoi të thirren si dëshmitarë familjarët e të ndjerës edhe mjekë, kërkesë e cila u bë edhe nga avokati mbrojtës i të pandehurit. Përveç kirurgut që e ka operuar vajzën në klinikën e tij private në Pogradec, çështja e vdekjes së Matilda Petritit fillimisht pati nën hetim edhe mjekë të tjerë të spitalit civil pas diskutimeve se përse mjekët neglizhuan të ndërhynin për ta shpëtuar atë megjithë gjendjen e saj të rënduar.

Ngjarja

Për shkak të problemeve të shpeshta me bajamet që kishte Matilda, prindërit e saj, më 7 prill të këtij muaji iu drejtuan një klinike private në Pogradec, pronë e mjekut Xhevahir Hoxhallari. Sipas prindërve të saj, mjeku Hoxhallari, i cili ka kryer edhe ndërhyrjen kirurgjikale kundrejt një pagese prej 11 mijë lekësh, 2 orë pas operacionit ka rekomanduar dërgimin e saj në shtëpi, pasi ajo nuk ka patur më probleme. Në fakt, nuk ka ndodhur kështu, pasi 22 ditët në vijim për Matildën kanë qenë me hemorragji, ku i është nënshtruar edhe 4 operacioneve të tjera derisa ajo ndërroi jetë në spital. Duke parë gjendjen e vajzës, i ati, Besim Petriti tregon se ishte transferuar në Maliq, për të qenë më afër ndonjë emergjence. Pikërisht të dielën pasdite vajza është përkeqësuar, duke pësuar hemoragjinë e radhës. Më pas është dërguar drejt shërbimit të ORL-së në QSUT, ku është kontrolluar nga një grup prej 5 mjekësh të këtij spitali, të cilët sipas prindërve kanë siguruar se ajo nuk ka probleme. Por në orët e vona të ditës së diel, pacientja ka patur përsëri hemoragji, derisa rreth orës 20:00 ajo ka ndërruar jetë.

Raporti mjeko-ligjor

Fajësohet mjeku për vdekjen e adoleshentes pas operacionit nga bajamet. Rreth gjashtë muaj pas vdekjes së 17-vjeçares Matilda Petriti, e cila humbi jetën pas një operacioni të bajameve, nga mjeku Xhevahir Hoxhallari, që kishte bërë ndërhyrjen kirurgjikale, dorëzohet në prokurori raporti i ekspertëve. Në këtë të fundit sqarohen shkaqet e vdekjes së 17-vjeçares nga fshati Maliq i Korçës, ku konstatohen shkeljet e mjekut otorino - laringolog, Xhevahir Hoxhallari. Pesë mjekë me në krye shefin e ORL-së Pjerin Radovani kanë treguar në dosje shkeljet e kolegut të tyre Xhevahir Hoxhallari. Sipas mjekëve, Hoxhallari ka kryer mjekim të pakujdesshëm, si dhe ka shmangur mjekimin për pacienten e tij, në një kohë që ajo ndodhej në gjendje të rëndë dhe kishte nevojë për trajtim.

Ky lajm është publikuar: 07/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›